APSA-Administrata e Trashëgimisë së Selisë Apostolike APSA-Administrata e Trashëgimisë së Selisë Apostolike

Vatikan, Motu Proprio: nga 1 janari, fondet e Sekretarisë së Shtetit i kalojnë Apsa-s

Me një Motu Proprio, Papa sanksionon kalimin e fondeve dhe të pasurisë së paluajtshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit nën administrimin e APSA-s, siç i pati njoftuar kardinalit Pietro Parolin, në një letër të mëparshme. Forcohet roli i Sekretarisë për Ekonominë, që do të ketë funksionin e Sekretarisë Papnore për çështjet ekonomike dhe financiare

R.SH. - Vatikan

Me Motu Proprio-n e 26 dhjetorit “Rreth disa kompetencave në çështjet ekonomike dhe financiare”, botuar sot, Papa Françesku sanksionon dhe bën operative, duke filluar nga 1 janari i vitit 2021, kalimin e administrimit të investimeve financiare dhe të pasurive të paluajtshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit në duart e APSA-s (Administrata e Trashëgimisë së Selisë Apostolike), përfshirë Lëmoshët apo Obolin e Shën Pjetrit. Papa ia kishte njoftuar këtë vendim Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, në një letër të shkruar në gusht. Hapat e nevojshme për këtë kalim janë përcaktuar nga një Komision i veçantë (Komisioni i Kalimit dhe i Kontrollit), ngritur në fillim të nëntorit.

“Me efekt nga 1 janari 2021, pronësia e fondeve dhe e llogarive bankare, e investimeve në pasuri të luajtshme e të paluajtshme, përfshirë pjesëmarrjen në kompani dhe në fonde investimesh, që deri tani ishte në emër të Sekretarisë së Shtetit, i kalon Administratës së Trashëgimisë së Selisë Apostolike, e cila do të kujdeset për mbarështimin dhe administrimin e këtyre fondeve. Ato do t’i nënshtrohen një kontrolli ‘ad hoc’ nga Sekretaria për Ekonominë, e cila, tani e tutje, do të kryejë edhe funksionin e Sekretarisë Papnore për çështjet ekonomike dhe financiare”. Kështu shkruhet në Motu Proprio-n e Papës Françesku.

Letra, siç shpjegohet në hyrje, synon organizimin më të mirë të administratës, të kontrolleve dhe të mbikëqyrjes së veprimtarive ekonomike dhe financiare të Selisë së Shenjtë për të siguruar transparencën dhe efikasitetin, si edhe ndarjen e qartë të përgjegjësive dhe të funksioneve. “Mbi bazën e këtij parimi, Sekretaria e Shtetit, e cila mbështet më nga afër dhe drejtpërdrejt veprimtarinë e Atit të Shenjtë në misionin e tij dhe përfaqëson një pikë themelore referimi për veprimtarinë e Kuries Romake, nuk është mirë të kryejë ato funksione në çështjet ekonomike dhe financiare, që tashmë u janë atribuar, për kompetencë, dikastereve të tjera”, përfundon Motu Proprio.

28 dhjetor 2020, 12:49