Kopertina e librit "Unë jam Joy" e Mariapia Bonanate (San Paolo) Kopertina e librit "Unë jam Joy" e Mariapia Bonanate (San Paolo)

Papa Françesku dhe historia e Joy: feja, që të shpëton nga dëshpërimi

Në parathënien e librit të Mariapia Bonanate “Unë jam Joy” (San Paolo), Papa Françesku përshkon dëshminë e jashtëzakonshme të një vajze nigeriane, e cila arrin në Itali pas një udhëtimi dramatik, me iluzionin e punësimit, për të përfunduar në rrugë. Vajza shpëton falë besimit të saj në Zotin dhe pas takimit me një bashkësi mikpritëse në Caserta të Italisë. Vëllimi do të dalë në librari më 27 janar

Papa Françesku

Pranova me kënaqësi ftesën për të shkruar këtë parathënie të shkurtër, me synimin për t’u dorëzuar lexuesve dëshminë e Joy-t si “pasuri të njerëzimit”. Joy është një vajzë, e cila përjetoi një lindje të dytë në Itali. Atdheu i saj është Nigeria, një cep i planetit, ku pa për herë të parë dritën e diellit dhe ku filloi rrugëtimin jeta e saj.

 Me këtë libër, Joy ia dhuron historinë e saj personale çdo gruaje dhe çdo burri, që kultivon pasionin e vërtetë për mbrojtjen e jetës. Ajo na propozon përvojën dramatike të udhëtimit të saj, me thjeshtësinë e dëshmitarëve që, duke treguar për veten, i japin zë Zotit: vërtet, në çdo detaj të historisë së saj, Zoti i qëndron pranë, si protagonist i fshehur, i heshtur, por jo i padukshëm në ngjarjet e rrëfyera.

Kapërcimi i shkretëtirës, ​​muajt e kaluar në kampet libiane të paraburgimit, udhëtimi në det, gjatë të cilit shpëtoi nga mbytja, janë kapituj të një rrëfimi, që është njëkohësisht, autobiografik dhe koral. Ndërsa marrim pjesë në historinë e saj, na duken para syve Loweth, Glory, Esoghe, Sophia, Mary, shoqe me histori të ngjashme me të e me mijëra vajza nigeriane.

 Historia e Joy-t është e përbashkët me atë të shumë të tjerëve që, si ajo, kapen në kurthin e një zinxhiri skëterre dhe goditen nga tragjedia e trafikimit, që nuk shihet. Një histori sa e panjohur, aq edhe e gjithëpranishme në shoqëritë tona të globalizuara. Nëse shohim më mirë, “udha e saj e kryqit” përvijohet si mozaik realitetesh të përjetuara nga shumë vëllezër dhe motra më të ligshtë, që bëhen “transparentë” për sytë e të tjerëve.

 Vetëm pas mbërritjes së saj në Itali, Joy zbuloi se e kishin mashtruar dhe kishte rënë në duart e trafikantëve të njerëzve. Këto rrugë çnjerëzimi kanë një konstante në “gjenezën” e tyre, në mënyrën me të cilën fillojnë: detyrimin për t’u larguar nga atdheu, për të shkuar e për të populluar periferitë e qyteteve të mëdha. Krejtësisht anonimë, këta “të padukshëm” humbasin gradualisht ato pika referimi të identitetit, që i lidhin me kulturën e tyre.

Kështu ndodh edhe sot, me shumë familje. Trafikantët janë individë të paskrupullt, që përfitojnë nga fatkeqësitë e të tjerëve, përfitojnë nga dëshpërimi i njerëzve, për t’i nënshtruar ndaj pushtetit të tyre. Madje, arrijnë ta planifikojnë edhe tradhtinë, që është bërë “metodë”: viktimave nuk u jepen informacione të qarta deri në çastin kur abuzimi dhe dhuna e rrugës mbizotërojnë dhe ua vrasin ëndrrat.

Kështu ndodhi me Joy-n dhe shoqet e saj.

