2020.12.24 Santa Messa della Notte di Natale 2020.12.24 Santa Messa della Notte di Natale 

Papa Françesku lindja e Krishtit na jep forcë për të kapërcyer çdo provë

Në Meshën tradicionale të Natёs së Krishtlindjes, Papa Françesku na kujton se "Zoti nuk mund të mos na dojë",. Hyji na njohu si bijtë e Tij të dashur, e kjo është pikënisja e çdo rilindjeje; "zemra e pathyeshme e shpresës sonë" ёshtё më e fortë se frika për të ardhmen. Në përfundim të homelisë kujton vargjet simbolike të poeteshës së famshme amerikane Emily Dickinson: “Që sonte streha e Zotit është pranë strehës sime. Orenditë janë dashuria”.

R.SH. - Vatikan

Mesha e Krishtlindjes, që në përshpirtërinë popullore vijon të quhet “Mesha e Mesnatës”, sivjet edhe në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, për shkak të koronavisurit, u kremtua nga Papa shumë më heret se në çdo vit tjetër: nisi në orën 19.30 e jo në orarin e zakonshëm, pra, por me fe e devocionin e zakonshëm, edhe në këtë vit të jashtëzakonshëm.

"Lindja e Jezusit është risi që na lejon çdo vit të rilindemi në brendësi, për të gjetur tek Ai forcën për t'u përballur me çdo provë. Po, sepse lindja e Tij është për ne: për mua, për ty, për secilin dhe çdonjёrin. Ai ka lindur për mua, Ai ka lindur për ne”, tha  Papa Françesku në homelinë e Meshës së  Natёs sё Krishtlindjes".

 Sonte për ne lindi Shëlbuesi!

Natë profetike e sontmja”! Në këtë Natë të Shenjtë përmbushet profecia e Izaisë: “Na lindi një fëmijë, na u dhurua një djalë!”.

“Na lindi një djalë” -  me këtë kumt gazmor e nisi Papa homelinë e  Meshës, kremtuar Natën e Krishtlindjes, në orën 19.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit. E menjëherë shpjegoi ç’do të thotë ky kumt i madh ‘për gjithë njerëzimin”.  Do të thotë se  Biri i Zotit, i bekuari për natyrë, vjen të na bëjë të bekuar edhe ne, përmes hirit. Vjen të na bëjë bij të Zotit. Kjo, dhurata e kësaj nate. Dhuratë e mahnitshme. Sonte Zoti na mrekullon e i thotë secilit nga ne: “Ti je mrekulli. Vëlla, motër, mos u trishto!... Zoti të thotë  je im bir!”. E kjo është zemra e pashkatërrueshme e shpresës sonë!

Zoti na do më shumë se e duam vetveten

Na u dhurua një Djalë! Ati nuk na dhuroi ndonjë gjë, por Birin e tij të vetëm, gëzimin e tij të plotë. Tepër e madhe kjo dhuratë për ne. A e meritojmë? - pyeti Papa në vijim të homelisë - Thua bëri mirë Zoti, që na dhuroi kaq shumë? Thua bën mirë, që vijon të na besojë? Që na mbivlerëson?

“Po, na mbivlerëson, sepse na do për vdekje. Nuk mund të mos na dojë, Kështu është bërë! Krejt ndryshe nga ne. Na do më shumë se e duam vetveten. E ky është sekreti,  për të na hyrë në zemër”.

Dashuria e Zotit, mënyra e vetme për të shpëtuar

Na do, mbasi e di se dashuria është mënyra e vetme për të shpëtuar, për ta shëruar shpirtin. E di se ne ndreqemi vetëm duke e pranuar dashurinë e tij të palodhshme, që nuk ndryshon, por na ndryshon:

“Vetëm dashuria e Jezusit e shndërron jetën, i shëron plagët më të thella,  na çliron nga pakënaqësia, nga zemërimi, nga ankimet e pafund”.

Na u dhurua një djalë! Një djalë, që erdhi natën, pa strehë, i varfër, i papërbujtur, ndërsa meritonte të lindej në pallatin më të madh, më të bukur! Pse? - pyeti Papa:

“Për të na bërë të kuptojmë deri në ç’masë e do njeriun. Biri i Zotit lindi i braktisur nga shoqëria, për të na treguar se çdo i baktisur është biri i Zotit. Zoti e vuri gjithë shëlbimin tonë mbi grazhdin e një stalle, pa u trembur nga varfëritë njerëzore: ta lëmë që mëshira tij t’i shndërrojë mjerimet tona”.

Zoti lindi në grazhd, për të na e orientuar jetën

Në vijim të homelisë së Meshës të kësaj Nate të jashtzakonshme Krishtlindjeje, në Bazilikën e Vatikanit, në praninë e një grushti njerëzish, më pak se kurrë, për shkak të situatës së vështirë që jeton mbarë bota - Papa i mori  përdore besimtarët e i çoi në atë kohë të largët, që sot e quajmë “Dita e parë e vitit të parë pas Krishtit”. Pas Zotit që - kujtoi Ati i Shenjtë - lindi në grazhd, për të na e orientuar jetën. Lindi në Betlehem, që do të thotë “Shtëpia e bukës”, si të donte të na kujtonte se kemi nevojë për të, si për bukën e përditshme:

“Sa herë ne - vijoi të kujtojë Papa Françesku - të uritur për dëfrime, për suksese e kënaqësi, e ushqejmë jetën me gjellë, që nuk ta shuajnë urinë e të lënë në shpirt një boshllëk të frikshëm”.

Zoti, me gojën e Izaisë, ankohej se, ndërsa kau e gomari e njihnin grazhdin e tyre, ne, populli i tij, nuk e njohim Atë, që është gurra e jetës sonë. Nuk e njohim e kërkojmë ethshëm grazhde kotësish, duke e harruar grazhdin e Betlehemit, ku lindi ai, që nuk flet, por na fal jetën. Ndërsa ne jemi analfabetë në mirësi. Dashuria e tij e çarmatosur e çarmatosëse na kujton  se kohën që kemi nuk duhet ta kalojmë duke qarë, por duke fshirë lotët e atyre që vuajnë. Zoti vjen të banojë ndër ne i varfër e nevojtar; vjen për të na kujtuar se e duam, duke u shërbyer të varfërve. “Që sonte - siç shkruante poetesha e famshme amerikane Emily Dickinson - streha e Zoti është nën strehën time. Orenditë janë dashuria”(E. Dickinson, Poems, XVII).

Jezusi Biri, që  më bën bir

Na u dhurua një djalë! Je Ti, Jezus, Biri, që më bën bir – theksoi Papa në përfundim të homelisë - Ti më do kështu si jam, jo si e ëndërroj vetveten. Duke të përqafuar Ty, Ferishte e grazhdit, përqafoj rishtas jetën time! Ti që më shpëton, mësomë të shërbej. Ti që nuk më lë kurrë vetëm, ndihmomë t’i ngushëlloj vëllezërit e tu, sepse sonte të gjithë janë vëllezërit e mi!

24 dhjetor 2020, 12:02