Kërko

Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Papa: të tregohet jeta e vërtetë; jo, informacionit të fotokopjuar

Në Mesazhin për Ditën e 55-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore me temë “Eja e shiko! Komuniko duke i takuar njerëzit ku e si janë”, Françesku tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga rreziku i një informimi, që është gjithnjë i njëjtë, duke i nxitur komunikuesit të shkojnë atje, “ku nuk shkon askush”, e të mos kënaqen me rrëfimin e pandemisë, parë vetëm me sytë e botës së pasur.

R. SH. - Vatikan

Thirrja për të “shkuar e për të shikuar” është “metodë e çdo komunikimi të vërtetë njerëzor”. E kjo, edhe zemra e mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 55-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, me temë: “Eja e shiko! Komuniko duke i takuar njerëzit ku e si janë”, që u bë i njohur sot, natën e përkujtimit të Shën Françeskut të Sales, Pajtor i gazetarëve.

“Eja e shiko”, kështu komunikohet feja e krishterë

Mesazhi për ditën nis me këtë ftesë, të cilën Filipi ia drejton Natanaelit: “Eja e shiko!”- siç e tregon fragmenti ungjillor i Gjonit, që frymëzoi temën e që nuk ka të bëjë me ofrimin e arsyetimeve, por “me njohjen e drejtpërdrejtë”. Prej më se dymijë vjetësh - nënvizon Papa - vijon një zinxhir i pakëputur takimesh, të cilat komunikojnë mahnitjen, që buron nga aventura e krishterë. Veç kësaj “në komunikim asgjë nuk mund ta zëvendësosjë takimin me njeriun”. Prej këndej Papa kujton ftesën për ta shikuar galaktikën komunikative të sotme, duke nisur nga gazetat e nga interneti, por pa harruar “predikimin e Kishës” si dhe “komunikimin politik e shoqëror”. Për Françeskun, “kriza  e botimeve krijon rrezikun të çojë në një informim të sajuar në redaksitë, para kompjuterit, pa e marrë më aspak mundimin t’i konsumosh shojet e këpucëve”

Papa  fton akoma për ta shlyer nga kujtesa pretendimin “këtë e di qëkur” e ndalohet gjatë tek kurthet - por edhe  tek mundësitë, që krijon interneti.

Kurthet dhe mundësitë e internetit

Rrjeti dhe mjetet shoqërore të komunikimit munden, pastaj, ta shumëfishojnë aftësinë e edhe shpejtësinë e përhapjes së lajmeve - për shembull për emergjencat në komunikimet e para, në shërbim të popullsive - duke qenë, kështu “një mjet i shkëlqyer”. Të gjithë pohon Papa - mund të bëhemi dëshmitarë të ngjarjeve që, përndryshe, do të liheshin pas dore  nga mediat tradicionale. E kështu mund të ndihmojmë për të rrëfyer më shumë histori, edhe pozitive.

Pastaj duke kujtuar se ekziston edhe komunikimi shoqëror “pa vërtetim”, theksoi se “këtu nuk duhet demonizuar mjeti, por duhet kërkuar më shumë aftësi e edhe përgjegjësi në përhapjen e lajmeve”.

Pandemia dhe llogaria e dyfishtë

Pandemia, e cila që nga fillimi i vitit 2020 e tronditi rëndë botën, ndjehet fort në këtë mesazh. Papa kujton rrezikun që e gjithë kjo histori të tregohet, si çdo krizë, “parë vetëm me sytë e botës më të pasur” e “të bëhet një llogari e dyfishtë”. Mendimi i Françeskut shkon tek vaksinat dhe mjekimet, duke theksuar rrezikun që të përjashtohen popullsitë më të ligshta. “E kush do të na e tregojë - pyet - ç’po ndodh në fshatrat më të varfra  të Azisë, të Amerikës Latine e të Afrikës?”. Ndërkaq krijohet një rrezik tjetër, që mund të përfshijë edhe botën e njerëzve më fatbardhë. Eshtë drama shoqërore e familjeve, që shkasin me shpejtësi  të papritur  në varfëri e që, në pjesën më të madhe, mbetet e fshehur”. Ndryshimet ekonomike krijojnë edhe rrezikun që vaksinat të shpërndahen duke i lënë të varfërit në fund e duke harruar se të gjithë kanë drejtë për mbrojtjen e shëndetit e të jetës së tyre”.

Falënderim gazetarëve, që tregojnë luftërat e harruara

Nga zemra e Papës buron edhe falënderimi për guximin e shumë punonjësve të komunikimit. Është meritë e gazetarëve, kinooperatorëve, montatorëve, që shpesh rrezikojnë kokën gjatë punës së tyre, nëse sot - kujton - njohim, për shembull, kushtet e vështira, në të cilat jetojnë pakicat e persekutuara në vise të ndryshme të botës; nëse u denoncuan shumë nëpërkëmbje e padrejtësi kundër të varfërve në të katër anët e nëse shumë luftëra të harruara, u treguan me hollësi, prej këtyre komunikuesve guximtarë, që shkuan e shikuan! Që komunikuan duke i takuar njerëzit ku e si janë”. Që nuk iu tremb syri nga rreziqet!

Bota do të varfërohej shumë - thekson në përfundim të mesazhit Papa - në se do t’i mungonin këto zëra!

23 janar 2021, 13:53