Në këtë pikë nuk mund të mos i drejtoj lexuesit një pyetje: duke parë se ka shumë vajza, viktima të trafikimit, që përfundojnë në rrugët e qyteteve tona, sa buron ky realitet i dënueshëm nga fakti që shumë burra, këtu, i kërkojnë këto “shërbime” dhe janë të gatshëm ta blejnë personin, duke ia asgjësuar dinjitetin e patjetërsueshëm?

Duke lexuar këto kujtime, zbulojmë, faqe pas faqesh, sa na gozhdon dëshmia e Joy-t para paragjykimeve dhe përgjegjësive, që na bëjnë bashkëprotagonistë në këto ngjarje. Do të na bëjë mirë ta mendojmë veten pranë Joy-t dhe të ndalemi me të në “vendet” e saj të dhimbjes së pafuqishme e të pafajshme. Pasi të ndalemi atje, nuk do të jetë më e mundur të qëndrojmë indiferentë kur dëgjojmë për barkat në det, të injoruara e madje, të refuzuara nga brigjet tona. Joy ishte në njërën prej tyre.

Në rrugën e saj drejt lirisë, Joy na dëshmon për dy realitete thelbësore: së pari, për besimin në Zot, që shpëton nga dëshpërimi. Fe e vendosur, e sprovuar në çastet më të vështira. Së dyti, na flet për bashkësinë. Joy rilindi në çastin e mikpritjes nga bashkësia “Casa Rut” në Caserta. Një shtëpi mikpritjeje mund të mburret me emrin e bukur të “bashkësisë” vetëm kur është e aftë të mirëpresë, të mbrojë, të integrojë dhe të promovojë çdo jetë në gjirin e saj. Ky libër është histori feje, këngë shprese dhe falënderimi për ata, që dhurojnë jetën, duke zbatuar këto katër folje me shije ungjillore.

Joy na ndihmon të gjithëve t’i hapim sytë, “t’i njohim ngjarjet për t’i kuptuar më mirë”. Shpesh, janë viktimat e abuzimeve më të neveritshme ato, që bëhen burim i pashtershëm i përkrahjes dhe i mbështetjes për viktimat e reja. Kujtimet e tyre janë informacione me rëndësi themelore për të shpëtuar të rinj e të reja të tjera, në të njëjtat kushte.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë njerëzit dhe organizatat që, edhe duke rrezikuar jetën, ndihmojnë viktimat e skllavërive të sotme. Me përkushtimin e tyre të palodhur, ata u kthejnë vlerën atyre, që janë privuar nga dinjiteti personal; rikthejnë besimin dhe shpresën në jetën e atyre, që janë mashtruar dhe kanë provuar diktatin e terrorit nga njerëz që, pasi paraqiteshin si shpëtimtarë, zbulohej se ishin xhelatë. T’i nxjerrësh në dritën e diellit ata njerëz, që detyrohen të jetojnë në errësirën plot blozë të indiferencës shoqërore, është vepër mëshire nga e cila nuk mund të heqim dorë.

Së fundi, dua të të drejtohem ty, Joy.

“Emri yt është Joy” (gëzim), ke qenë gëzimi i nënës tënde që në bark e, kështu, more prej saj këtë emër të bukur, që është edhe një nga emrat e Zotit. Ti je Joy, e ngjashme me shumë gra, historinë e të cilave e tregojmë sot, por, sidomos, ti “je Joy”: unike, e dëshiruar dhe tejet e dashur. Të falënderoj që na dhe mundësinë të bashkohemi me këtë histori guximi absolut, e cila na bën t’i kuptojmë më mirë ata, që vuajnë nga trafikimi.

E dashur Joy, siç shkruan ti në këto faqe: “vetëm dashuria, që ushqen paqen, dialogun, mikpritjen dhe respektin e ndërsjellë, mund ta garantojë mbijetesën e planetit tonë”. Prandaj, të këshilloj: “Guxim, studio dhe mos ki frikë”. “Të lumtë, vazhdo kështu!”

Solemniteti i Zojës së Madhe

Shën Gjoni në Lateran, 15 gusht 2020

21 janar 2021, 11:44