Zoti është pranë: homelia e Papës në të Dielën e dytë të Fjalës

“Asnjë distancë ndërmjet Zotit e të tjerëve”: ky mesazhi, në qendër të homelisë së Papës, shqiptuar nga imzot Rino Fisichella. Për shkak të shqetësimeve, shkaktuar nga nervi shiatik, Françesku nuk mundi ta kryesojë Meshën me rastin e së Dielës II të Fjalës së Zotit. E fortë, ftesa për ta lexuar Ungjillin, për ta zbuluar ilaçin kundër frikës së vetmisë përballë jetës” e “për të mos ndenjur larg nga Zoti e nga të tjerët”, me besimin se “askush nuk është i harruar në skutat e zemrës së Zotit”.

R. SH. - Vatikan

Në këtë të diel kushtuar fjalës së Zotit, dëgjojmë Jezusin, që na kumton! Po çka na thotë ?- me këto fjalë nisi homelia e Papës, mbajtur nga nga imzot Rino Fisichella.

Zoti është fare pranë

Jezusi nis të predikojë kështu: “Koha u plotësua e Mbretëria e Zotit është afër” (MK 1,15). Zoti është fare pranë! Ky, lajmi i parë. Mbretëria e Tij zbriti në tokë. Zoti nuk është atje lart, në qiell, larg njerëzve, si tundohemi të mendojmë. Zoti është me ne. Koha e ndarjes mori fund kur Jezusi u bë njeri. Që asokohe Zoti u bë i afërt, nuk do të shkëputet kurrë më e kurrë më nuk do të lodhet duke na kërkuar.. Kjo afërsi është fillesa e Ungjillit – na kujtoi homelia e Papës.

Jezusi thoshte: ‘Zoti është afër’. E ky ishte lajtmotivi i kumtimit të Tij, zemra e mesazhit të Tij. E edhe zemra e kumtimit të krishterë. Para së gjithash duhet besuar e duhet  kumtuar se Zoti na u afrua, se u falëm, se u mëshiruam. Para të gjitha fjalëve të Zotit, është Fjala e Tij për ne. Zoti vijon të na thotë:

“Mos kij frikë, unë jam me ty. Jam e do të jem gjithnjë pranë teje!”.

Përmes Fjalës, e prekim me dorë afërsinë e Zotit

Fjala e Zotit na krijon mundësinë ta prekim me dorë këtë afërsi sepse - na kujton Libri i Ligjit të Përtrirë - nuk është larg nesh, por pranë zemrës sonë. Ësht ilaçi, që na shëron nga frika se do të mbetemi vetëm përballë jetës. Po Zoti e ngushëllon vetmitarin. E këtë kuptim ka fjala ngushëllim, që na kujton se jemi në zemrën e Tij, të çmuar për sytë e Tij e në pëllëmbë të dorës së Tij. Fjala e Zotit na dikon paqe, po nuk na lë në paqe. Është fjalë ngushëllimi, por edhe pendese. Pendohuni - na thotë Jezusi menjëherë pasi shpall afërsinë e Zotit! Sepse me afërsinë e Tij përfundon koha kur secili prej nesh mendonte e shkonte për hesap të vet. E kjo nuk është e krishterë, sepse kush është pranë Zotit, nuk mund të jetë larg tjetrit. Kush e dëgjon Fjalën e Zotit,  zbulon  se jeta nuk është kohë për t’u ruajtur nga të tjerët e për të mbrojtur vetveten, por rast për t’u takuar me të tjerët, në emër të Zotit, të cilin e kemi gjithnjë pranë. Kështu Fjala, e mbjellë në truallin e zemrës sonë, na shtyn të mbjellim shpresë tek të tjerët, nëpërmjet afërsisë. Pikërisht si bën Zoti me ne!

Jezusi u flet së pari mëkatarëve

Jezusi u flet kryesisht peshkatarëve të Galilesë. Njerëzve të thjeshtë, që jetojnë me djersë të ballit, duke punuar rëndë natë e ditë. Nuk ishin specialistë të Shkrimit Shenjt e nuk spikasnin, sigurisht, në fushën e shkencës e të kulturës. Jetonin në një vend, ku përzjeheshin popuj, etni e kulte të ndryshme; në një vend, që ishte më larg se të gjithë nga pastria fetare e Jeruzalemit, zemrës së vendit:

“Po Jezusi niset prej aty, jo prej qendrës, por prej periferisë, e këtë e bën për të na thënë edhe ne se askush nuk është në skutat e zemrës së Zotit. Të gjithë mund ta dëgjojnë Fjalën e Tij e mund ta takojnë personalisht”.

