Lutja e Engjllit të Tënzot Lutja e Engjllit të Tënzot 

Papa: si Maria t’i themi “po” Zotit, duke rrezikuar edhe jetën

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së fundit të Kohës së Ardhjes, Papa Françesku na fton të ndjekim shembullin e Marisë kur mori lajmin e madh të mishërimit. T’i themi ‘po’ Zotit, duke bërë hapa konkrete drejt Krishtlindjes, sepse “lindja e Jezusit kalon kot, po të mos na e prekë jetën”. Nuk duhet të ankohemi për çka na pengon të bëjmë pandemia, por të mendojmë për të varfërit, “për kë nuk mendon askush” e ta çlirojmë zemrën nga e keqja, “në pritje të Jezusit, që po vjen”. Të mos lejojmë që konsumizmi të na e marrë peng Krishtlindjen.

R. SH. - Vatikan

Në këtë të diel të katërt e të fundit të Kohës së Ardhjes, Ungjilli na propozon rrëfimin mbi Lajmërimin e Zojës. “Gëzoju!”, i thotë engjëlli Marisë, “do të zësh një djalë, do ta nxjerrësh në dritë e do ta quash Jezus”.

Të duket një lajm i ngarkuar me gëzim të plotë, që duhet ta bëjë të lume  Virgjërën: e cila nga gratë e kohës nuk do të ëndërronte të bëhej nëna e Mesisë? Por, njëheresh me gëzimin, këto fjalë mbartin edhe barrën e rëndë të një paralajmërimi: e paralajmërojnë Marinë për një provë të rëndë. Me këto fjalë, shqiptuar në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, e nisi Papa rrëfimin e ngjarjes së madhe, që po e jetojmë këto ditë e që do t’ia ndryshonte rrjedhën historisë së njerëzimit. Po pse? - vijoi të pyesë e njëheresh edhe të përgjigjet Ati i Shenjtë - Sepse në këtë çast vasha ishte e fejuara e Jozefit. Në këtë situatë, sipas Ligjit të Moisut - kujtoi Françesku - të fejuarit nuk duhej të bashkëjetonin. Prej këndej, duke lindur një fëmijë,  Maria shkelte Ligjin; e dënimi i gruas që bënte një shkelje të tillë, ishte i tmerrshëm: parashikohej mbytja me gurë! Pa dyshim që lajmi hyjnor duhet ta ketë mbushur zemrën e Marisë me dritë e me forcë - kujtoi Papa - por gjithsesi, ajo u ndodh  në udhëkryq:

“T’i thoshte po Zotit , duke rrezikuar gjithçka, edhe jetën, ose  ta refuzonte ftesën  e të ndiqte rrugën, që kish nisur”.

Çfarë bëri Maria?

Ç’bëri Maria? - pyeti Papa -Vasha u përgjigj kështu: “U bëftë mbi mua si është fjala jote”. U bëftë! U shqiptua ai “fiat” i famshëm i Marisë. Por, në gjuhën me të cilën është shkruar Ungjilli, ka edhe më - vijoi të shpjegojë Françesku - Shprehja e përdorur tregon dëshirën e fuqishme e edhe vullnetin e palëkundshëm që diçka të realizohej. Maria, me fjalë të tjera, nuk thotë: “N’u dashtë të ndodhë, le të ndodhë – nëse nuk mund të bëhet ndryshe…:

“Jo! Ajo nuk shpreh një pranim të ligshtë e të luhatshëm, por një dëshirë të fortë, plot gjallëri. Ajo nuk është pasive! Është aktive. Nuk pëson nga Zoti, bashkohet me Zotin. Është e dashuruar, e gatshme për t’i shërbyer në gjithçka e menjëherë Zotit të vet”.

Mund edhe të kishte kërkuar pakëz kohë për të menduar, ose më shumë shpjegime mbi atë, që do të ndodhte; a ndoshta-ndoshta, mund të kish vënë edhe kushte. Po Maria nuk lyp kohë për të menduar. Nuk e lë të presë Zotin, nuk e shtyn pohimin e saj për një herë tjetër.

Sa herë e lëmë punën e sotme për nesër …

Sa herë – kujtoi në vijim të lutjes së Engjëllit Papa - i shtyjmë sot për nesër punët që duhen bërë, edhe ato të jetës shpirtërore!

E di se më bën mirë të lutem, po sot nuk kam kohë! E di se është  e rëndësishme të ndihmoj ndokënd, po sot nuk mundem. Do ta bëj nesër, që do të thotë kurrë!

“Sot, te Porta e Krishtlindjes, Maria na fton të mos i shtyjmë punët që duhen bërë, të themi ‘po’. Çdo ‘po’ kushton, por shumë më pak se i kushtoi Asaj ajo ‘po’ guximtare e plot gatishmëri, ajo ‘u bëftë përmbi mua sipas fjalës sate’, që na solli shëlbimin”.

E ne? Ç’pohim pritet prej nesh? Në këtë kohë të vështirë, në vend që të qahemi se është pandemia ajo, që na pengon, të bëjmë diçka për njeriun që ka më pak: jo të njëjtën dhuratë për vete e për miqtë tanë, por për një nevojtar, të harruar bote!

Më pas, edhe një këshillë tjetër e Atit të Shenjtë:

“Që Krishti të lindë në ne, të shkojmë e të rrëfehemi, sepse vetëm kështu zemra jonë do të bëhet si ajo e Marisë; e lirë nga e keqja, mikpritëse, e gatshme për ta përbujtur në zemër Zotin”.

Të lutemi e të mos e lëmë konsumizmin të na i marrë peng Këshndellat

Duke folur lirisht, jashtë tekstit, Papa u dha besimtarëve një këshillë:

“Që Jezusi të lindë në ne, të lutemi e të mos lejojmë të na heqë zvarrë konsumizmi, ‘që na e mori peng Krishtlindjen’. Sepse vetëm kështu zemra jonë do t’i ngjasë asaj të Marisë: e lirë nga e keqja, e gatshme për ta përbujtë Zotin”.

U bëftë vullneti yt!

“U bëftë mbi mua si është Fjala jote”. Është pohimi i fundmë  i Virgjërës Mari në këtë të diel të fundit të Ardhjes, e edhe ftesë për të bërë një hap konkret drejt Krishtlindjes. Sepse po të mos e prekë lindja e Jezusit jetën tonë, kjo kohë vjen e shkon kot:

“Në lutjen e sotme të Engjëllit, edhe ne do të themi: ‘U bëftë në mua fjala jote!’. Zoja na ndihmoftë ta themi këtë me jetën tonë!”.

20 dhjetor 2020, 13:32