Papa Françesku Papa Françesku 

Mesazhi i Papës Françesku, 1 janar 2021: Kultura e kujdesit, si udhë e paqes

“Kultura e kujdesit, si udhë e paqes”- kjo, tema e Mesazhit tradicional të Papës Françesku për Ditën e parë të Vitit të Ri 2021. Përfshihet në të viti që shkoi, i ngarkuar me shqetësime të të gjitha natyrave, me lodhje e flijime të mëdha e, sidomos, me barrën e rëndë të Covid-19. Në këtë kohë, kur barka e njerëzimit, e tundur dhe e shkundur nga stuhia e krizës, vijon të lundrojë mundimshëm në kërkim të një horizonti më të qetë e më paqësor, Papa thekson se timoni i dinjitetit të njeriut është “busulla” e parimeve shoqërore themelore, që mund të krijojnë kushtet për të lundruar në një drejtim të sigurt e të përbashkët.

R. SH. - Vatikan

1. Në prag të vitit të ri, dëshiroj t’u drejtoj përshëndetjet e mia plot respekt Krerëve të Shteteve e të Qeverive, krerëve të Organizatave ndërkombëtare, liderëve shpirtërorë dhe besimtarëve të feve të ndryshme, burrave e grave  vullnetmira. Të gjithëve, urimet e mia më të përzermërta që sivjet  njerëzimi të përparojë në udhën e vëllazërimit, të drejtësisë e të paqes ndërmjet njerëzve, bashkësive, popujve e shteteve.

2020-ta u trondit nga kriza e madhe shëndetësore e Covid-19, që u shndërrua në fenomen multistrukturor e global, duke rënduar krizat e ndërlidhura, si ajo klimatike, ushqimore, ekonomike e migratore. E duke shkaktuar  vuajtje e fatkeqësi të rënda. Mendoj posaçërisht për ata që humbën  ndonjë familjar a një njeri të dashur, por edhe për ata, që mbetën pa punë. Veçanërisht kujtoj mjekët, infermierët, farmacistët, shkencëtarët, vullnetarët, kapelanët e personelin e spitaleve e të qendrave shëndetësore, që bënë e bëjnë çmos, me lodhje e flijime të mëdha, të jenë gjithnjë pranë të sëmurëve, për t’ua lehtësuar vuajtjet e për t’ua shpëtuar jetën. Duke i përgëzuar këta njerëz, përsëris thirrjen drejtuar liderëve politikë e sektorit privat, që të marrin masat e duhura për të garantuar vaksinat kundër Covid-19 dhe teknologjitë themelore të nevojshme për të asistuar të sëmurët dhe të gjithë ata, që janë më të varfër e më të ligshtë.1

Të dhemb, kur vëren se, njëheresh me dëshmitë e bamirësisë e të solidaritetit, marrin hov edhe disa forma të nacionalizmit, të racizmit, të ksenofobisë e edhe të luftërave e konflikteve, që mbjellin vdekje e shkatërrim.

Këto ngjarje, e të tjera, që u dukën në udhën e njerëzimit gjatë vitit të kaluar, na mësojnë sa rëndësi ka kujdesi i njërit për tjetrin e për krijimin, që të mund të ndërtohet një shoqëri e themeluar mbi marrëdhëniet e vëllazërimit. Prandaj zgjodha si temë për këtë mesazh: “Kultura e kujdesit si udhë e paqes”. Kultura e kujdesit, për të zhdukur kulturën e indiferencës, të hedhurinës e të ndeshjes, sot shpesh mbizotëruese.  

