Papa lutet për viktimat e tërmetit në Sulawesi

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi të dëmtuarit nga tërmeti në Indonezi e edhe ata që humbën jetën në aksidentin ajror të së shtunës së kaluar.

R. SH. - Vatikan

Papa u shprehu afërsinë e tij popullsive të ishullit Salawesi, në Indonezi, dëmtuar nga një tërmet i fuqishëm prej 6.2 ballësh, që shkaktoi vdekjen e më se 56 vetëve, sipas bilancit të fundit. Dje pati shprehur ngushëllimet përmes një telegrami, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin. Ndërsa sot, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, pas lutjes së Engjëllit, i kujtoi përsëri të gjithë ata, që jetojnë në këto troje, duke thënë edhe një Falemëri, pas fjalëve:

“Lutem për të vdekurit, për të plagosurit e për të gjithë ata, që humbën shtëpitë e punën. Zoti i ngushëlloftë e i ndihmoftë edhe njerëzit, që po angazhohen të çojnë ndihma. Të lutemi së bashku për vëllezërit e Sulawesit, e edhe për viktimat e aksidentit ajor të së shtunës së kaluar, gjithnjë në Indonezi”.

Në Sulawesi, ndërkaq, skuadrat e  ndihmës vijojnë kërkimet për të shpëtuar ata, që janë ende nën gërmadha, ndërsa lëkundjet vijojnë e numri i të plagosurve ka arritur në 820 vetë, 200 prej të cilëve, shumë rëndë  e 15 mijë vetë, të detyruar t’i braktisin shtëpitë, për t’u strehuar në 15 qendra të ngritura nga autoritetet. Me dhjetra edhe të plagosurit, nxjerrë gjallë nga ndërtesat e shembura në Mamuju, qytet me 110 mijë banorë, në perëndim të provincës, ku u bënë rrafsh me tokë një spital dhe një qendër tregtare. Situata  vështirësohet edhe më shumë nga shirat, që shoqërojnë lëkundjet.

17 janar 2021, 13:49