Fjala arrin kudo jetojnë njerëzit

Në Ungjill është një hollësi, që na kujton se kumtimi i Krishtit arrin pas atij të Gjonit. Është një “pas” vendimtare – na kujtoi homelia - Gjoni i takonte njerëzit në shkretëtirë, ku shkonte vetëm kush mund të largohej nga viset ku jetonte. Ndërsa Jezusi flet për Zotin në zemër të shoqërisë, u flet të gjithëve, atje ku janë. E nuk flet në orare e kohë të paracaktuara:

Flet duke kaluar gjatë bregdetit. U flet peshkatarëve, ndërsa hedhin rrjetat. U drejtohet njerëzve në vendet e në çastet më zakonshme:

“E pikërisht këtu qëndron forca universale e Fjalës së Zotit, që arrin ndër të gjithë e në çdo mjedis, ku jetohet”.

Forca e Fjalës

Duhet kujtuar edhe se Fjala ka një forcë të veçantë, skalitet në mënyrë të drejtpërdrejtë e personale në zemrën e secilit. Dishepujt  nuk i harrojnë kurrë më fjalët, që i dëgjuan atë ditë në brigjet e liqenit; fjalë që e ndryshuan përgjithmonë udhën e jetës së tyre. Jezusi u tha:

“Ejani pas meje, e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish! Nuk i tërhoqi me fjalime të larta e të pakapshme; u foli jetëve të tyre, jetëve të peshkatarëve të peshqve, që do të shndërroheshin në peshktarë njerëzish”.

Po t’u kish thënë “Ejani pas meje, do t’ju bëj Apostuj, do të dërgoheni nëpër botë e do të kumtoni Ungjillin me forcën e Shpirtit Shenjt, do të vriteni, por do të bëheni shenjtorë', mund ta marrim me mend se Pjetri e Andreu  do t’i kishin kthyer përgjigjen: “Faleminderit, por na pëlqejnë më shumë rrjetat e barkat tona”:

“Po Jezusi ua bën thirrjen duke u nisur nga jeta e tyre: ‘Jeni peshkatarë peshqish, do të bëheni peshkatarë njerëzish!”.

Kështu bën Zoti edhe me ne: na kërkon aty ku jemi e i shoqëron me durim hapat tonë. Na pret, ashtu si peshkatarët, në brigjet e jetës e me fjalët e Tij dëshiron të na bëjë të ndërrojmë drejtim e të lundrojmë në det të hapur, pas Tij.

Fjala e Zotit, letër dashurie

Nuk duhet të heqim kurrë dorë nga fjala e Zotit - na  kujtoi përsëri Papa përmes kësaj homelie kaq prekëse, në të dielën kushtuar Fjalës. Që, në përfundim, i kalon caqet e homelisë e shndërohet në lirikë, që del nga shpirti njerëzor, për t’u lartuar drejt qiellit të Zotit.

Është thirrje që tingëllon si  letër dashurie; duke e lexuar  dëgjojmë rishtas zërin e Zotit, shikojmë fytyrën e Tij, marrim Shpirtin e Tij:

“Fjala të afron me Zotin. Të kujton se nuk duhet ta mbajmë larg. Se duhet ta kemi gjithnjë me vete, në xhep, në telefon, t’i japim një vend të denjë në shtëpitë tona. Ta vëmë Ungjillin në një vend, që na kujton se duhet ta hapim çdo ditë, të paktën në fillim e në fund të ditës. T’i lypim Zotit forcën për ta mbyllur televizorin e për të hapur Biblën; për ta mbyllur celularin e për të hapur Ungjillin. Në këtë vit liturgjik të lexojmë Ungjillin e Markut, më të thjeshtin e më të shkurtërin. Do të na bëjë ta ndjejmë Zotin pranë e do të na mbushë me guxim në shtegtimin e jetës”.

24 janar 2021, 11:51