Vatican News

Tërmet në Kroaci, afërsia e Papës: të dërgohen ndihma sa më shpejt

Në mbarim të audiencës së përgjithshme, e fundit për vitin 2020, Papa Françesku pati një mendim të veçantë për Kroacinë e plagosur rëndë dje nga një tërmet i fuqishëm. Bilanci i viktimave është akoma i përkohshëm e të plagosurit janë me dhjetra. Karitasi veproi menjëherë, ndërsa Bashkimi Evropian premtoi ndihma

R.SH. - Vatikan

Ende lëkundet toka në Kroaci, por shpresat për të gjetur njerëz të gjallë në rrënojat e tërmetit të djeshëm nuk janë shuar. Kërkimet zgjatën gjithë natën e vijojnë gjithë ditën, duke arritur shpëtimin e disa personave në Petrinja, epiqendra e tërmetit prej 6,4 ballësh, rreth 50 kilometra në juglindje të kryeqytetit, Zagreb. Bilanci i viktimave është i përkohshëm, por tani për tani nuk e kapërcen numrin me një shifër, ndërsa të plagosurit janë me dhjetra, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Ka pasur shumë dëmtime edhe në Zagreb, në spitale, kopshte, shtëpi për të moshuar e ministri. Janë dëmtuar edhe shumë kisha e ndërtesa të tjera fetare.

Thirrja e Papës

 Këtij realiteti të dhimbshëm iu referua sot Papa, në audiencën e fundit të përgjithshme të vitit 2020, duke kujtuar viktimat, të mbijetuarit, dëmet e pësuara nga zonat e prekura dhe duke bërë thirrje për solidaritet ndërkombëtar në mbështetje të territorit dhe të popullsisë:

 “Shpreh afërsinë time me të plagosurit dhe me të prekurit nga tërmeti. Lutem posaçërisht për ata që kanë humbur jetën dhe për familjet e tyre. Shpresoj që autoritetet e vendit, të ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtare, të jenë së shpejti në gjendje t’ia lehtësojnë vuajtjet atij populli të dashur”.

Përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare

Në të vërtetë, makina ndërkombëtare e ndihmës është vënë tashmë në lëvizje. Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, njoftoi për një shumë fillestare prej 16 milion eurosh në ndihmë të zonave të prekura nga tërmeti, ndërsa kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu gatishmërinë e plotë të BE-së për të siguruar mbështetje për Kroacinë. Përkrahje edhe nga shtetet fqinjë.

Thirrja e ipeshkvit të Sisak-ut

 I menjëhershëm, aktivizimi i Karitasit Ndërkombëtar, që së bashku me atë kroat, po organizojnë ndihmën e parë për të mbijetuarit në zonat ku mungesa e energjisë elektrike dhe e lidhjeve të qëndrueshme telefonike e bëjnë gjithçka më të vështirë. Drejtoresha e Karitasit dioqezan të Sisak-ut, Kristina Radic, deklaroi se gjendja është serioze, ndërsa ipeshkvi i Sisak-ut, imzot Vlado Kosic, bëri thirrje: “Të lutemi për gjithë të dëmtuarit nga tërmeti. Të përpiqemi të jemi të bashkuar në këtë tragjedi, që ka përfshirë gjithë Kroacinë e në veçanti, dioqezën tonë të Sisak-ut, ashtu siç kemi qenë të bashkuar në shumë tragjedi të tjera, që kanë prekur bashkësinë tonë në të kaluarën e afërt, si lufta dhe pandemia në vijim”.

30 dhjetor 2020, 10:53