2. Zoti Krijues, zanafillë e thirrjes së njeriut për kujdes

         Në shumë tradita fetare ka rrëfime, që bëjnë fjalë për origjinën e njeriut, lidhjen e tij me Krijuesin, me natyrën e me ata që i ngjasin. Në Bibël, Libri i Zanafillës e thekson që në krye rëndësinë që ka kujdesi a ruajtja, në planin e Zotit për njerëzimin, duke sqaruar kështu marrëdhënien e njeriut (‘adam) me tokën (‘adamah) si dhe atë ndërmjet vëllezërve. Në rrëfimin biblik kushtuar krijimit, Zoti ia beson kopshtin “e mbjellë në Eden” (krh. Zan 2,8), duarve të Adamit, duke i ngarkuar detyrën ta “kultivojë e ta ruajë” (krh, Zan 2,15). Kjo, nga njëra anë, do të thotë ta bësh tokën prodhuese e, nga tjetra, ta mbrosh e ta bësh të ruajë aftësinë e saj për ta mbajtur gjallë jetën...2 Foljet “të kultivosh” e “të ruash”, të kujtojnë  marrëdhëniet  e Adamit me shtëpinë-kopsht e edhe besimin që ka Zoti në të, duke e bërë  zotëri e rojtar të mbarë krijimit.

Lindja e Kainit dhe e Abelit krijon një histori vëllezërish, marrëdhënia ndërmjet të cilëve do interpretohej - negativisht - nga Kaini si kujdestari a ruajtje. Pasi e pati vrarë të vëllain, Abelin, Kaini i përgjigjet pyetjes së Zotit: “Jam, thua, rojtari i tim vëllai?” (Zan 4,9) 3. Po, sigurisht! Kaini është “rojtar” i të vëllait! “Në këto rrëfime kaq të lashta, të pasura me simbolizëm të thellë, gjejmë edhe një bindje, që dëgjohet shumë sot: bindja se çdo gjë është në lidhje me tjetrën e se ruajtja e vërtetë e vetë jetës sonë dhe e marrëdhënieve tona me natyrën, është e pandashme nga vëllazërimi, nga drejtësia e nga besnikëria në lidhje me të tjerët”. 4

3. Zoti Krijues, model i kujdesit

Shkrimi Shenjt na e paraqet Zotin, përveçse krijues, edhe si Ai që ka kujdes për krijesat e veta, posaçërisht për Adamin, Evën e bijtë e tyre. Vetë Kaini, ndonëse mbi të bie mallkimi për shkak të krimit që kreu, merr si dhuratë nga Krijuesi një shenjë mbrojtjeje, që jeta e tij të ruhet (krh Zan 4,15). Ky fakt, ndërsa pohon dinjitetin e paprekshëm të njeriut, të krijuar sipas  shëmbëlltyrës dhe në ngjasim me Zotin, tregon edhe planin hyjnor për mbrojtjen e harmonisë së krijimit, sepse “paqja e dhuna nuk mund të jetojnë nën të njëjtën strehë”. 5

Pikërisht kujdesi për krijimin është në bazë të institucionit të Shabbat që, përveçse rregullonte kultin hyjnor, synonte edhe të rivendoste rendin  shoqëror dhe vëmendjen për të varfërit (Zan 1,1-3; Lv 25,4). Kremtimi i Jubileut, me rastin e vitit të shtatë sabatik, i linte të pushonin tokën, skllevërit e njerëzit e mbytur në borxhe. Ky vit hiri ishte edhe vit kujdesi për më të ligshtit, të cilëve u krijohej një perspektivë e re jete, në mënyrë që në gjirin e popullit të mos kishte asnjë nevojtar (krh Lp. 15, 4).

Për t’u shënuar edhe tradita profetike, në të cilën kulmi i kuptimit  biblik të drejtësisë lidhet ngushtë me mënyrën si i trajton bashkësia njerëzit më të ligshtë. Prandaj Amos(2,6-8;8) e Isaia (58) në mënyrë të posaçme, ngrenë vazhdimisht zërin në favor të drejtësisë për të varfërit të cilët, për shkak se janë të ligshtë e të papushtetshëm, i dëgjon vetëm Zoti, që edhe kujdeset për ta (krh Ps. 34,7;113,7-8).

