Papa, Celami-t: asambleja kishtare është simbol i Kishës së popullit
R. SH. - Vatikan
“I dashur Miguel… dëshiroj të jem me ju në këtë çast, e edhe në përgatitje, deri në nëntor”. Kështu, me ton bisede vëllazërore, Papa Françesku i drejtohet, në krye të videomesazhit, imzot Miguel Cabrejos Vidarte, kryeipeshkëv i Trujillo-s, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Peruviane dhe i Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine (Celam).
Përshëndetja drejtohet sot, me rastin e paraqitjes, në mënyrë virtuale, të Asambelsë kishtare të Amerikës Latine e Karaibeve, që do të mbahet në Meksiko, nga 21 deri më 28 nëntor, pas shtyrjes për shkak të pandemisë. Kjo ngjarje e rëndësishme kishtare me temë “Jemi të gjithë dishepuj misionarë në dalje”, do të përkujtojë, pas 14 vjetësh, Konferencën e përgjithshme të episkopatit latinoamerikan të Aparesidës e do të ketë si objektiv, siç shpjegon një notë e Celam “të kundrojë realitetin e popujve tanë, të thellohet në sfidat e kontinentit, të rindezë angazhimin baritor e të kërkojë udhë të reja në këndvështrimin sinodal”.
Mbledhje e popullit të Zotit, në kërkim të vullnetit të Tij
Në videomesazh Papa nënvizon vlerësimin që i duhet dhënë asamblesë së ardhshme, e cila nuk duhet kuptuar si “Konferencë e episkopatit latinoamerikan, ashtu si të mëparshmet - e fundmja në Aparesidë - nga të cilat, gjithsesi, kemi akoma shumë për të mësuar”, por “si takim i popullit të Zotit” për udhë me laikët e laiket, rregulltarët e rregulltaret, priftërinjtë e ipeshkvijtë”, që luten së bashku, mendojnë, diskutojnë e kërkojnë, gjithnjë së bashku, vullnetin e Zotit.
Jashtë popullit, lindin elitat
Duke shprehur afërsinë e tij, Papa i kujton imzot Vidartes dhe gjithë Celami-t dy kritere, të cilat duhet ta shoqërojnë “këtë kohë, që hap horizonte të reja shprese”. I pari përmblidhet në shprehjen “së bashku me popullin”, dhe i kundërvihet konceptit të Kishës elitare sepse - kujton Françesku - “Asambleja kishtare është shenjë e një Kishe pa përjashtime”:
“E kjo, që Asambleja kishtare të mos jetë elitë e ndarë nga populli besnik i Zotit. Së bashku me popullin: mos e harroni, jemi të gjithë pjesë e popullit të Zotit, pjesë e tij, e ky popull i Zotit që, me dijen e tij intuitive është i pagabueshëm “në besim”, siç na kujton Koncili, është ai që jep përkatësi. Jashtë popullit të Zotit lindin elitat, që ndjekin një ideologji a një tjetër, e kjo nuk është Kisha! Kisha dhurohet në thyerjen e bukës, Kisha u dhurohet të gjithëve, pa asnjë përjashtim”.
Lutja për praninë e Zotit
Kriter tjetër, që i kujton Françesku Kishës së Amerikës Latine, në përgatitje për këtë ngjarje kaq të rëndësishme, është lutja: Zoti - shkruan Papa - është mes nesh. Uroj që të dëgjohet zëri i Zotit e të jetë me ne”.
Në përfundim, Françesku shpreh përsëri afërsinë, lutet e uron që takimi i madh të vijojë me guxim.