Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa: ta dëgjojmë fjalën e besueshme të Jezusit, me Ungjillin gjithnjë pranë nesh

Këtë ftesë drejtoi Françesku, para lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së dieleje, duke komentuar episodin e shërimit të njeriut të pushtuar nga djalli në Kafarnao. Shoqëruar me porosinë: “T’i kërkojmë edhe ne Jezusit shërimin nga mëkatet tona, nga të ligat tona e nga sëmundjet tona shpirtërore”.

R. SH. - Vatikan

Ta dëgjojmë “fjalën autoritare  të Jezusit”, duke e pasur gjithnjë në xhep a në çantë një Ungjill të vogël, për ta lexuar gjatë ditës. “T’i kërkojmë edhe ne Jezusit shërimin nga mëkatet tona, nga të ligat tona e nga sëmundjet tona shpirtërore”. Këtë ftesë u drejtoi Papa besimtarëve duke komentuar, para lutjes së Engjëllit të së dielës IV të kohës së zakonshme, fragmentin ungjillor të Shën Markut, që tregon historinë e shërimit të njeriut të pushtuar nga djalli në Kafarnao.

Në sinagogë të gjithë mahniten nga fjala e Jezusit

Papa u ndalua në mënyrë të posaçme tek një e shtunë. Ishte e para nga shtatë mrekullitë, që bëri Jezusi të shtunën “ditë kushtuar pushimit e lutjes”- kujtoi - duke folur nga Biblioteka e Pallatit Apostolik përmes mjeteve të komunikimit, për të shmangur grumbullimin e njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit.

Në sinagogën e Kafarnaos - kujtoi Françesku - Jezusi lexon dhe komenton shkrimet e shenjta. Të pranishmit tërhiqen fort nga mënyra e të folurit të Tij; madje mahniten, sepse fjala e Krishtit ka autoritet shumë më të madh, se ajo e skribëve. Po Krishti nuk ka vetëm fjalë. Ai - kujtoi Papa - nis të dallohet edhe për veprat, që kryen. E kështu, kur një njeri në sinagogë i kundërvihet, Ai  kujtohet menjëherë për praninë e shpirtit të djallit dhe e urdhëron të dalë nga ky njeri. E kështu e dëbon.

Krishti predikon e shëron

Shikojmë këtu dy elemente karakteristike të veprimit të Jezusit - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit - Predikimin dhe veprën mrekullibërëse të shëruesit. Të dy aspektet vihen në dukje në fragmentin e Shën Markut ungjilltar, por aspekti që spikat më shumë, është ai i predikatarit. Ekzorçizmi paraqitet për të vërtetuar “autoritetin” e veçantë  të Jezusit e të mësimit të Tij. Ai predikon me autoritetin e vet, si njeri që e zotëron doktrinën, të cilën e nxjerr nga vetvetja, e jo si skribët - kujtoi në vijim Papa - që respektojnë traditat e mëparshme e ligjet e trashëguara nga breznia në brezni. Përsërisnin fjalë, fjalë, fjalë, vetëm fjalë - siç këndonte Mina. Ishin kështu! Vetëm fjalë. Ndërsa Jezusi flet me autoritet, me fjalë të besueshme, e kjo i prek zemrat.

Mësimi i Jezusit ka autoritetin e Zotit, që flet

Mësimi i Jezusit ka autoritetin e Zotit, që flet  - nënvizoi Papa -  vetëm me një urdhër ai e çliron menjëherë njeriun e pushtuar nga djalli edhe e shëron. Pse?

“Sepse fjala e tij e bën, atë që thotë. Sepse Ai është profeti përfundimtar. Të kujtojmë premtimin e Moisiut: Moisiu thotë ‘pas meje, shumë kohë më vonë, do të vijë një profet si unë, që do t’ju mësojë’. Mosiu e kumton Jezusin si profet përfundimtar’. Mësimet e Jezusit kanë të njëjtin autoritet që kanë ata të Zotit, që flet’. Prandaj nuk flet me autoritetin njerëzor, por me atë hyjnor, sepse është Biri i Zotit, që shpëton, që shëron”

Krishti është profeti përfundimtar, madje është vetë Fjala e Zotit e  mishëruar. Prandaj flet me autoritet hyjnor.

Jezusi shëron sëmundjet

Aspekti i dytë - kujtoi në vijim Papa - ai i shërimeve - tregon  se predikimi i Krishtit synon ta mundë  të keqen e pranishme në shpirtin e njeriut e në botë. Fjala e Tij drejtohet drejtpërdrejt kundër mbretërisë së Djallit, e vë në krizë dhe e bën të zmbrapset, të dalë nga bota. I pushtuari nga djalli sapo ndjen urdhërin e Zotit, çlirohet menjëherë nga djalli dhe bëhet njeri i ri. Edhe predikimi i Krishtit ka logjikën e kundërt, në krahasim me atë  botës së djallit! Fjalët  e Tij  e përmbysin  rendin e gabuar të sendeve. Djalli, i pranishëm në  njeriun e pushtuar prej tij, nis britmën sapo ndjen afrimin e Jezusit: “Çka do nga ne, Jezus Nazareni?”- këlthet- “Erdhe të na rrënosh?” Këto shprehje vënë në dukje ndryshimin e plotë ndërmjet Jezusit e shejtanit: janë në dy plane krejtësisht të ndryshme; ndërmjet tyre nuk ka asgjë të përbashkët; janë njëri kundër tjetrit - theksoi Papa në lutjen e Engjëllit - duke bërë dallimin e plotë ndërmjet Krishtit e djallit!

Forca tërheqëse e Fjalës së Krishtit

Ungjilli i kësaj së dieleje - kujtoi Papa - duhet të ngjallë edhe në ne admirimin e mahnitjen, që provuan njerëzit e Kafarnaos duke e dëgjuar Jezusin atë të shtunë në sinagogë:

“T’i dëgjojmë edhe ne fjalët e Jezusit, që janë të besueshme: gjithnjë! Mos harroni! E pastaj të gjithë kemi probleme, të gjithë kemi mëkate, të  gjithë kemi sëmundje shpirtërore; t’i kërkojmë Jezusit: Jezus, ti je profeti. Më shëro!”.

Në përfundim,  lutja drejtuar Marisë

“Virgjëra Mari - përfundoi Papa - i ruajti gjithnjë në zemrën e saj të papërlyer fjalët e Krishtit dhe e ndoqi me gatsihmëri e besnikëri. Na ndihmoftë edhe ne ta dëgjojmë e ta ndjekim, për t’i ndjerë në jetën tonë shenjat e shëlbimit të Tij”.

 

31 janar 2021, 13:26