4 Kujdesi në shërbesën e Jezusit

Jeta dhe shërbesa e Jezusit mishërojnë kulmin e zbulesës të dashurisë së Atit për njerëzimin (Gjn 3,16). Në sinagogën e Nazaretit Jezusi shfaqet si Ai që Zoti e shuguroi dhe e dërgoi t’u sjellë të varfërve lajmin e gëzuar, t’u shpallë të burgosurve çlirimin, t’u kthejë të verbërve dritën e syve; t’i çlirojë të shtypurit”(Lk 4,18). Këto veprime mesianike, tipike për jubilejtë,  janë dëshmia më e qartë e misionit që ia besoi Ati. Jezusi u afrohet gjithë mëshirë të sëmurëve në korp e në shpirt e i shëron; i fal mëkatarët e u dhuron një jetë të re! Jezusi është bariu i mirë, që kujdeset për delet (krh Gjn 10,11-18;Ez 34,1-31); është Samaritani i Mirë, që ka mëshirë për njeriun e plagosur, ia mjekon plagët e kujdeset për të (krh Lk 10,30-37).

Në kulmin e misionit të tij, Jezusi e vulos kujdesin për ne duke u dhuruar mbi kryq e duke na çliruar nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Kështu, me dhurimin e jetës e me flijimin e tij, Ai hap rrugën e dashurisë e i thotë secilit prej nesh: “Ndiqmë! Bëj edhe ti kështu” (krh Lk 10,37).

5. Kultura e kujdesit në jetën e ndjekësve të Krishtit

Veprat e mëshirës shpirtërore e trupore janë thelbi i shërbimit të bamirësisë në Kishën e të krishterëve të parë. Të krishterët e breznive të para praktikonin ndarjen e përbashkët, që asnjëri prej tyre të mos ishte nevojtar (krh Vap 4,34-35) e përpiqeshin ta bënin bashkësinë shtëpi mikpritëse, me porta të hapura për çdo njeri, gati për t’i marrë në ngarkim më të ligshtit. Qe gjë e zakonshme të bëheshin dhurime vullnetare për t’i ushqyer të varfërit, për t’i varrosur të vdekurit e për t’i shujtuar jetimët, pleqtë e viktimat e  fatkeqësive. E kur, në periudhat e mëpasme, bujaria e të krishterëve e ngadalësoi pakëz hovin, disa Etër të Kishës vijonin të ngulmonin  se  Zoti e krijoi pronën për të mirën e përbashkët. Ambrozi  theksonte se “natyra i shpërndan të gjitha gjërat për përdorim të zakonshëm nga ana e njerëzve” […]. Veç kësaj natyra krijoi një të drejtë të përbashkët për të gjithë, “por lakmia e bëri të drejtë për pakicën”6. Si kaluan persekutimet  e shekujve të parë, Kisha përfitoi nga liria për ta frymëzuar shoqërinë me kulturën e saj. “Mjerimi i kohëve ngjalli forca të reja në shërbim të charitas christiana. Historia flet për shumë vepra bamirësie […]. U ngritën një mori institutesh për ta ndihmuar njerëzimin e vuajtur: spitale, strehë vorfnore, jetimore, shtëpi fëmije, etj. etj.”7

6. Parimet e doktrinës shoqërore të Kishës, si bazë për kulturën e kujdesit

Diakonia në origjinë, e pasuruar nga reflektimet e Etërve dhe e gjallëruar, përmes shekujve, nga  bamirësia e shumë dëshmitarëve të fesë, u bë zemër   e doktrinës shoqërore të Kishës, duke u ofruar si pasuri, që u përket të gjithë njerëzve vullnetmirë, si trashëgimi e çmuar parimesh, kriteresh e udhëzimesh, nga e cila mund të mësohet “gramatika” e kujdesit; promovimi i dinjitetit të çdo njeriu, solidariteti me të varfërit e të pambrojturit, kujdesi për pasurinë e përbashkët, mbrojtja e krijimit.

