Papa në Auschwitz Papa në Auschwitz

Papa Françesku dhe komunikimi i tij, në enciklopedinë Treccani

Në portalin e Enciklopedisë Treccani, një hapësirë e veçantë për fjalët e Papës Françesku e për dokumentet më të rëndësishme të papnisë së tij. Për Papën, komunikimi është para së gjithash bashkëndarje e kjo kërkon dëgjim.

R.SH. - Vatikan

A mund të komunikohet duke dëgjuar? Jetojmë në një kohë në të cilën duket sikur nëse nuk e themi ne fjalën e fundit, e kemi humbur davanë në komunikim. E shohim këtë çdo ditë, në debatet televizive e në ato politike. E përjetojmë personalisht në rrjetet shoqërore (sheshi më popullor sot), ku nëse nuk publikojmë tëeet-in e fundit ose postimin që i vë vulën argumentit, duket sikur dalim të mundur nga biseda, cilado qoftë tema. Papa Françesku e përmbys këtë paradigmë funksionaliste të komunikimit, e cila e konsideron atë armë për të fituar kundër tjetrit, duke i kthyer vlerën kryesore: komunikimi është dhuratë, mundësi, që na ndihmon të ecim së bashku me tjetrin. Rrjedhoja e menjëhershme e kësaj logjike “altruiste” është që komunikuesi nuk mbizotëron mbi mesazhin. Madje, ai fuqizohet edhe më tepër, kur njeriu, që e kumton, “rri një hije”, pa u dukur.

Heshtja që flet

          E ja atëherë, që tek Papa Françesku heshtja dhe madje palëvizshmëria (një paradoks në epokën e masmedias gjithnjë në kërkim të tingujve dhe të lëvizjes) e amplifikojnë kuptimin. Gjatë vizitës së Atit të Shenjtë në kampin e përqendrimit të Auschëitz-Birkenau, më 29 korrik 2016, të gjithë u prekën nga lutja e tij e heshtur, e cila dukej sikur zgjati pa fund. Më mirë se çdo fjalim, ajo heshtje përçoi vuajtjen dhe tronditjen për dhimbjen që ai vend do ta bartë gjithmonë mbi vete, por njëkohësisht, edhe nevojën për të mbajtur mend, për të mos e harruar tmerrin e kampeve të vdekjes. Pas katër vitesh, një tjetër “heshtje që flet”, në një tjetër çast dramatik në historinë e njerëzimit. Është data 27 mars 2020: Papa i vetëm, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, lutet nën kryqin e drunjtë të Shën Marçelit dhe para ikonës së Zojës, Salus Populi Romani. Ai kremtim, në një atmosferë gati surreale, mbetet ndër pamjet më tronditëse gjatë pandemisë së koronavirusit. Të nesërmen, fotografia e Papës në lutje spikat në faqet e para të gazetave në të gjithë botën. Mesazhi e kapërceu perimetrin e fesë katolike dhe u bë interpretues i anktheve dhe i shpresave të mbarë njerëzimit.

Telefonatat e bariut të Kishës

          Për “komunikimin kundër rrymës” të Papës Françesku, dëgjimi është element themelor. Jo rastësisht, në këtë periudhë të karakterizuar nga pamundësia për të lëvizur dhe nga zvogëlimi drastik i numrit të njerëzve që mund të takohen, Papa - me atë “krijimtari të dashurisë”, së cilës i referohet shpesh – arriti tek njerëzit përmes një mjeti të vjetër komunikimi, që nuk del kurrë jashtë mode: përmes telefonit. Nuk numërohen telefonat e shumta, gjatë muajve mbyllur në shtëpi, me të vuajturit, me të sëmurët nga Covid-19, me të moshuarit, madje, edhe me infermierët e të rinjtë (për shembull, me ata të oratorit të Nembros, një nga zonat më të prekura nga koronavirusi), të cilët kanë përveshur mëngët për të ndihmuar njerëzit në vështirësi. Telefonata, ato të Jorge Mario Bergoglio-s, më shumë për të dëgjuar sesa për të dhënë këshilla. “Kjo - pohon vetë Ati i Shenjtë në një intervistë për një revistë spanjolle - më ndihmoi të mas pulsin e jetesës së familjeve dhe të bashkësive në atë çast”.

Terapia e dëgjimit

          Në të vërtetë, që në vitin 2016, Papa Françesku pati theksuar se “të dëgjosh do të thotë t’i kushtosh vëmendje tjetrit, të kesh dëshirë për ta kuptuar, për ta vlerësuar, për ta respektuar e për ta ruajtur në zemër fjalën e tij”. Po atë vit, gjatë udhëtimit të tij ndërkombëtar në Meksikë, duke folur me të rinjtë e qytetit të Morelias, theksoi se kur një moshatar është në vështirësi, duhet t’i qëmdronin afër, duke e dëgjuar. “Mos i thuaj se kjo është receta – pati nënvizuar - por jepi forcë me dëgjimin tënd, me atë ilaç që po harrohet, me terapinë e dëgjimit”. Na duhet një “apostullim i veshit”, pati thënë edhe gjatë Jubileut të Mëshirës. Një formë, që duket se i bën jehonë nxitjes së shën Françeskut të Asizit për fretërit e tij: “Hapjani veshin zemrës”. Regjizori italian Pier Paolo Pasolini, pasi u takua me Nënë Terezën, tha për të se “sheh me të vërtetë, kudo i shkon syri”. Në një farë mënyre, Papa Françesku, me përmasën e tij si komunikues, “dëgjon me të vërtetë, ngado e drejton veshin”. Dëgjimi, për të, ka të bëjë me abc-në e marrëdhënieve njerëzore. Duhet kohë, kërkon durim e aftësi për t’iu afruar tjetrit, duke shkurtuar distancat dhe duke kapërcyer paragjykimet. Një qëndrim që nganjëherë të befason, por që përputhet plotësisht me vizionin e një Kishe në dalje, konceptuar si spital fushor, siç thotë vetë Papa.

23 dhjetor 2020, 10:43