2020.12.09 Udienza Generale 2020.12.09 Udienza Generale 

Papa Françesku: kush nuk e do vëllain, nuk lutet seriozisht

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa u përqendrua tek lutja e ndërmjetësimit, duke na nxitur të lutemi për të gjithë, edhe për ata, që gabuan a nuk dëshirojnë të luten.

R.SH. - Vatikan

Ftesë e fortë e Kishës, posaçërisht e atyre, që kanë përgjegjësi, të luten për të gjithë, edhe për mëkatarët, kjo që Papa u drejtoi besimtarëve sot paradite, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, të cilën vijon ta mbajë nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në Vatikan, duke respektuar masat kundër infektimit nga Covid-19.  Në qendër të reflektimit të katekizmit të Papës gjatë audiencës së përgjithshme ishte lutja e ndërmjetësimit. Lutje për të afërmin, për vëllain. Sepse kush nuk e do vëllain, nuk lutet seriozisht. Këtë, pra, nënvizoi Papa Françesku që në fillim të audiencës së sotme të përgjithshme, kushtuar lutjes, në prag të Festave të mëdha të dimrit.

Kush lutet, nuk e braktis kurrë botën

Kush lutet, nuk e lë kurrë botën pas shpine - kujtoi Ati i Shenjtë Bergoglio - Nëse lutja nuk përfshin gëzimet e dhimbjet, shpresat e ankthet e njerëzimit, bëhet veprimtari “dekorative”, e thënë me vete, për vete. Të gjithë kemi nevojë për ca çaste vetmie e heshtjeje. Nevojë për t’u  tërhequr në një hapësirë e një kohë, kushtuar lidhjes sonë me Zotin. Po kjo nuk do të thotë të arratisesh, të ikësh larg realitetit:

“Në lutje Zoti ‘na merr, na bekon e më pas na thyen e na jep për të shuar urinë e të gjithëve’. Çdo i krishterë është i thirrur të bëhet, në duart e Zotit, bukë e thyer, për t’u ndarë mes njerëzve”.

Në kërkim të vetmisë, për ta dëgjuar më mirë zërin e Zotit

Kështu burrat e gratë e lutjes kërkojnë vetminë e heshtjen, jo për të mos i trazuar kush, por për ta dëgjuar më mirë zërin e Zotit. Nganjëherë tërhiqen nga bota, në fshehtësinë e dhomës së tyre, ashtu si i këshillon vetë Jezusi. Por kudo që të jenë, portën e zemrës së tyre e lënë gjithnjë të hapur: portë e çelur për ata, që luten, pa ditur të luten; për ata, që nuk luten fare, por që e kanë në shpirt britmën e mbytur, thirrjen e fshehur; për ata që gabuan e dredhuan rrugë… :

“Kushdo mund të trokasë në portën e lutësit e të gjejë në të një zemër plot me mëshirë, që lutet për të gjithë, pa përjashtuar askënd. Lutet në vetminë që e ndan nga gjithçka e nga gjithkush, për ta rigjetur gjithçka e gjithkënd në Zotin”.

Lutje për të gjithë, pra:

“Kështu lutësi lutet për mbarë botën, duke mbartur mbi shpatullat e veta dhimbje e mëkate. Lutet për të gjithë e për secilin; është si të ishte ‘antenë’ e Zotit në këtë botë”.

Kështu, me pak penelata, e pikturoi njeriun që lutet Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar lutjes së ndërmjetësimit, në prag të Krishtlindjes - duke kujtuar se ai që lutet shikon fytyrën e Krishtit, në fytyrën e çdo të varfëri, i cili i troket në portë, e të çdo njeriu, që e ka humbur kuptimin e sendeve.

Në katekizëm shkruhet:

“Të ndërmjetësosh, të kërkosh diçka, në favor të një tjetri [..] është privilegj i një zemre, e cila përkon plotësisht me mëshirën e Zotit”.  