* Kujdesi si promovim i dinjitetit dhe i të drejtave të njeriut

“Koncepti i njeriut, që lind e fiton pjekurinë në krishterim, ndihmon për vijimin e zhvillimit plotësisht njerëzor. Sepse personi kujton gjithnjë marrëdhënien, jo individualizmin, pohon përfshirjen, jo përjashtimin, dinjitetin unik të paprekshëm, e jo shfrytëzimin”. 8. Çdo njeri është qëllim në vetvete, kurrë mjet, që vlerësohet vetëm për t’u shfrytëzuar, e është i krijuar të jetojë së bashku në familje, në bashkësi, në shoqëri, ku të gjithë anëtarët kanë të njëjtin dinjitet. E nga ky dinjitet rrjedhin të drejtat njerëzore, ashtu si edhe detyrat, që na kujtojnë përgjegjësinë për t’i mirëpritur e për t’i ndihmuar të varfërit, të sëmurët, të braktisurit, çdo “familjar tonin, çdo të afërm a të largët, në kohë e hapësirë” .9

* Kujdesi për të mirën e përbashkët

Çdo aspekt i jetës shoqërore, politike dhe ekonomike përsoset, kur  vihet në shërbim të së mirës së përbashkët, apo  të “tërësisë së këtyre kushteve të jetës shoqërore, që i krijojnë si kolektivitetit, ashtu edhe anëtarëve të tij të veçantë, mundësinë të arrijnë përsosurinë e tyre më të plotë e më të shpejtë”.10 Ndërkaq, planet dhe përpjekjet tona duhet t’i llogarisin mirë edhe efektet mbi të gjithë familjen njerëzore, duke pasur parasysh pasojat për sot e për breznitë e ardhshme. Sesa e vërtetë e aktuale është kjo, na e tregoi pandemia e Covid-19, përballë së cilës “u kujtuam se jemi në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë e të çorientuar, por njëkohësisht, të rëndësishëm edhe të nevojshëm, të gjithë të ftuar për të luajtur remat së bashku” 11 sepse “askush nuk mund të shpëtojë i vetëm” 12  e asnjë shtet kombëtar i izoluar nuk mund ta sigurojë të mirën e përbashkët për popullsinë e vet. 13

Solidariteti e shpreh konkretisht dashurinë për të afërmin, jo si ndjenjë e vagëlluar, por si “vendosmëri” për t’u angazhuar në shërbim të së mirës së përbashkët, a për të mirën e të gjithëve e të secilit, sepse të gjithë jemi përgjegjës të të gjithëve”14 Solidariteti na ndihmon ta shikojmë tjetrin – qoftë si person, ashtu edhe si popull a si komb - jo si një e dhënë statistikore, a si mjet për t’u shfrytëzuar e pastaj për t’u hedhur, kur nuk do të jetë më i dobishëm, por si të afërmin tonë, si shok udhe, të thirrur për të marrë pjesë, njëlloj si ne, në sofrën e jetës, ku të gjithë janë njëlloj të ftuar nga Zoti.

*Kujdesi  dhe mbrojtja e krijimit

Enciklika Laudato si’ e ka plotësisht të qartë ndërlidhjen e gjithë realitetit të krijuar e vë në dukje kërkesën për të dëgjuar njëkohësisht edhe britmën e nevojtarëve e atë të krijimit. Nga ky dëgjim i vëmendshëm e i vazhdueshëm, mund të lindë kujdesi i frytshëm për  tokën, shtëpinë tonë të përbashkët e për të varfërit. Lidhur me këtë, dëshiroj të pohoj  se “nuk mund të ketë ndjenjë të vërtetë të bashkimit intim me qeniet e tjera të natyrës, nëse njëkohësisht në zemër nuk ka dashuri, mëshirë e shqetësim për njeriun”.15 “Paqe, drejtësi e mbrojtje e krijimit janë tri çështje të lidhura ngushtë, që nuk mund të ndahen, në mënyrë që të trajtohen veçmas, pa rënë rishtas në riduksionizëm”16

