20 vjet më parë Jorge Mario Bergoglio krijohej kardinal

Kryeipeshkvi i Buenos Ajres u krijua kardinal në vitin 2001. Të kthehemi pas në kohë e ta rijetojmë këtë ditë me të ftuarit tanë, ndërmjet të cilëve, drejtori editorial i Dikasterit për Komunikimin, Andrea Tornielli, në “Doppio Click”, program i Radio Vatikanit, që transmetohet çdo të premte.

R. SH. - Vatikan

Është data 21 shkurt 2001. Papa Gjon Pali II , në homelinë e mbajtur me rastin e Koncistorit të zakonshëm publik, nënvizon se kjo ishte ditë e veçantë: “Sot është festë e madhe për Kishën universale, që pasurohet me dyzet kardinaj”. Ndërmjet tyre, edhe kryeipeshkvi i Buenos Ajres, Jorge Mario Bergoglio, zgjedhur nga Ati i Shenjtë më 13 mars të vitit 2013. “Roma katolike” - shtoi Papa Wojtyla, duke shqiptuar fjalë,  që i drejtoheshin së ardhmes, - i rrok kardinajtë e rinj me një përqafim tejet të përzemërt, e vetëdijshme se po shkruan një faqe të re domethënëse të historisë së vet dymijëvjeçare”. “Barka e Kishës - pati pohuar, gjithnjë në atë rast Gjon Pali II - përgatitet të dalë rishtas në det të hapur, për t’i çuar botës mesazhin e shëlbimit. Së bashku duam të shpalosim velat në erën e Shpirtit Shenjt, duke shqyrtuar shenjat e kohëve, për t’iu përgjigjur pyetjeve të njerëzve mbi kuptimin e jetës së sotme e të ardhme e për marrëdhëniet e tyre reciproke” (Gaudium et spes,4).

Kishë, që i hap portat

Njëzet vjet më parë! Datë e largët, kjo për të cilën po flasim, por gjithnjë aktuale. “Bota - pohonte Papa Wojtyla gjatë Koncistorit të vitit 2001 - bëhet gjithnjë më e ndërlikuar e gjithnjë më e paqëndrueshme, plot me kontradikta e lëkundje”. Një botë, si kjo e sotmja, e tronditur thellë nga pandemia e nga kultura e hedhurinës, që ka marrë dheun, e denoncuar shumë shpesh nga Papa Françesku, ka nevojë për dashuri. “Ka etje për një zemër - shkruante ipeshkvi i Buenos Ajres në mesazhin e 28 marsit 2001 drejtuar Bashkësive edukative - që mirëpret, që i hap portat,  ka nevojë për shërimin e njeriut, përmes dashurisë mikpritëse”. Zemra e tij rreh për njerëzimin e plagosur, të braktisur, që mund të mikpritet nga një Kishë,  e cila duhet të jetë “spital fushor”. Nga një “Kishë e varfër për të varfërit”. Më 28 shkurt të vitit 1998, kur Jorge Mario Bergoglio, i lindur më 17 dhjetor të vitit 1936 në Buenos Ajres, në një familje emigrantësh piemontezë - u emërua kryeipeshkëv i kryeqytetit argjentinas, zgjodhi për banesë një apartament, ku gatuante vetë.  “Njerëzit e mi janë të vafër - pati thënë - e unë jam njëri prej tyre”.

Një koncistor, me sytë ngulur tek Amerika Latine

Ai i 21 shkurtit mbetet, deri më sot, koncistori me pjesëmarrje më të madhe në gjithë historinë e Kishës. Ia kalon edhe atij  që pati shpallur Piu XII në vitin 1946, në përfundim të Luftës II Botërore. E nënvizon Andrea Tornielli, drejtor editorial i Dikasterit të Komunikimit, duke folur para mikrofonit  gjatë programit “Ndërmjet tjerash” . Ndërmjet tjerash - vijon - Gjon Pali II bëri dy njoftime, për të krijuar atë numër të jashtëzakonshëm kardinajsh, që nuk është kapërcyer akoma deri më sot. Një karakteristikë tjetër e këtij koncistori - nënvizon Tornielli - ishin kësulat e shumta të kuqe, që morën nga Papa ipeshkvijtë e dioqezave të Amerikës Latine. Nuk besoj të ketë pasë ndonjë ndjet të posaçëm, por në këtë rast prania latinoamerikane qe me të vërtetë domethënëse. E, ndërmjet kardinajve të rinj, ishte edhe Bergoglio.

Zemër, që di të mikpresë

Si kryeipeshkëv i Buenos Ajres, Jorge Mario Bergoglio mendon për një program misionar, përqendruar mbi ungjillëzimin. Projekt me katër objektiva kryesore: bashkësi të hapura e vëllazërore; protagonizëm i një laikati të vetëdijshëm; ungjillëzim i çdo banori të qytetit; ndihmë të varfërve e të sëmurëve. I shuguruar meshtar më 13 dhjetor 1969, 4 ditë para se të mbushte 33 vjeç, u kërkon përsëri meshtarëve të ecin në rrugën e mëshirës, me porta të hapura e përdëllim. Kur ulet në fronin e Shën Pjetrit, ruan stemën e zgjedhur në shugurimin ipeshkvnor:“miserando atque eligendo”

Nga Buenos Aires, në Romë

Duke shfletuar homelitë dhe fjalimet e shqiptuara nga kardinali Jorge Mario Bergoglio, lexojmë tema e reflektime, që do të ishin edhe në qendër të papnisë. Në mbrëmësoret e Pashkëve të 15 prillit 2001, kryeipeshkvi i Buenos Ajres nënvizonte “Jetojmë në një situatë, në të cilën kemi nevojë për shumë kujtesë. Duhet ta ruajmë në zemra rezervën shpirtërore të popullit tonë”. Lidhja e ngushtë me popullin do të mbetej burim frymëzimi  për Papninë e tij.

Përfshirje, ose përjashtim

Më 2003, me rastin e kremtimit të Te Deum, Primati i Argjentinës nënvizonte se jemi të thirrur për ta refuzuar atë, që në shumë raste do ta quante “kultura e hedhurinës”. Përfshirja a përjashtimi i më të ligshtëve - do të pohonte më 25 maj të të njëjtit vit - “përcakton të gjitha projektet ekonomike, politike, shoqërore e fetare. Çdo ditë duhet të zgjedhim rrugën tonë: të jemi samaritanë të mirë, apo udhëtarë indiferentë, që kalojnë pa shikuar ç’ngjet rreth tyre”.  Kryeipeshkvi i ri dilte vazhdimisht, për të qenë pranë njerëzve, posaçërisht kur ishin në situata të vështira. E, në dalje, e vlerësonte fort frymën fetare popullore. Ndërsa u kundërvihej pabarazive, globalizmit, parë si ideologji ekonomike-shoqërore, që godet sektorët më të varfër të shoqërisë, duke krijuar pabarazi të mëdha e të thella,

Homelia e fundit si kardinal

Para se të nisej për Romë, për Konklavin e 2013-tës, kryeipeshkvi i Buenos Ajres përgatiste një homeli, që do ta shqiptonte më 28 mars 2013, me rastin e Meshës së Bagmit. Po pikërisht më 13 mars të këtij viti, ulej në fronin e Shën Pjetrit. Teksti i homelisë, që mbeti pa shqiptuar, kishte një koncept themelor; “Misionin e Kishës në periferitë”.

20 shkurt 2021, 12:43