2020.12.23 Udienza Generale 2020.12.23 Udienza Generale 

Papa: në Shpellën e Betlehemit është dashuria, që na bën të jemi larg e pranë

Në prag të Krishtlindjes, Françesku ia kushton katekizimin e audiencës së përgjithshme disa reflektimeve, për ta kremtuar “si festë të Dashurisë së mishëruar”. Në Jezusin, Zoti bëhet njeri për ne - shpjegon - ndaj duhet ta mposhtim pesimizmin e shkaktuar nga pandemia e të kundrojmë “dritën, që i jep kuptim jetës njerëzore e mbarë historisë”.

R. SH. - Vatikan

Krishtlindja, “festa e Dashurisë së mishëruar” po troket tashmë në portat e shtëpive tona! Po shkel mbi rrugët tona. Po rend pas nesh, që vrapojmë për të kryer përgatitjet e fundit për festën e madhe, sivjet kaq të jashtëzakonshme. E pas pak, do të hyjë edhe në shtëpitë tona, do të shtrohet në sofrat tona e do të ndjekë, bashkë me ne, Meshën e kremtuar nga Papa Françesku. Është ora e takimit me Krishtin e porsalindur. “Në liturgjinë e natës do të rijehojë kumtimi i engjëllit drejtuar barinjve: “Mos kini frikë, ja, po ju jap lajmin e një gëzimi të madh për mbarë popullin: sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju një Shpëtimtar, Krishti Zot”. Krishtlindja është festa e dashurisë së mishëruar!

Ky, kumti i lindjes së Krishtit, shoqëruar nga shenja: “një foshnjë e lidhur në fasha, vendosur mbi një grazhd”. E këtë kumtoi sot Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur përsëri nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në atmosferën e masave për parandalimin e Covid-19, që vijon bredhjen kërcënuese nëpër botë.

Drejt Betlehemit, pas barinjve

T’i imitojmë barinjtë - ftoi më pas Papa - të vrapojmë edhe ne drejt Betlehemit, ku Maria e nxori në dritë Foshnjën në një stallë, sepse - na kujton shën Luka - për ta nuk u gjend asnjë strehë tjetër.

Krishtlindja, festë universale edhe për kë nuk beson

Krishtlindja - kujtoi Papa - është bërë festë universale! E edhe kush nuk beson, e percepton magjinë e saj:

“Ndërsa i krishteri e di se Krishlindja është ngjarje vendimtare, zjarr i përhershëm, që e ndezi Zoti në botë e që nuk mund të ngatërrohet kurrsesi me gjëra kalimtare. Është e rëndësishme të mos shndërrohet në festë thjesht sentimentale e konsumistike, të pasur me dhurata e me urime, por të varfër me fe të krishterë”.

Ndaj duhet t’i vëmë pritë asaj mendësie të botës, që është e paaftë ta kapë bërthamën e zjarrtë të fesë sonë, që është:

“Fjala u bë njeri e erdhi të banojë ndërmjet nesh, e ne e kundruam lumninë e Tij, lumninë si Bir i vetëm, që vjen nga Ati, përplot me hir e vërtetësi”.

Krishtlindja: ftesë për meditimin e historisë e të mirësisë së Zotit  

Krishtlindja na fton të reflektojmë, nga njëra anë, për dramaticitetin e historisë, në të cilën njerëzit, të plagosur nga mëkati, ravgojnë papushuar në kërkim të së vërtetës, të mëshirës e të shpëtimit; e nga  tjetër, për mirësinë e Zotit, i cili erdhi të na komunikojë të Vërtetën që shpëton e të bën pjesëtar të miqësisë së Tij e të jetës së Tij. Këtë dhuratë hiri - kujtoi Papa  në audiencën e sotme të përgjithshme kushtuar festës së afërt - e marrim përmes thjeshtësisë dhe humanitetit të Krishtlindjes. E kjo mund ta zhdukë nga zemrat e mendjet tona pesimizmin e përhapur në të katër anët e botës. Krishti vjen pikërisht për të na shpëtuar. Bëhet njeri, për të na ndihmuar ta flakim tutje trishtimin - nënvizoi Papa në audiencën e përgjithshme, për të kujtuar, më pas, Koncilin II të Vatikanit i cili, në një fragment të Kushtetutës mbi Kishën në botën bashkëkohore, na kujton se ngjarja e madhe e Lindjes së Krishtit ka të bëjë me secilin prej nesh:

“Me mishërimin e Tij, i Biri të Zotit bashkohet, në një farë mënyre, me çdo njeri. Punoi me duar njeriu, mendoi me mendje njeriu, veproi me vullnet njeriu, deshi me zemër njeriu! Duke lindur nga Maria Virgjër, Ai u bë me të vërtetë njëri nga ne, i ngjashëm në gjithçka, përveç mëkatit” (Cost. Gaudium et spes, 22).

Ky realitet - vijoi Papa - na dhuron shumë gëzim e shumë guxim:

“Zoti nuk na shikoi nga lart, nuk na kaloi pranë, nuk i erdhi ndot nga mjerimi ynë, nuk u vesh me një korp për shihni botë, por mori plotësisht natyrën tonë e u bë plotësisht njeri, si ne. Nuk la asgjë mangut, veç mëkatit: në Të është gjithçka njerëzore. Ai mori gjithçka jemi, kështu si jemi. E kjo është themelore për ta kuptuar fenë e krishterë”.

Shën Agostini - kujtoi në vijim të katekizmit Françesku - duke menduar për kthesën e tij, në veprën e famshme “Rrëfimet”, shkruan:

“Nuk kisha ende përvujtërinë për ta pasur Zotin tim, të përvuajturin Jezus, e as nuk i njihja akoma mësimet e ligështisë së tij”. (Confessioni VII, 8). Ligështia e Jezusit është “mësimi i tij”! Sepse na zbulon dashurinë e Zotit - këtë theksoi Papa, duke na kujtuar se…:

“Krishtlindja është festa e dashurisë së mishëruar, lindur për ne në Jezu Krishtin. Ai është drita e njerëzve. Dritë, që e gris errësirën e i jep kuptim jetës njerëzore  e mbarë historisë së njerëzimit”.

Një mënyrë e re, për t’u përgatitur: meditimi para Betlehemit

Dëgjuam disa reflektime nga Papa, që na ndihmojnë për ta kremtuar vetëdijshëm Krishtlindjen. Por Françesku na kujtoi edhe një mënyrë tjetër për t’u përgatitur: meditimin para Shpellës së Betlehemit. E menjëherë pas rikujtoi Letrën e tij, titulluar “Admirabile signum” - “Shenjë mahnitëse”,  duke theksuar:

“Në shkollën e Shën Françeskut të Asizit mund të bëhemi përsëri paksa fëmijë, duke kundruar skenën e Lindjes së Zotit e duke ndjerë si lulëzon në ne  dëshira  për mënyrën ‘e mrekullueshme’, me të cilën Zoti deshi të vinte në botë”.

Kjo bën që në shpirtin tonë të lindë dashuria e pafundme:

“Nëse pandemia na detyroi të largohemi paksa, Jezusi, mbi grazhd, na tregon rrugën e dashurisë për të qenë më pranë, për të qenë më njerëzorë”.

Ta ndjekim rrugën e Tij - ftoi Papa - për t’i uruar, më pas, të gjithë: “Gëzuar Krishtlindjen!”.

23 dhjetor 2020, 10:46