7. Busulla për një drejtim të përbashkët

Në një kohë që sundohet nga kultura e hedhurinës, përballë thellimit të pabarazive brenda Kombeve e ndërmjet tyre, 17 dëshiroj t’i ftoj krerët e Organizatave ndërkombëtare dhe të Qeverive, të botës ekonomike e të asaj shkencore, të komunikimit shoqëror e të institucioneve edukative, ta marrin në dorë këtë “busull” të parimeve që i kujtuam më sipër, për  një kurs të përbashkët të procesit të globalizmit, “një drejtim vëretet njerëzor”. 18 Kjo do të do të krijonte mundësinë për ta çmuar vlerën dhe dinjitetin e çdo njeriu, për të vepruar së bashku e në solidaritet për të mirën e përbashkët, duke i ndihmuar ata që vuajnë nga varfëria, sëmundja,  skllavëria, diskrimimini e konfliktet. Me këtë busull, i inkurajoj  të gjithë  të bëhen profetë, dëshmitarë të kulturës së kujdesit, për t’i sheshuar një mori pabarazish shoqërore. E kjo do të jetë e mundur vetëm me  protagonizmin e grave, në familje e në çdo ambient shoqëror, politik e institucional.

Busulla e parimeve shoqërore, e nevojshme për të nxitur zhvillimin e kulturës së kujdesit, është treguese edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kombeve, që do të duhej të frymëzoheshin nga vëllazërimi, respekti reciprok, solidariteti dhe zbatimi i së drejtës ndërkombëtare. Lidhur me këtë, duhet ritheksuar mbrojtja dhe promovimi i të drejtave themelore të njeriut, të cilat janë të patjetërsueshme, universale, të pandashme. 19  

Duhet kujtuar edhe respektimi i së drejtës humanitare, posaçërisht në atë fazë, në të cilën konfliktet dhe luftërat vijojnë pa ndërpreje. Për fat të keq shumë rajone dhe bashkësi kanë arritur deri në atë pikë, sa t’i harrojnë kohët kur patën jetuar në paqe e siguri. Të panumërta, qytetet, që janë bërë epiqendra të pasigurisë: banorët e tyre luftojnë për t’i ruajtur ritmet normale,sepse sulmohen e bombardohen pa kurrfarë dallimi nga eksplozivë, artileri e armë të lehta. Fëmijët nuk mund të mësojnë. Burrat e gratë nuk mund të punojnë për të mbajtur familjet. Zija e bukës ndjehet atje, ku një herë e një kohë ishte fare e panjohur. Njerëzit detyrohen të ikin, duke lënë pas vetes jo vetëm shtëpitë, por edhe historitë e tyre familjare e rrënjët kulturore.

Shkaqet e konfliktit janë të shumta, por rezultati është gjithnjë i njëjti: shkatërrimi e kriza humanitare. Duhet të ndalemi e të pyesim: çfarë solli me vete normalizimi i konfliktit në botë? E, posaçërisht, si ta shndërrojmë zemrën tonë e mendësinë tonë, për ta kërkuar me të vërtetë paqen në solidaritetet e në vëllazërim?

Sa shkapërderdhje burimesh bëhen për armët, posaçërisht për ato bërthamore, burime që do të mund të përdoreshin për nevoja të dorës së parë, për të garantuar sigurinë e njerëzve, paqen e zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, për luftën kundër varfërisë, për garancinë e nevojave shëndetësore. Edhe kjo, veç të tjerave, u theksua nga problemet globale, si pandemia aktuale e Covid -19. E nga ndryshimet klimaterike. Sa guximtar do të ishte vendimi për të krijuar, me paratë që përdoren për armët dhe shpenzimet e tjera ushtarake, një “Fond botëror”, që të mundemi, kështu, ta zhdukim urinë e të kontribuojmë për zhvillimin e vendeve të varfëra”. 21

8. Për të edukuar me kulturën e kujdesit

         Promovimi i kulturës së kujdesit kërkon një proces edukativ e busulla e parimeve shoqërore përbën, për këtë qëllim, një mjet të besueshëm për rrethana të ndryshme, që lidhen ndërmjet tyre. Dëshiroj të sjell disa shembuj:

- Edukimi me kujdesin për të tjerët lind që në familje: bërthama më natyrore e më themelore e shoqërisë duhet të mësohet të jetojë në lidhje e respekt reciprok. Gjithsesi, familja ka nevojë të ketë kushtet për ta kryer këtë detyrë jetike dhe të domosdoshme.

