Papa Françesku për Rota Romana: kujdesuni për fëmijët e çifteve të divorcuara

Në fjalimin e tij për fillimin e vitit gjyqësor të Rota Romana, Papa Françesku u kërkoi gjykatësve të vlerësojnë me kujdes pasojat edhe “katastrofike” të vendimeve, që ndikojnë në të mirën e fëmijëve të përfshirë në ndarjen e prindërve të tyre

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në Sallën Klementine në Vatikan, gjykatësit dhe bashkëpunëtorët e Gjykatës kishtare Rota Romana. Kjo gjykatë e veçantë e Kishës merret me problemet e martesës, sidomos me çështjen e verifikimit të pavlefshmërisë së saj, që çon në anulimin e lidhjes martesore ndërmjet bashkëshortëve.

Kujdes, fëmijët

 Papa trajtoi veçanërisht çështjen e familjeve me fëmijë, që kërkojnë pavlefshmërinë e martesës. Sidomos të atyre, që martohen sërish, pas deklaratës së pavlefshmërisë, e cila, jo gjithnjë pranohet nga të dyja palët. Pyetja e Atit të Shenjtë ishte: ç’ndodh me fëmijët e me palën, që nuk e pranon deklaratën?

“Bashkimi i ri sakramentor, që pason deklaratën e pavlefshmërisë, - nënvizoi Papa Françesku - sigurisht do të jetë burim paqeje për bashkëshortin, që e kërkoi. Por, si t’u shpjegojmë fëmijëve se - për shembull - nëna e tyre, e braktisur nga babai e, shpesh, pa ndjetin për një lidhje tjetër martesore, merr bashkë me ta kungimin, në meshën e së dielës, ndërsa i ati, që bashkëjeton, ose pret shpalljen e pavlefshmërisë së martesës, nuk mund të marrë pjesë në tryezën eukaristike?”

Shërbimi i Rota Romana është baritor

Papa Françesku përmendi Sinodet e Ipeshkvijve të viteve 2014 e 2015, që u morën me këtë çështje e, sidomos, Nxitjen Apostolike “Amoris laetitia”, që jep këshilla për të mos i lënë vetëm fëmijët, të cilët e vuajnë më shumë ndarjen ndërmjet prindërve. Më 19 mars, do të fillojë “Viti i Familjes Amoris laetitia” e Ati i Shenjtë u kërkoi anëtarëve të Rota Romana të japin kontributin e tyre të çmuar në këtë udhë kishtare të familjeve për familjet. Së pari, u kujtoi se kësaj gjykate, ashtu si gjykatave të tjera të Kishës, i kërkohet që procedurat për njohjen e pavlefshmërisë së martesës të jenë në dispozicion të të gjithëve e mundësisht, falas. E pastaj, ta kenë mirë parasysh gjendjen familjare, para se të shqiptojnë vendimin:

“Kisha është nënë dhe ju, që kryeni shërbimin kishtar në një sektor kaq jetik, siç është veprimtaria gjyqësore, jeni të thirrur t’ia hapni mendjen horizonteve të kësaj baritorie të vështirë, por jo të pamundur, që ka të bëjë me shqetësimin për fëmijët, si viktima të pafajshme të shumë ndarjeve, divorceve, ose bashkimeve të reja civile. Duhet ta ushtroni misionin tuaj të gjykatësit si shërbim me peshë baritore, që nuk mund të mungojë kurrë në vendimin delikat për shpalljen e pavlefshmërisë së lidhjes bashkëshortore”.

Ndjeshmëri ungjillore në punë

Vendimet e gjykatësit kishtar, theksoi Papa, nuk mund të mos marrin parasysh dritëhijet në jetën e bashkëshortëve dhe të fëmijëve të tyre, duke kujtuar se kjo bashkësi njerëzish identifikohet me familjen, pavarësisht nga plagët e saj. E mira e fëmijëve duhet të jetë në plan të parë e, sidomos, duhet pasur kujdes për vështirësitë e tyre kur humbasin unitetin familjar të mëparshëm, në rastet e martesës së re të njërit prej prindërve.

Mesazhi i Papës përfundon me thirrjen që ipeshkvijtë dhe bashkëpunëtorët e tyre të kujdesen në mënyrë të veçantë e me ndjeshmëri ungjillore për ata bashkëshortë, që nuk kanë dashur të ndahen, por pas divorcit e pas deklaratës së pavlefshmërisë së martesës, - edhe kur ajo është e drejtë - ndihen vetëm, së bashku me fëmijët e tyre.

29 janar 2021, 14:01