Logoja e së Dielës të Fjalës së Zotit Logoja e së Dielës të Fjalës së Zotit 

Mbajeni lart Fjalën e Jetës!

Nesër, 24 janar, do të kremtohet për herë të dytë e Diela e Fjalës së Zotit. Në orën 10.00 Papa do të kryesojë Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në praninë e rreth njëqind besimtarëve. Kjo e diel na kujton se po të mos i njohim Shkrimet e Shenjta, rrezikohemi të shpikim një Jezus tjetër, sipas përfytyrimit tonë.

R. SH. - Vatikan

Është një fragment i Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Filipianëve, tema e zgjedhur sivjet për të kremtuar të Dielën e Fjalës së Zotit, themeluar nga Papa Françesku më 30 shtator 2019, pasi i dorëzoi Kishës Letrën Apostolike Aperuit Illis. Bie në të Dielën e tretë të Kohës së Zakonshme dhe është nismë baritore e Ungjillëzimit të ri, me qëllim që të ngjallë interesimin për njohjen e Shkrimit Shenjt, përmes një transmetimi aktiv, që gjen shprehjen e vet në format e ndryshme të jetës së Kishës.

Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit

Mesha Shenjte, që do kremtohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, do të transmetohet në streaming përmes Vaticannews dhe të gjitha emitenteve katolike të botës, lidhur me Dikasterin për Komunikimin. Leximet, gjatë kremtimit, do t’i shpallin aktorët Pierfrancesco Favino, një gazetar e një i verbër, që do ta lexojë fragmentin biblik në gjuhën braille, si dhe dy studentë të rinj. Kremtimi do të vijojë me ritin e Fronëzimit të Fjalës: Ungjilli do të ketë vend solemn, për të theksuar rolin qëndror që ka në jetën e besimtarëve. Do të përdoret i njëjti fron, që u përdor në të gjitha seancat e Koncilit II të Vatikanit.

Papa do të dhurojë një botim të veçantë të Biblës

Në përfundim të Meshës, Papa Françesku do t’u dhurojë disa kopje të një edicioni të veçantë të Biblës, realizuar me këtë rast, disa personave: futbollistit të AS Roma, Lorenzo Pellegrini; një studenteje të Institutit Biblik nga Pakistani, që specializohet në Shkencat Biblike; një katekisteje  e një kateksti,  që shërbejnë në famullitë e dioqezës së Romës, përkatësisht në famullitë e Shën Gjon Maria Vianney-t e Shën Domenico Guzman: dy të rinjve të posakrezmuar të famullisë së Shën Lukës Ungjilltar në Prenestino; një seminaristi nga Sudani i Jugut, që përgatitet të marrë shërbesën e lektoratit; një pedagogu, mjek specialist në infektivologji pranë Universitetit “Tor Vergata”  dhe një të verbri.

Logo e së Dielës së Fjalës së Zotit

Në logon, krijuar për këtë ngjarje të veçantë, shikojmë dishepujt e Emmaus, të cilët kthehen në qytetin e tyre krejt të tronditur, përplot me dyshime, thellësisht të hutuar për çka sapo e kanë parë në Jeruzalem. Në mes tyre, Jezusi që ecën e kryen veprimtarinë e vërtetë të ungjillëzimit, simbolizuar me figurën e yllit, më të djathtën. Njëri nga dishepujt mbështetet, gjatë ecjes, mbi një shkop, shenjë  ligështie, ndërsa Jezusi mban në dorë rrotullën e Shkrimit Shenjt, që shpjegon misterin e shëlbimit. Duhet kujtuar se filli i kuq, që shoqëron Aperuit Illis, është pikërisht  faqja  e shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës, në të cilën rrëfehet historia e dishepujve të Emmaus. Na kujton dy përmasat e Fjalës e të bukës së thyer, që nuk mund të ndahen, sepse të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Materiali ndihmës për t’u përgatitur

 Në kanalin e internetit www.pcpne.va, në shumë gjuhë, mund të shfrytëzohet materiali ndihmës baritor, i hartuar për të ndihmuar famullitë dhe realitetet e tjera kishtare. T’i qëndrosh besnik Fjalës së Zoti është rruga që na e tregon Shën Pali Apostull e që vlen më shumë se kurrë në këto çaste dramatike, që po kalon sot bota. Në çorientimin dhe mosbesimin  e shkatuar nga paqartësitë, që i ranë njerëzimit mbi kokë në një mënyrë krejt të papritur, dishepujt e Krishtit kanë përgjegjësinë t’i thonë botës një fjalë shprese. E edhe detyrën të rrinë të lidhur fort me Fjalën e jetës, me besnikëri të patundur!

Shën Jeronimi: “Mosnjohja e Shkrimeve, është mosnjohje e Krishtit”

E Diela e Fjalës së Zotit na kujton edhe Letrën Apostolike Scipturae Sacrae Affectis, përkujtuar 1600 vjet pas vdekjes së Shën Jeronimit iliras,   Doktor i madh i Kishës, njëri nga katër perëndimorët, së bashku me Gregorin, Agostinin e Ambrozin, ndihmesa e të cilit është, pa asnjë dyshim, themelore për lulëzimin e Biblës. Atij duhet t’ia dimë për nder që na la trashëgim Biblën të përkthyer në latinsht; ishte proces i mirëfilltë i inkulturimit, ky përkthim gjenial. Shenjti ilir na la trashëgim edhe një frazë, që u bë e famshme në historinë e krishterimit: “Të mos njohësh Shkrimet Shenjte, do të thotë të mos njohësh Krishtin” e “Nëse nuk kalohet përmes Shkrimeve Shenjte, shpiket një Krisht sipas shëmbëlltyrës sonë, që  na ngjet ne”.

Formimi biblik, studimi i Shkrimit Shenjt, ndonëse jo i lehtë, është themelor për çdo të krishterë, përndryshe rrezikohemi të themi për tekstin, atë që teksti nuk e thotë!

Bibla, nëse nuk lexohet, mbetet letër e vdekur

Eshtë shkandullues fakti që shumë të krishterë nuk e kanë lexuar tërësisht, nuk po themi tërë Biblën, por së paku, Ungjillin. Prandaj Papa Françesku  i porosit të gjithë besimtarët ta mbajnë përherë me vete një Ungjill, me format xhepi. Nuk na mungon pra, mjeti. Nëse nuk e lexojmë, do të thotë se na mungon vullneti për ta shfletuar për ditë nga pak, atë që njihet si “Libri i librave” edhe për gjatësinë e tij. Por është një tekst i mrekullueshëm aq, sa po të nisësh ta shfletosh, nuk mund ta lëshosh më nga dora. Sepse në të gjen gjithë historinë e njerëzimit, që nga zanafilla. E gjen edhe vendin që të caktoi Zoti në këtë histori të pafundme, e cila nis në Parriz, me njerëzit e parë, Evën e Adamin, e vijon me ty, lexues, që kërkon zanafillën tënde e premtimin që të bëri Zoti i kryqëzuar e i ngjallur, të cilin e ke pranë në gaze e helme, në dritë e errësirë, në sëmundje e në shëndet. Ta shfletojmë pra, Shkrimin Shenjt, me atë dashuri që ka për ne Krishti! Të mos e lëmë letër të vdekur! Ta hapim e t’i lutemi Shpirtit Shenjt të na ndihmojë për ta pasur gjithnjë të gjallë në jetën tonë, si gurrë e pashterrshme e dashurisë së Zotit për ne, që na ndriçon në ditë të errta, si këto që po jetojmë, kur shpirti i tronditur kërkon pakëz dritë.

23 janar 2021, 11:46