- Gjithnjë në bashkëpunim me familjen, subjektet e tjera që kanë të bëjnë me edukimin janë  shkolla dhe universiteti e, njëlloj, për disa aspekte, edhe subjektet e komunikimit shoqëror. 22 Ata janë të thirrur për të ndërlidhur një sistem vlerash, të bazuar mbi njohjen e dinjitetit të çdo njeriu, të çdo bashkësie gjuhësore, etnike e fetare, të çdo populli e edhe të drejtave themelore të secilit. Edukimi përbën një nga shtyllat e shoqërisë më të drejtë e më solidare.

- Fetë në përgjithësi, dhe liderët fetarë në veçanti, mund të luajnë një rol të pazëvendësueshëm për t’u transmetuar besimtarëve dhe shoqërisë vlerat e solidaritetit, të respektit për të tjerët, të mikpritjes dhe të kujdesit për vëllezërit më të ligshtë. Kujtoj, lidhur me këtë, fjalët e Papës Pali VI drejtuar Parlamentit ugandez më 1969: “Mos kini frikë nga Kisha; ajo ju nderon, ju edukon si qytetarë të ndershëm e të drejtë, nuk nxit rivalitetet e përçarjet, kërkon të promovojë lirinë e vërtetë, drejtësinë shoqërore, paqen; nëse ajo ka ndonjë parapëlqim, është ai për të varfërit, për edukimin e të vegjëlve dhe të popullit, për kujdesin ndaj të vuajturve e të braktisurve”.23

- Atyre që vihen në shërbim të popullsive, në organizatat ndërkombëtare,  qeveritare e ndërqeveritare, me misione edukative, e të gjithë atyre që, në mënyra të ndryshme, punojnë në fushën e edukimit e të kërkimit shkencor, u përsëris inkurajimin tim që të mund të arrihet tek caku i një edukimi “më të hapur, më përfshirës, më të aftë për dëgjim durimtar, për dialog  konstruktiv e mirëkuptim të anasjelltë”. 24  Uroj që kjo ftesë, drejtuar me rastin e Paktit edukativ global, të mund të gjejë mirëpritje të gjërë e të larmishme.

9. Nuk ka paqe, pa kulturën e kujdesit

Kultura e kujdesit, si angazhim i përbashkët, solidar e pjesëmarrës për të mbrojtur e për të promovuar dinjitetin dhe të mirën e të gjithëve, parë si gatishmëri për t’u interesuar e për t’i kushtuar vëmendje mëshirës, pajtimit, shërimit, respektit të anasjelltë dhe mirëpritjes reciproke, është udhë e zgjedhur për ndërtimin e paqes. “Në shumë vise të botës kërkohen udhë paqeje, që çojnë në përtharjen e plagëve e për artizanë të paqes,  të gatshëm për të vënë në jetë “me mprehtësi e guxim” procese shërimi e takimi përtëritës. 25

Në këtë kohë, kur barka  e njerëzimit, e tundur dhe e shkundur nga stuhia e krizës, vijon të lundrojë mundimshëm në kërkim të një horizonti më të qetë e më paqësor,  timoni i dinjitetit të njeriut është “busulla” e parimeve shoqërore themelore, që mund të krijojnë kushtet për të lundruar në një drejtim të sigurt e të përbashkët. Si të krishterë, t’i drejtojmë sytë nga Virgjëra Mari, Yll i Detit e Nënë e Shpresës. Të bashkëpunojmë të gjithë për të përparuar drejt horizontit të dashurisë e të paqes, të vëllazërisë e të solidaritetit, të ndihmës e të mirëpritjes reciproke. Nuk duhet të biem në tundimin, që na shtyn të mos interesohemi për të tjerët, posaçërisht për më të ligshtit. Të mos e kthejmë kokën mënjanë, 26 por të angazhohemi çdo ditë konkretisht për “të formuar një bashkësi të përbërë nga vëllezër që mirëpriten reciprokisht, duke pasur gjithnjë kujdes për njëri-tjetrin.27

1. Krh Videomesazhi me rastin e Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme  të OKB-së, 25 shtaor 2020.

2. Krh. Letra enciklike “Lëvduar qofsh” (24 maj 2015),67

3. Krh “Vëllazërimi, themel e udhë për paqen”, Mesazhi për kremtimin e Ditës 47-të Botërore të Paqes, 1 janar (8 dhjetor 2013), 2.

