Papa Françesku Papa Françesku

Viti 2021 për Papën Françesku, gjatë të cilit do të rifillojë udhëtimet

Impenjimet e Papës Françesku gjatë vitit 2021, në të cilin Ati i Shenjtë do të bëjë udhëtimin e tij të parë në Irak, pas muajve të “bllokimit”, për shkak të pandemisë. Do të jetë edhe një vit reflektimi për familjen, duke u nisur nga Nxitja apostolike “Amoris laetitia”.

R.SH. - Vatikan

Gjatë vitit, që sapo përfundoi, veprimtaria e Selisë së Shenjtë, jeta e Kishës, liturgjitë e saj dhe baritoria e zakonshme kishtare u reduktua shumë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ndërsa 2021-shi fillon me vaksinimin aq të shumëpritur, që jep shpresë për rimëkëmbjen e ekonomive, por edhe për kthimin e atyre veprimtarive e takimeve, të cilat kanë mbetur pezull.

Impenjimet e Papës në janar

Papa Françesku do të kremtojë meshën në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, në orën 10.00 të 6 janarit, në Bazilikën e Vatikanit, në përputhje me normat kundër koronavirusit, ndërsa të hënën, më 25 janar (më vonë, në krahasim me vitet e mëparshme), do të takojë anëtarët e Trupit diplomatik, të akredituar në Selinë e Shenjtë. Edhe ata, me numër të kufizuar, pasi mund të marrin pjesë vetëm krerët e misioneve, pa bashkëshortët.

Udhëtimi në Irak, në mars

Pasi u ndal për më se një vit, Papa dëshiron të udhëtojë sërish më 2021. Nëse kushtet do ta lejojnë, Françesku do të shkojë në Irak nga 5 deri më 8 mars, duke vizituar Bagdadin, Pllajën e Urit, që lidhet me kujtimin e Abrahamit, Erbilin në Kurdistanin irakian, Mosulin dhe Karakoshin në Pllajën e Ninives. E ditët e fundit, patriarku kaldeas shprehu dëshirën që në itinerarin e Atit të Shenjtë të shtohet edhe qyteti i shenjtë për myslimanët Al-Naxhaf, ku banon lideri shiit Ali Al Sistani. Tani për tani, nuk janë planifikuar udhëtime të tjera, megjithëse në dy mesazhet e tij të Krishtlindjes, Papa nënvizoi se ka ndërmend të shkojë në Liban dhe në Sudanin e Jugut, madje, në këtë vend të fundit, së bashku me primatin anglikan Justin Welby dhe primatin presbiterian John Chalmers.

Viti i “Familjes Amoris Laetitia”

Gjatë 2021-shit, do të nisë edhe Viti i veçantë kushtuar thellimit në përmbajtjen e Nxitjes Apostolike “Amoris laetitia”, që do të arrijë kulmin në Takimin X Botëror të Familjeve, planifikuar në Romë për në fund të qershorit 2022.

Një takim i rëndësishëm do të jetë Forumi mbi “strategjitë për zbatimin” e këtij dokumenti papnor, që do të mbahet në Romë nga 9 deri më 12 qershor 2021, me pjesëmarrjen e drejtuesve të baritorisë familjare nga Konferenca të ndryshme Ipeshkvnore, të lëvizjeve dhe të shoqatave ndërkombëtare të familjes. Me Letrën apostolike “Patris Corde”, Papa Françesku shpalli edhe një vit të veçantë, për kremtimin e 150-vjetorit të Shën Jozefit si Pajtor i Kishës universale.

Reformat e Papës Françesku

Gjithashtu, është në fazën përfundimtare, hartimi i Kushtetutës së re Apostolike për Kurien Romake – me titull të përkohshëm “Praedicate Evangelium” - por nuk dihet nëse do të miratohet gjatë këtij viti. Ndërkohë, vazhdojnë reformat e Papës Françesku, siç shihet edhe nga Motu Proprio më e fundit, që ia kaloi APSA-s (Administrimi i Trashëgimisë së Selisë Apostolike), fondet e administruara deri tani nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit.

Gjatë vitit 2021, do të mbushin 80 vjeç gjashtë kardinaj. Prandaj, në fund të vitit, kardinajtë me të drejtë vote do të jenë 122, por mund edhe të kemi një koncistor të ri. Papa Françesku ka bërë çdo vit një të tillë.

04 janar 2021, 11:24