Papa në festën e Shën Shtjefnit: gjestet e dashurisë e ndërrojnë historinë

Duke dashur, duke u lutur, duke falur: kështu e kaloi jetën Shtjefni, martiri i parë i Kishës, që festohet më 26 dhjetor. E kështu e kalojnë dhe të gjithë ata, të cilët duan të jenë, si ai, dëshmitarë të Jezusit, që i përgjigjen të keqes me të mirë. Për këtë foli Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke u ndaluar tek gjestet e dashurisë, edhe të voglat, që ne mund t’i bëjmë në të përditshmen tonë, duke e shndërruar jetën e zakonshme në të jashtëzakonshme!

R. SH. - Vatikan

Shtjefni është martiri i parë, diakoni i parë, domethënë “shërbëtori i parë” e “plot hir”, siç e lexojmë sot në Veprat e Apostujve, ai që e plazmoi jetën mbi atë të Krishtit. E dëshmojnë këtë arrestimi e mbytja e tij me gurë. Prej këndej u nis edhe refketimi i Papës.

Kështu, dita e parë pas kremtimit të Lindjes së Krishtit nis me historinë e martirizimit të dëshmitarit të parë të Zotit: Shën Shtjefnit, model besnikërie e qëndrese për gjithë të krishterët, në shekuj. Atij ia kushtoi Papa lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot. Dje - kujtoi - Ungjilli foli për Jezusin, të cilin e quajti “dritë që shndrit në errësirë e që errësira nuk e mundi”. Sot shikojmë dëshmitarin e Krishtit, Shën Shtjefnin, që shndrit në errësirë.

Simbolikë prekëse, kjo që përdori Papa në lutjen e parë të Engjëllit kremtuar nga Biblioteka Apostolike për shkak të pandemisë - i mbyllur në kafaz, siç i pëlqen të shprehet - një ditë pas Krishtlindjes, për të vijuar, më pas, historinë sa të dhimbshme, aq heroike të Martirit, që do t’i hapte rrugën një martirizmi, në vijim edhe sot. Ai, ashtu si të gjithë martirët, u ngarkua me akuza të rreme e u mbyt mizorisht me gurë, por nësa mbytej prej errësirës së urrejtjes, vdekja e tij e shndriti terrin me dritën e Krishtit; u lut për vrasësit e tij e i fali:

“Është martiri i parë, domethënë, dëshmitari i parë, i pari i një aradheje vëllezërish e motrash, që vijojnë të rrezatojnë dritë në errësirë; njerëz, që i përgjigjen së keqes me të mirë, që nuk dorëzohen para dhunës e gënjeshtrës, por e copëtojnë spiralen e urrejtjes me butësi e dashuri. Këta dëshmitarë ndezin agun e Zotit në netët e errëta të botës”

Si mund të bëhesh dëshmitar?

Po si mund të bëhesh dëshmitar? - pyeti në vijim Papa - Duke i ngjarë Krishtit - ishte përgjigjja e menjëhershme. Kjo është e vetmja rrugë për të krishterin: t’i ngjajë Krishtit. Shembullin na e jep Shën Shtjefni:

“Jezusi kishte ardhur për të shërbyer, jo për t’u shërbyer. E edhe ai jeton për të shërbyer! Bëhet diakon, domethënë shërbëtor e ndihmon të varfërit  në mensat. Përpiqet t’i ngjajë Zotit çdo ditë, gjë që e bën deri në fund të fundit. Si Jezusi, kapet, dënohet e vritet jashtë qytetit e, si Jezusi, lutet e fal. Ndërsa copëtohet me gurë, thotë vetëm këto fjalë: ‘Mos i fajëso, o Zot, për këtë mëkat’”.

Ç’vlerë ka kjo dëshmi, në një botë ku mbretëron ligësia

Pas këtyre fjalëve, që përshkojnë shekujt e vijnë tek ne, njerëz të kohëve moderne, të pushtuar nga e keqja e nga mëkati, nuk mund të mos lindë pyetja, që i lind edhe Papës, në vijim të kujtimit të kësaj historie kaq të dhimbshme, që hap rrugën e përgjakur mijëravjeçare të martirizimit: a vlejnë këto dëshmi mirësie edhe për sot, kur në botë përhapet pambarimisht mbrapshtia? Çfarë vlere ka të luetsh e të falësh? Vetëm për të dhënë shembull të mirë? Jo, ka shumë më tepër. Na e zbulon një hollësi. Ndërmjet atyre, për të cilët Shtjefni lutej e i falte - na tregon teksti - ishte edhe një i ri, i quajtur Saul, që e miratonte vrasjen: pak më vonë, për hir të Zotit, Sauli pendohet e bëhet Pal, më i madhi misionar i historisë:

“Pali lind nga hiri i Zotit, por përmes ndjesës së Shtjefnit. Kjo është fara e  kthesës së tij. Eshtë prova, që vërteton se gjestet e dashurisë  ia ndryshojnë rrjedhën historisë; edhe ata të voglat, të fshehurat, të përditshmet. Sepse Zoti i prin historisë përmes guximit të përvuajtur të njeriut që lutet, që do, që fal!”.

A vlen edhe për ne kjo histori?

A vlen kjo histori edhe për ne, për kohët tona? Nuk mund të mos ia bëjmë vetes këtë pyetje! Sigurisht vlen - na kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, ditën e dytë të Krishtlindjes. Zoti dëshiron që ta bëjmë jetën vepër të jashtëzakonshme, përmes gjesteve të zakonshme të ditëpërditshme:

“Atje ku jetojmë, në familje, në punë, kudo jemi thirrur të bëhemi dëshmitarë të Krishtit, qoftë edhe duke dhuruar dritën e një buzëqeshjeje e duke ikur nga errësira e thashethemeve dhe e  përgojimeve”.

Pastaj, kur shikojmë ndonjë gjë që nuk shkon, në vend që të kritikojmë,  të përgojojmë, të qahemi - të lutemi për kë gaboi e për këtë situatë të vështirë. E kur në shtëpi nis disktutimi, në vend të përpjekjes për të dalë të larë, të bëjmë çmos ta shuajmë sherrin e të nisim përherë duke e falur atë, që  na mbuloi me fyerje:

“Shën Shtjefni iu përgjigj gurëve të urrejtjes, me fjalë faljeje. E kështu e ndërroi rrjedhën e historisë”.

Edhe ne mund ta ndërrojmë çdo ditë të keqen në të mirë, siç na e kujton një fjalë e urtë, që thotë: “Bëj si bën palma: e gjuajnë me gurë, e u lëshon hurma”.

Papa e përfundoi këtë lutje të parë të Engjëllit, pas ditës së parë të Krishtlindjes, me ftesën për t’u lutur:

“Sot të lutemi për ata, që pësojnë persekutime në emrin e Krishtit. Janë shumë, për fat të keq. T’ia besojmë Virgjërës Mari këta vëllezër e motra, që i përgjigjen shtypjes me butësi e, si dëshmitarë të vërtetë të Jezusit, e mundin të keqen me të mirë”.

26 dhjetor 2020, 13:10