4. Letra enciklike Laudato si’ (24 maj 2015), 70

5. Këshilli Papnor për drejtësinë e paqen, Përmbledhje e Doktrinës shoqërore të Kishës

6. De officiis, 1-28,132; Pl 16,67

7. K Bihlmeyer- H. Tuchle: Storia della Chiesa vol.1, antichità cristiana, Morcelliana Brescia 1994, 447, 448

8. Discorso ai partecipanti al Convegno promossi dal Dicastero per il Servizio dello Sviluppo Umano Integrale nel 50 0 anniversario  della “Populorum progressio” (4 aprile 2017)

9 . Messaggio alla 22o sessione della Conferenza degli Stati Parte alla Convenzione-Quadro delle Nazioni Unite sul Cambiamenti Climatici (Cop22), 10 novembre 2016. Cfr TAVOLO INTERDICASTORIALE DELLA SANTA SEDE SULL’ECOLOGIA INTEGRALE, in cammino per la cura della casa comune. A cinque anni dalla Laudato si’, LEV, 31 maggio 2020.

10 Conc. Ecum. Vat. II. Cost. past. Gaudium et spes, 26

1[1] Momento straordinario di preghiera in tempo di epidemia, 27 marzo 2020.

[1]2 Ibid.

[1]3 Cfr Lett. enc. Fratelli tutti (3 ottobre 2020), 8; 153.

[1]4 S. Giovanni Paolo II, Lett. enc. Sollicitudo rei socialis (30 dicembre 1987), 38.

[1]5 Lett. enc. Laudato si’ (24 maggio 2015), 91.

[1]6 Conferenza dell’Episcopato Dominicano, Lett. past. Sobre la relación del hombre con la naturaleza (21 gennaio 1987); cfr Lett. enc. Laudato si’ (24 maggio 2015), 92.

[1]7 Cfr Lett. enc. Fratelli tutti (3 ottobre 2020), 125.

[1]8 Ibid., 29.

[1]9 Cfr Messaggio ai partecipanti alla Conferenza internazionale “I diritti umani nel mondo contemporaneo: conquiste, omissioni, negazioni”, Roma, 10-11 dicembre 2018.

20 Cfr Messaggio alla Conferenza dell’ONU finalizzata a negoziare uno strumento giuridicamente vincolante sulla
proibizione delle armi nucleari, che conduca alla loro totale eliminazione
, 23 marzo 2017.

2[1] Videomessaggio in occasione della Giornata Mondiale dell’Alimentazione 2020, 16 ottobre 2020.

22 Cfr Benedetto XVI, “Educare i giovani alla giustizia e alla pace”, Messaggio per la 45ª Giornata Mondiale della Pace, 1° gennaio 2012 (8 dicembre 2011), 2; “Vinci l’indifferenza e conquista la pace”, Messaggio per la 49ª Giornata Mondiale della Pace, 1° gennaio 2016 (8 dicembre 2015), 6.

23 Discorso ai Deputati e ai Senatori dell’Uganda, Kampala, 1° agosto 1969.

24 Messaggio per il lancio del Patto Educativo, 12 settembre 2019: L’Osservatore Romano, 13 settembre 2019, p. 8.

25 Lett. enc. Fratelli tutti (3 ottobre 2020), 225.

26 Cfr ibid., 64.

27 Ibid., 96; cfr Fraternità, fondamento e via per la pace”, Messaggio per la celebrazione della 47ª Giornata Mondiale della Pace 1° gennaio 2014 (8 dicembre 2013), 1.

Nga Vatikani, 8 dhjetor 2020

01 janar 2021, 12:21