Papa kërkon garantimin e të drejtave dhe të dinjitetit të migrantëve

Të impenjohemi për të ndërtuar një botë, në të cilën të gjithë të kemi të drejta të barabarta ndaj të mirave të tokës dhe mundësinë për t’u realizuar si njerëz e si familje: kështu shkruan Papa Françesku në nga tweet-et e sotme kushtuar Ditës Ndërkombëtare për të drejtat e Migrantëve

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ia kushton një nga tweet-et e sotme Ditës Ndërkombëtare për të drejtat e Migrantëve. “Ta duash të afërmin si vetveten – shkruan Ati i Shenjtë – do të thotë edhe të impenjohesh për të ndërtuar një botë, në të cilën të gjithë të kemi të drejta të barabarta ndaj të mirave të tokës dhe mundësinë për t’u realizuar si njerëz e si familje, në të cilën të garantohen të drejtat themelore dhe dinjiteti. #MigrantsDay”.

Dita Botërore e Migrantëve

 Sot në botë numërohen më se 272 milion emigrantë. Shumica e tyre vijnë nga India, Meksika dhe Kina. Kremtimi i Ditës Botërore të Migrantëve filloi në vitin 2000, për të kujtuar miratimin e Konventës së OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë dhe të anëtarëve të familjeve të tyre. Dokumenti, që u votua më 18 dhjetor 1990, hyri në fuqi në vitin 2003, kur u arrit numri minimal i ratifikimeve të kërkuara.

Megjithatë, 54 ratifikimet aktuale u përkasin kryesisht vendeve të origjinës së migrantëve: mungojnë, për shembull, ato të shteteve evropiane. Konventa u njeh migrantëve gjendjen e tyre tejet të brishtë dhe promovon kushte pune e jete dinjitoze e të ligjshme. Ndër udhëzimet e OKB-së, hartimi i politikave kombëtare për migracionin, bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, për të luftuar abuzimin dhe shfrytëzimin.

18 dhjetor 2020, 15:29