Kërko

Vatican News
Audienca me pjesëmarrësit e Zyrës Katekistike të Konferencës Ipeshvnore Italiane. Audienca me pjesëmarrësit e Zyrës Katekistike të Konferencës Ipeshvnore Italiane.   (Vatican Media)

Papa: kush nuk e ndjek Koncilin, nuk është në Kishë

Një fjalim i fortë, me fjalë të shkruara e edhe të thëna lirisht, ai që mbajti sot Françesku me bashkëpunëtorët e Zyrës së Katekizimit Kombëtar italian, në 60-vjetorin e themelimit. Papa nënvizoi se duhet vepruar, duke rikujtuar se Koncili është magjisteri i Kishës e prandaj edhe duhet ndjekur. Prej këndej, edhe ftesa drejtuar Kishës italiane për të organizuar një Sinod kombëtar.

R. SH. - Vatikan

Rasti i audiencës së Papës Françesku me ata, që e mbështesin Zyrën katekistike të Konferencës ipeshkvnore italiane (Cei) ishte 60-vjetori i fillimit të veprimtarisë së organizmit për ta asistuar këtë Kishë në fushën e katekizmit, pas Koncilit II të Vatikanit. Një përvjetor jo vetëm për të rikujtuar, por edhe “për ta përtërirë frymën e kumtimit”, pohoi gjatë fjalimit Papa, që më pas u ndalua mbi tri detyra kryesore, me besim se do të ndihmojnë për vijimin e punës në vitet e ardhshme.

Në zemër të katekizmit duhet të jetë Jezusi

Pika e parë ishte katekizmi e kerygma. “Katekizmi është jehona e Fjalës së Zotit” - pohoi Papa - e përmes Shkrimit Shenjt, secili bën pjesë në të njëjtën histori shëlbimi. Prandaj duhet të favorizojë takimin personal me Krishtin. E nuk mund të bëhet pa marrëdhënie personale.

Kumtimi i dashurisë së Zotit, në dialekt

Papa u ndalua, më pas, tek disa karakteristika, që duhet të ketë kumtimi sot: duhet të dijë të vërë në plan të parë dashurinë e Zotit, para çdo detyrimi moral e fetar. Këtë kujtoi Papa, për të theksuar, më pas me forcë, se “feja duhet transmetuar në dialekt”, sepse kuptohet më mirë nga  njerëzit, të cilëve u drejtohet:

“Më prek shumë një nga fragmentet e Librit të Makabejve - pohoi - në të cilin kujtohet sesi nëna i trimëronte djemtë që po martirizoheshin, duke u folur atyre në dialekt. Kjo ka shumë rëndësi: feja e vërtetë duhet transmetuar në dialekt, në gjuhën që vjen nga zemra, me të cilën je lindur, që është familjare, më afër nga gjitha të tjerat. Nëse nuk transmetohet në dialekt, feja nuk transmetohet tërësisht e mirë”.

Koncili nuk duhet diskutuar

Pika e dytë, që vuri në dukje Papa, ishte katekizimi dhe ardhmëria. Duke u ndaluar tek 50-vjetori i dokumentit “Përtëritja e katekizmit”, pohoi  se duhen kujtuar fjalët e Palit VI, me të cilat e ftonte Kishën italiane ta shikonte me mirënjohje Koncilin që, thoshte: “do të jetë katekizmi i madh i kohëve të reja”, duke vërejtur edhe se detyra e vazhdueshme e katekizmit është “t’i kuptojë këto probleme, pa e harruar kurrë mësimin e Koncilit, që thoshte:

“E gjithnjë me veshë ngrehur, gjithnjë të gatshëm për risim”.

E më pas, reflektimi:

“Koncili është magjisteri i Kishës. E ti ose je me Kishën, e prandaj edhe e ndjek Koncilin, ose, nëse nuk e ndjek Koncilin dhe e shpjegon sipas mendjes sate, ti nuk je në Kishë. Në këtë drejtim duhet të jemi të rreptë. Me Koncilin nuk bëhet tregti”.

Papa foli edhe për përtëritjen e katekizmit si dhe për rigjetjen e kuptimit të bashkësisë, duke theksuar se katekizmi duhet vënë në qendër të vëmendjes së bashkësisë. E duhet të jetë i tillë, që të shoqërojë e të ledhatojë.

Katekizëm që shoqëron e ledhaton

Duke përsëritur çka pati thënë Kuvendi kishtar i Firences, Françesku  shprehu edhe një herë dëshirën e tij për një Kishë “gjithnjë pranë të braktisurve, të harruarve, të papërkryerve!". Kishë plot gëzim, “e cila kujdeset për ardhmërinë e bashkësive tona, që të jenë gjithnjë e më të rrënjosura në Ungjillin e Krishtit, më vëllazërore, e më të përfshira në jetën e Kishës.

Në përfundim kërkoi nga Kisha italiane organizimin e një Sinodi kombëtar, pesë vjet pas Kongresit të Firences.

30 janar 2021, 15:02