Papa shpall Vitin kushtuar "Famiglia Amoris laetitia"

Do të nisë më 19 marsin e ardhshëm, 5 vjet pas botimit të Nxitjes Apostolike, e do të përfundojë më 26 qershor 2022, me rastin e Takimit X botëror të familjeve. Do të jetë, siç njoftoi sot Ati i Shenjtë gjatë lutjes së Engjëllit në Festën e Familjes Shenjte, vit reflektimi e thellimi në përmbajtjen e Dokumentit kushtuar Familjes “Amoris laetitia”.

R. SH. - Vatikan

“Familjet e botës duhet të mahniten gjithnjë nga ideali ungjillor i Familjes Shenjte e, me ndihmën e Virgjërës Mari, të bëhen tharm i njerëzimit të ri dhe i solidaritetit konkret e universal”. Ky, urimi i Papës për vitin  kushtuar familjes, që e shpalli sot, pikërisht në festën e Familjes Shenjte, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik të Vatikanit.

Reflektim i bukur

Gjë e bukur - kujtoi Papa në fillim të lutjes së sotme të Engjëllit, të mendosh se Biri i Zotit deshi të ketë nevojë, si të gjithë fëmijët, për ngrohtësinë e familjes. Pikërisht për këtë, ajo e Nazaretit është familje model, tek e cila të gjitha familjet e botës mund të gjejnë pikën e sigurt të mbështetjes, frymëzimin e sigurt. Në Nazaret lulëzoi pranvera e jetës njerëzore e Birit të Zotit, në çastin kur ai u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt në kraharorin virgjëror të Marisë. Ndërmjet mureve mikpritëse të Shtëpisë së Nazaretit kaloi plot gëzim fëmijëria e Jezusit, e rrethuar nga ledhatimet amtare të Zojës e nga kujdesi i Jozefit, në të cilin Jezusi mundi të shihte dashurinë e Zotit.

Duke i ngjarë Familjes Shenjte, të rizbulojmë vlerën edukative të familjes

Në vijim të lutjes së Engjëllit, Papa i ftoi të gjitha familjet t’i ngjasin Familjes Shenjte. E t’i ngjasësh familjes së Marisë e të Jozefit, do të thotë të zbulosh vlerën edukative të bërthamës familjare. Të kuptosh se ajo themelohet mbi dashurinë që hap horizonte shprese. Në familje mund të provohet bashkimi i sinqertë, kur ajo është shtëpia e lutjes, kur ndjetet e saj janë  të thella e të pastra, kur ndjesa fiton mbi mosmarrëveshjen, kur hallet e përditshme të jetës, ëmëlsohen nga dashuria e anasjelltë e nga lidhja e ngushtë me vullnetin e Zotit. Në këtë mënyrë familja mbushet me gëzimin, të cilin Zoti ua jep të gjithë atyre, që dinë të japin gëzim. Njëkohësisht  gjen energji shpirtërore t’ia hapë zemrën të tjerëve, të vihet në shërbim të vëllezërve, të bashkëpunojë për ndërtimin e një bote gjithnjë më të re e më të mirë. E bëhet edhe mbartëse e nxitjeve pozitive; ungjillëzuese me shembull e me jetë.

Ta ripropozojmë idealin e dashurisë bashkëshortore e familjare

Festa e sotme - kujtoi në vijim Papa -  na bën thirrje ta ripropozojmë idealin e dashurisë bashkëshortore e familjare, ashtu siç nënvizohet në Nxitjen Apostolike Amoris laetitia,  botuar pesë vjet më parë, më 19 mars. E, si kujtoi këtë, Françesku dha njoftimin se, për të vijuar udhën sinodale, që çoi në botimin e nxitjes, vendosi të shpallë një Vit të posaçëm kushtuar Familjes Amoris laetitia, që do të nisë në solemnitetin e ardhshëm të Shën Jozefit e do të përfundojë me kremtimin e Takimit X Botëror të Familjeve, në program këtu, në Romë, në qershor 2022.

Ftesë për të marrë pjesë në nismat e Vitit të Familjes

Papa shpjegoi, më pas, se ky vit do të krijojë mundësitë për t’u thelluar në studimin e dokumentit Amoris laetitia, përmes propozimeve e mjeteve baritore. Ata - kujtoi - do të vihen në dispozicion të bashkësive kishtare e të familjeve, për t’i shoqëruar në udhën e tyre - duke i ftuar të gjithë të marrin pjesë në nismat, që do të organizohen gjatë Vitit, të cilat do të koordinohen nga Dikasteri për Laikët, Familjen e Jetën. E më pas Papa ia besoi Familjes së Nazaretit, posaçërisht Shën Jozefit, bashkëshortit e babait të zellshëm, këtë udhë me familjet e mbarë botës.

Zoja e Bekuar i frymëzoftë familjet t’i ngjasin familjes së saj

Papa e përfundoi lutjen, si zakonisht, duke iu drejtuar Virgjërës Mari. Sot iu lut  të xjerrë për familjet e mbarë botës hirin të mahniten gjithnjë më shumë nga ideali ungjillor i Familjes Shenjte, “që të mund të bëhen, kështu, tharm i njerëzimit të ri dhe i solidaritetit konkret e universal”.

 

27 dhjetor 2020, 13:28