Kush nuk e do vëllain, nuk lutet seriozisht

Lutja e ka për zemër njeriun. Thjesht njeriun. Kush nuk e do vëllain, nuk lutet seriozisht. Në Kishë, kush e ndjen gëzimin a trishtimin e tjetrit, shkon edhe më thellë se ai që bën hetime mbi “sistemet më të larta”. Për këtë arsye në çdo lutje ka një përvojë njerëzore, sepse njerëzit, sado gabime të  kenë bërë, nuk refuzohen kurrë, as nuk flaken kurrë tutje.

Lutu përvujtërisht, jo krenisht

Kur lutemi, nuk duhet të dënojmë askënd – nënvizoi akoma Papa - duhet të kërkojmë shpëtimin e të gjithëve. Për të nënvizuar, më pas, mënyrën si duhet të lutet secili prej nesh; duke e ndjerë veten mëkatar ndërmjet mëkatarëve, me vetëdijen se nuk është aspak më i mirë se të tjerët, siç na e tregon shëmbëlltyra e farizeut dhe e publikanit, e duke i  kërkuar Zotit të ketë mëshirë për ne!

Në përkim me mëshirën e Zotit

Papa kujtoi se Krishti ndërmjetëson para Atit, lutet për ne, e lutet duke ia treguar Atit plagët e duarve, sepse Jezusi është fizikisht para Atit me gjithë korpin e Tij. Prandaj të lutesh është si të bësh sadopak atë, që bën Jezusi: të ndërmjetësosh përmes Krishtit tek Ati, për të tjerët.

Bota shkon përpara, falë zinxhirit të lutësve

Bota shkon përpara, falë zinxhirit të lutësve. Është fjala për lutjen qendrore, lutjen në zinxhir, kushtuar botës:

“Bota shkon përpara falë zinxhirit të njerëzve, që luten e ndërmjetësojnë; njerëz të panjohur për ne… por jo për Zotin! Janë shumë të krishterë të paemër që, në kohën e persekutimit, i patën përsëritur fjalët e Zotit tonë; ‘Fali, o Atë, sepse nuk e dinë çfarë po bëjnë!”.

Të lutemi njëri për tjetrin

Bariu i mirë është besnik edhe përballë gabimeve të njerëzve të tij. Kisha ka misionin të praktikojë lutjen e ndërmjetësimit, “si Abrahami e Moisiu”,  të cilëve nganjëherë u duhet t’i mbrojnë’ para Zotit njerëzit, që u janë besuar, duke i parë me sytë e me zemrën e Zotit, me të njëjtën mëshirë e me të njëtën dashuri.

E Papa e përfundoi katekizmin me një figurë domethënëse:

“Jemi të gjithë gjethe të së njëtës pemë: çdo pengesë na kujton… se duhet të lutemi për njëri-tjetrin, gjë që na bën mirë ne e i bën mirë të gjithëve”

Kjo Krishtlindje e vështirë na ndihmon ta jetojmë më vërtetësisht festën 

Në përshëndetjet përfundimtare, Papa bëri një thirrje të fuqishme për “ta shpejtuar hapin” drejt Krishtlindjes, asaj së vërtetës - shtoi - domethënë,  "lindjes së Jezu Krishtit”. I vetëdijshëm se sivjet do të ketë shumë pengesa,  të papritura të hidhura e shqetësime, Papa i nxiti besimtarët ta jetojë këtë Krishtlindje si Maria e Jozefi. “Nuk ishin në mes të petaleve të trëndafilave”, kujtoi, duke menduar vështirësitë dhe shqetësimet, që iu desh të përballonin:

“E megjithatë, feja, shpresa e dashuria u prinë e i ndihmuan! Ashtu qoftë edhe për ne! Na ndihmoftë edhe - kjo vështirësi- ta pastrojmë pakëz mënyrën si e jetojmë Krishtlindjen; ta festojmë larg konsumizmit, që të jetë më e pasur me fe, më e vërtetë, më e lume”.

16 dhjetor 2020, 13:14