Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit 

Françesku: Shpella dhe Bredhi i Krishtlindjes, simbole drite në kohë të vështira

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi domethënien e simboleve të kohës së Krishtlindjes, duke u bërë besimtarëve thirrjen të mos mbeten vetëm tek simboli, por të shkojnë tek kuptimi, tek domethënia: Jezusi. Nuk ka pandemi as krizë – kujtoi - që mund ta shuajë këtë dritë!

R. SH. - Vatikan

E pati thënë edhe në vitin e kaluar, përmes një letre titulluar “Shenjë mahnitëse”. E përsëriti edhe sivjet shkurtimisht nën shi e nën  kërcënimet e virusit global,  që i jep Sheshit një pamje të pazakontë: me pak besimtarë!

Papa i përshëndeti të gjithë të pranishmit e mbledhur. “Jeni të guximshëm” u tha romakëve e shtegtarëve, nësa shiu vijonte të reshej mbi Sheshin që, gjithsesi, nuk e kishte humbur aspak pamjen festive. Pa harruar edhe ata, që qenë të lidhur përmes mjeteve të komunikimit.

E, duke hedhur vështrimin poshtë dritares së Engjëllit, Papa kujtoi se në Shesh tashmë lartohen Bredhi i Festës e Shpella e Betelehemit, që së shpejti do të jetë gati. Më pas vështrimi i Françeskut kaloi nga Sheshi - tek shtëpitë e besimtarëve:

“Këto ditë - kujtoi - edhe në shumë shtëpi bëhen gati këto dy simbole të Krishtlindjes, për gëzimin e madh të fëmijëve, por edhe të të rriturve. Janë shenjë shprese, posaçërisht në këtë kohë të vështirë”.

Por, porositi më pas, të mos ndalemi tek shenjat. Të shkojmë tek domethënia, tek Jezusi, tek dashuria e Zotit, të cilin ai na e dëftoi, të shkojmë tek mirësia e pafundme, që e bëri të shkëlqejë mbi botën:

“Nuk ka pandemi as krizë, që mund ta shuajë këtë dritë. Ta lëmë të hyjë në zemrat tona; t’ia shtrijmë dorën kujt ka nevojë, sepse kështu Zoti do të lindë rishtas në ne e mes nesh”.

Papa e përfundoi këtë bisedë të shkurtër e të përzemërt, që pritet aq shumë pas lutjes, me një urim të ngrohtë: “të diel të gëzuar!”.

E, mos harroni të luteni për Françeskun. Na e kërkon çdo të diel, në përfundim të lutjes së Engjëllit.

06 dhjetor 2020, 13:17