Patriarku Pizaballa në Jordani Patriarku Pizaballa në Jordani 

Patriarku latin Pizzaballa, në Jordani për një vizitë zyrtare

Do të vijojë deri më 21 janar vizita e imzot Pizzaballës në Jordani, ku do të takohet me autoritetet politike, besimtarët dhe përfaqësuesit e Kishave motra, me myslimanët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile

R. SH. - Vatikan

Patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, viziton Jordaninë, deri më 21 janar. Është vizita e tij e parë zyrtare në mbretërinë hashemite, si patriarku i 10-të i dioqezës latine të Jeruzalemit, që përfshin Jordaninë, Palestinën, Galilenë e Qipron. Sipas kanalit të internetit Abuna,  imzot Pizzaballa arriti në Jordani të enjten e kaluar dhe e nisi menjëherë veprimtarinë me kremtimin eukaristik në Kishën e Zojës së Nazaretit, në Sweifieh.

Kremtimi i parë fetar

Në fjalimin e tij të mirëseardhjes, mëkëmbësi patriarkal latin për Jordaninë, imzot William Shomali, vuri në dukje se Jordania është zona e dioqezës së Jeruzalemit me numrin më të madh të besimtarëve të ritit latin e edhe të famullive, shkollave e meshtarëve të patriarkatit. Imzot Shomali  vërejti, më pas, edhe se Jordania po jeton çaste të vështira në atmosferën e Covid-19. Epidemi - kujtoi - që ka prekur edhe institucionet, ekonominë dhe tregun e punës. Por,  shtoi  “ndonëse kryqi peshon rëndë, po të dimë ta mbartim mirë, do të na japë forcë e do të shërbejë si burim bekimi për Kishën”.

Vizita në vendin e pagëzimit të Krishtit

Sot patriarku vizitoi vendin e pagëzimit të Krishtit, në trojet jordaneze, i shoqëruar nga ministri i turizmit dhe i antikiteteve, Nayef Al-Fayeez. Gjatë një konference shtypi organizuar nga Qendra Katolike e Studimeve dhe e   Mediave (CCSM), drejtori, Rifat Bader, kujtoi se sivjet përkujtohet 21 vjetori i fillimit të shtegtimit të krishterë të kohëve moderne tek vendi ku u pagëzua Jezusi, por edhe se, duke pasur parasysh koronavirusin, kremtimet  u ndoqën nga një numër i kufizuar njerëzish.

Në kohë pandemie, të fuqizohet lutja në familje

Imzot Pizzaballa kremtoi më pas Meshën në Kishën e Pagëzimit, mbi bregun e lumit Jordan. Gjatë homelisë kujtoi domethënien shpirtërore dhe njerëzore të pagëzimit të Jezusit, fillesë e misionit të tij publik. “Në këtë kohë të vështirë - kujtoi akoma - lutja duhet të jetë më e pranishme se kurrë në shtëpitë tona, në familjet tona. E duhet ta pyesim veten ç’kërkon Zoti nga ne, në këto çaste kaq të vështira”.

Patriarku e përfundoi homelinë duke u lutur për të sëmurët e për ata, që punojnë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, të udhëhequr nga Mbreti Abdullah II Ben Al Hussein.

Ditët e ardhshme Patriakun Pizzaballa e presin një mori takimesh të tjera të rëndësishme me autoritetet politike, me besimtarët, përfaqësuesit e kishave motra e, sidomos, me besimtarët e thjeshtë të këtyre viseve, ku vijojnë të ruhen gjurmët e Zotit.

10 janar 2021, 13:10