Ipeshkvi Moses Chikwe  në  Kryedioqezën e Owerri Ipeshkvi Moses Chikwe në Kryedioqezën e Owerri  

Nigeri: lirohet ipeshkvi i rrëmbyer. Imzot Obinna: “Faleminderit Papës e policisë”.

Imzot Moses Chikwe, ndihmës i Owerri, sekuestruar më 27 dhjetor, së bashku me shoferin e tij, u lirua mbrëmë në orën 22.00 nga rrëmbyesit. Kryeipeshkvi Antony Obinna, falënderon, përmes një komunikate, forcat e policisë e, sidomos, Papën Françesku i cili dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, bëri thirrje për lirimin e tij.

R. SH. - Vatikan

U liruan dje, rreth orës 22.00, në Nigeri, ndihmësi i Owerri, Imzot Moses Chikwe, së bashku me shoferin e tij. Ishin rrëmbyer e keqtrajtuar natën e 27 dhjetorit pranë banesës së prelatit, ndërsa ktheheshin në famulli nga një kremtim.

Thirrja e Papës: të gjinden rrugëzgjidhje për paqen në Jemen

Kryeipeshkvi Obinna, pasi pohon se imzot Chikwe është shëndosh, ndonëse i ligështuar pa masë nga rrëmbimi, falënderon Zotin për lirimin e dy të rrëmbyerve. Ngjarja na kujton menjëherë thirrjen e djeshme të Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 1 janarit. Dje, pasi shprehu shqetësimin e tij për thellimin e dhunës në Jemen, me viktima të shumta të pafajshme, Ati i Shenjtë u lut të gjenden rrugëzgjidhje, që krijojnë kushte për t’ua rikthyer paqen këtyre popullsive të martirizuara. I ftoi besimtarët të mendojnë për fëmijët e Jemenit… pa shkollë, pa mjekime, të  uritur. E të luten së bashku për Jemenin.

Më pas kërkoi lutje edhe për Kryedioqezën e Owerit, në Nigeri e si dhe për kryeipeshkvin, Moses Chikwe e shoferin e tij:

“T’i lutemi Zotit që ai e të gjitha viktimat e akteve të tilla në Nigeri, të lirohen, e ky vend i dashur të rigjejë sigurinë, harmoninë e paqen”.

Kryeipeshkvi i Overrit, në komunikatën e rastit, falënderon Papën Françesku për thirrjen dhe të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e laikët, që u lutën për përfundimin e këtij rrëmbimi. Falënderon edhe nuncin apostolik në Nigeri, kryeipeshkvin Antonio G. Filipazzi, duke kujtuar se “mbeti i lidhur me të e me autoritetet vatikanase, gjatë gjithë kësaj ngjarjeje të dhimbshme”.

Nigeria, vend rrëmbimesh

Duhet kujtuar se vetëm një javë para këtij rrëmbimi, me përfundim fatlum, në Ilmo u rrëmbye një rregulltar tjetër katolik, atë Valentine Oluchukwu Ezeagu. Meshtari u kap më 15 dhjetor nga njerëz të armatosur, ndërsa po shkonte në funeralin e të atit. U lirua më 16 dhjetor. Më 30 dhjetor gratë e Chtristian Women Organization (Cwo), organizuan një marshim proteste për të kërkuar lirimin e ipeshkvit dhe shoferit të tij.

02 janar 2021, 12:26