Papa: dy libra si dhuratë Krishtlindjeje për Kurien Romake

Jeta e Charles de Foucauld dhe "Holotropia. Fjalët me familjaritet të krishterë": dy librat e zgjedhur nga Papa Françesku si dhuratë Krishtlindjeje për kardinajtë dhe drejtuesit e Kuries Romake, me të cilët shkëmbeu sot urimet për festat.

R.SH. - Vatikan

Si dhuratë Krishtlindjeje për kardinajtë dhe drejtuesit e Kuries Romake, Papa Françesku zgjodhi sivjet dy libra. “Njëri, jeta e Charles de Foucauld, mësues i krizës, që na ka lënë dhuratë një trashëgimi të bukur – shpjegoi Ati i Shenjtë në përfundim të audiencës për urimet e Krishtlindjes në Sallën e Bekimeve, në Vatikan. – Kjo është dhuratë, që ma pati bërë edhe mua atë Ardura”, kryetari aktual i Komitetit Papnor për Shkencat Historike.

          “E tjetra, – vijoi Papa – që quhet ‘Holotropia. Fjalët me familjaritet të krishterë’, shërben për të na ndihmuar të jetojmë. Është libër i dalë këto ditë, shkruar nga një biblist, dishepull i kardinalit Martini (autori: Gabriele Maria Corini), që ka punuar në Milano, por është i dioqezës së Albenga-Imperias”.

Ftesë për ta përjetuar si duhet Krishtlindjen

Vetëm pak para se t’u dorëzonte librat, Ati i Shenjtë i ftoi kardinajtë ta përjetojnë me përshpirtëri Krishtlindjen. “Para Misterit të Mishërimit, pranë Foshnjës në grazhd (shih Lk 2,16), si dhe para Misterit të Pashkëve, pranë njeriut të kryqëzuar, - theksoi Papa - e gjejmë vendin e duhur vetëm nëse jemi të paarmatosur, të përvuajtur, thelbësorë; vetëm pasi të kemi realizuar në ambientin ku jetojmë - përfshirë Kurien Romake - programin e jetës së sugjeruar nga Shën Pali: ‘Le të zhduket nga ju çdo hidhërim, indinjatë, zemërim, britmë dhe shpifje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini të mirë me njëri-tjetrin, zemërdhimbshëm; faleni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin’ (Ef 4,31-32); vetëm pasi të ‘vishemi me përvujtëri’ (shih 1 Pjt 5,5), duke imituar Jezusin ‘zemërbutë e të përvujtë’ (Mt 11,29); vetëm pasi të zemë ‘vendin e fundit’ (Lk 14,10) dhe të jemi bërë ‘shërbëtorë të të gjithëve’ (shih Mk 10,44)”.

21 dhjetor 2020, 14:17