Shëlbimi nuk është automatik, por dhuratë që kërkon kthesë

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës kushtuar Fjalës së Zotit, Papa komentoi fillimin e predikimit të Jezusit sipas Ungjillit të Shën Markut. Fraza e shqiptuar nga Krishti: “Koha u plotësua e mbretëria e Zotit është pranë; pendojuni e besojini Ungjillit”, është ftesë, shpjegoi Françesku, për ta jetuar çdo ditë të jetës si “kohë shëlbimi”.

R. SH. - Vatikan

Në këtë të Diel të tretë të Kohës së zakonshme, Françesku nuk mungoi në takimin e Engjëllit, ndonëse nuk mundi ta kryesojë Meshën e orës 10.00 në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të kremtuar të Dielën e Fjalës, për shkak të rikthimit të dhembjeve të nervit shiatik, nga i cili vuan.

Fragmenti ungjillor i kësaj së dieleje - kujtoi para lutjes Papa - na tregon “kalimin e dëshmitarit” nga Gjon Pagëzuesi, tek Jezusi. Gjoni ishte pararendësi, ai që ia përgatiti terrenin e rrugën: kështu Krishti mund të niste misionin e tij e të kumtonte shëlbimin, tashmë të pranishëm. Ishte Ai Shëlbimi. Predikimi i tij - kujtoi Papa - përmblidhet në këto fjalë:

“Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!’ Është një mesazh, që na fton të reflektojmë mbi dy tema themelore: temën e kohës e të kthesës!”.

Tema e kohës

Në këtë tekst të Shën Markut Ungjilltar - vijoi të shpjegojë Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot - koha  duhet kuptuar si zgjatje e historisë së shëlbimit të kryer nga Zoti:

“Prej këndej, kohë e ‘plotësuar’ është ajo, në të cilën ky veprim shëlbues arrin në pikën e vet kulmore: në aktualizimin e tij të plotë. Është çasti historik në të cilin Zoti dërgoi Birin e vet në botë e Mbretëria e tij u bë më e afërt se kurrë. U plotësua koha e shëlbimit, sepse Krishti erdhi".

Tema e kthesës

Gjithsesi shëlbimi nuk është automatik: është dhuratë dashurie e, si e tillë, i ofrohet lirisë njerëzore. Kur flitet për dashuri, flitet për liri: dashuria pa liri nuk është dashuri; mund të jetë interes, frikë, shumë gjëra të tjera, sepse dashuria është gjithnjë e lirë e duke qenë kështu, kërkon edhe përgjigje të lirë. Kërkon pendesë, kthesë. Kërkon të ndryshosh mendësinë e edhe vetë jetën: të mos i ndjekësh më modelet e botës, por atë të Zotit, që është Jezusi. Është ndryshim vendimtar pikëpamjesh e sjelljesh:

“Mëkati, sidomos mëkati i mendësisë së botës, që është si ajri, depërton kudo. Sjell në botë një mendësi, që e shtyn njeriun të vlerësojë vetëm vetveten, t’u kundërvihet të tjerëve e edhe vetë Zotit”.

Kjo ngjall kureshtjen…E pyetjen: “Cili është identiteti yt?”:

“E shpesh dëgjojmë fjalën 'kundra': kundra vetvetes, kundra të tjerëve e kundra Zotit e, për t’ia arritur qëllimit, mendësia e botës nuk ngurron të përdorë edhe gënjeshtrën e dhunën! E shikojmë çka ndodh me mashtrimin e me dhunën: shohim lakmi, dëshirë për pushtet e jo për shërbim, luftëra, shfrytëzim të tjetrit… Kjo është mendësia e gënjeshtrës, bijë e atit të mashtrimit, gënjeshtarit të madh, djallit. Ai është ati i mashtrimit, kështu e quajti Jezusi!”

Gjithë kësaj sjelljeje i kundërvihet mesazhi i Jezusit - nënvizoi Papa -  duke kujtuar se Zoti na fton ta ndjejmë veten nevojtarë për Të e për hirin e Tij, me një sjellje të ekuilibruar ndaj të mirave tokësore; na fton të jemi mikpritës e të përvuajtur me të gjithë, ta njohim e ta realizojmë vetveten në takim me të tjerët e në shërbim të tyre.

Për secilin prej nesh koha kur mund ta mirëpresim shëlbimin është tejet e shkurtër: sa jeta jonë në këtë botë:

“Ajo - kujtoi Papa - është dhuratë e dashurisë së pambaruar të Zotit, por edhe kohë gjatë së cilës vërtetojmë dashurinë për Të. Prandaj - na kujtoi të gjithëve Papa - çdo sekond, çdo çast i jetës sonë është kohë e çmuar  për të dashur Zotin e të afërmin e për të gëzuar, kështu, një ditë, në jetën e pasosur”.

Dy ritmet e jetës

Historia e jetës sonë ka dy ritme: një të matshëm, që përbëhet nga orët, ditët, vitet; tjetri, nga stinët e zhvillimit: nga lindja, fëmijëria, adoleshenca, pjekuria, pleqëria, vdekja.

Çdo kohë e çdo fazë ka vlerën e vet e mund të jetë çast i zgjedhur për takimin me Zotin. Feja na ndihmon ta zbulojmë domethënien shpirtërore të kësaj kohe:  secili nga ne ka një thirrje të veçantë nga Zoti. E kësaj thirrjeje mund t’i japim përgjigje pozitive ose negative:

“Jeta është e shkurtër, ndonëse mund të duket e gjatë. Më kujtohet, kur pata shkuar t’i jap Sakramentet, vajimin e të sëmurëve një të moshuari shumë të mirë, e ai, në çastin kur po merrte Eukaristinë, vajimin e të sëmurëve, më tha këto fjalë: ‘Po, më fluturoi jeta’, si të donte të më thoshte: unë besoja se ishte e amshuar, po ajo më fluturoi sakaq. Çfarë ndjejmë ne, të moshuarit, që na shkoi jeta! Shkoi. E jeta është dhuratë e pambaruar dashurie, por edhe kohë e verifikimit të dashurisë së Zotit për ne”.

Në Ungjill - kujtoi në vijim Papa - shohim si u përgjigjën Simoni, Andreu, Jakobi e Gjoni: ishin burra të pjekur, kishin zanatin e peshkatarit e jetën e tyre në familje…. E megjithatë, kur Jezusi  kaloi e i thirri,  ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën pas:

“Të dashur vëllezër e motra, mos ta lëmë  Jezusin të kalojë pa e marrë në zemër. Shën Agostini thoshte: ‘Kam frikë nga Zoti, kur kalon’. Frikë nga çka? ‘Frikë  se nuk do ta njoh, se nuk do ta shoh, se nuk do ta mirëpres’”.

Në përfundim, si zakonisht, Papa i drejtoi lutjen Marisë:

“Na ndihmoftë - theksoi -  ta jetojmë çdo çast si kohë shëlbimi, në të cilën Zoti kalon e na fton ta ndjekim. Në çdo sekond të jetës sonë. E na ndihmoftë edhe të bëjmë kthesë e, nga mendësia e botës, nga fantazitë e botës, që janë fishekzjarre, të kalojmë në mendësinë e dashurisë dhe të shërbimit”.

24 janar 2021, 14:09