Natale candele presepe  Natale candele presepe  

Papa: Ardhja na kthen horizontin e shpresës nё Zotin qё vjen

Papa: #Ardhja është kohё që na është dhënë për të pritur Zotin që vjen të na takojë, për të verifikuar dëshirën tonë për Zotin, për të shikuar përpara e për t'u përgatitur për kthimin e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

"#Ardhja është kohё që na është dhënë për të pritur Zotin që vjen të na takojë, për të verifikuar dëshirën tonë për Zotin, për të shikuar përpara e për t'u përgatitur për kthimin e Krishtit". Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, botuar sot mё 14 dhjetor, nё faqen e internetit @Pontifex.

Koha e Ardhjes na fton edhe një herë, në mes të shumë e shumë vështirësive, të jemi përsëri të sigurt se Zoti është i pranishëm. Ai, u Mishёrua, u bë njeri, si ne, për të na çuar kah përmbushja e planit të tij të dashurisë. E Hyji kërkon që edhe ne të bëhemi shenjë e veprimit të Tij në botë. Përmes fesë sonë, shpresës sonë, dashurisë sonë, Ai dëshiron që, me dritën e tij, të ndriçojë në natën tonë. Shëlbuesi, që e presim është i aftë ta shndërrojë jetën tonë me hirin e Tij, me forcën e Shpirtit Shenjt, me pushtetin e dashurisë. Shpirti Shenjt dikon në zemrat tona dashurinë e Zotit, burim i pashterrshëm i pastrimit, i jetës së re e i lirisë.

Ardhja na shpie në takim me Jezusin

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme tё 30 nёntor 2016, në përshëndetjen e shtegtarëve, të ardhur prej vendeve të ndryshme, kujtoi se koha liturgjike e Ardhjes është për çdonjërin rast i volitshëm për të ripërtërirë në zemrën e vet dëshirën për ta takuar Zotin që vjen për të na shpëtuar. Në këtë kohë të Ardhjes, të pritjes së ardhjes së Zotit e të përgatitjes për t’u takuar me Të, të lutemi posaçërisht njëri për tjetrin, kështu që veprat trupore e shpirtërore të mëshirës të bëhen përherë e më shumë një stil i jetës sonë. Kjo lutje e zhvilloftë e përforcoftë dashurinë tonë të anasjelltë, e na afroftë ndaj dashurisë së pakufishme të Zotit. Këtë kohë të thellimit shpirtëror ia besoj Nënës së Jezusit: Ajo na udhëheqtë te Biri saj dhe na ndihmoftë të bëjmë vullnesën e tij në jetën tonë. Zoti ju bekoftë!

Koha e Ardhjes na rikthen horizontin e shpresë

Koha e Ardhjes na rikthen horizontin e shpresës. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në të Dielën e parë të Ardhjes, mё 1 dhjetor 2013.  Koha e Ardhjes. Kohë shprese! E Papa u ndalua posaçërisht tek shtegtimi i Popullit të Zotit drejt takimit me Jezusin e nënvizoi se me Kohën e Ardhjes, nis shtegtimi i ri i Popullit të Zotit me Jezu Krishtin. Është çast, vërejti, që ka një hir të veçantë: “Rizbulojmë bukurinë e shtegtimit gjithë bashkë: Kisha, me thirrjen dhe misionin e saj, e njerëzimi mbarë, popujt, qytetërimet, kulturat, të gjitha për udhë, nëpër shtigjet e kohës”.

Ashtu si në jetën e secilit nga ne ndjehet gjithnjë nevoja për t’u rinisur, nënvizoi Papa, nevoja për t’u ringritur në këmbë, për të rigjetur kuptimin dhe cakun e jetës, kështu edhe për familjen e madhe njerëzore është e nevojshme gjithnjë të shikojë horizontin drejt të cilit shtegton:“Horizonti i shpresës! Ky është horizonti për të bërë shtegtim të mirë. Koha e Ardhjes, që e nisëm sot përsëri, na rikthen horizontin e shpresës, shpresës, që nuk të zhgënjen, sepse bazohet mbi Fjalën e Zotit, shpresë, që nuk zhgënjen, thjesht sepse Zoti nuk zhgënjen kurrë”.

Model i kësaj sjelljeje shpirtërore, tha Papa Françesku, e edhe model i jetës e i shtegtimit në udhët e jetës, është Virgjëra Mari, Vasha e thjeshtë e Nazaretit, që ka në zemër gjithë shpresën e Zotit: “Në kraharorin e saj, shpresa e Zotit u mishërua, u bë njeri, u bë histori: Jezu Krishti. Magnificat, himni me të cilin madhëroi Zotin, është kënga e Popullit të Hyjit, nën pushtetin e mëshirës së tij. Ta lëmë të na prijë Ajo, që është Nënë, e nëna e di mirë si prihet. Ta lemë të na prijë në këtë Kohë pritjeje e vigjilimi veprues”.

14 dhjetor 2020, 13:01