Papa, ambasadorëve të rinj: punoni për një botë më të drejtë e më vëllazërore

Dhjetë ambasadorëve, që paraqitën sot letrat kredenciale në Vatikan, Papa u uroi që, në këtë kohë sfidash globale, të krijojnë dialog dhe të bashkëpunojnë për të luftuar kundër kulturës së hedhurinave, në mënyrë që të realizohen ideale më të larta dhe objektiva të rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite dhjetë ambasadorë të rinj jo rezidentë në Romë, që paraqitën Letrat e tyre kredenciale. Është fjala për përfaqësuesit diplomatikë pranë Selisë së Shenjtë të Jordanisë, Kazakistanit, Zambies, Mauritanisë, Uzbekistanit, Madagaskarit, Estonisë, Ruandës, Danimarkës dhe Indisë.

Të mos harrojmë të varfërit

         Kuadri, që përvijoi Papa Françesku në fjalën e tij, është ai i një planeti në krizë i cili, edhe para pandemisë Covid-19, karakterizohej nga “nevoja urgjente humanitare, për shkak të konflikteve, dhunës dhe terrorizmit në anë të ndryshme të botës”. Krizat ekonomike dhe ndryshimi i klimës, kujtoi Papa, po krijojnë “uri dhe migrime masive” dhe po rrisin “rrezikun e katastrofave natyrore, të zisë së bukës dhe të thatësirës”. Pandemia i ka “thelluar pabarazitë e pranishme në shoqëri; në fakt, të varfërit dhe më të brishtët ndër vëllezërit dhe motrat tona ka rrezik të braktisen, të përjashtohen dhe të harrohen”.

Duhet dialog e bashkëpunim

         Ati i Shenjtë ftoi sërish të jemi të bashkuar, “në të njëjtën barkë”, duke vozitur së bashku e duke ngushëlluar njëri-tjetrin:

“Sot, ndoshta më shumë se kurrë, bota jonë gjithnjë e më e globalizuar ka nevojë urgjente për dialog dhe bashkëpunim të sinqertë e plot respekt, në gjendje të na bashkojë në përballimin e kërcënimeve serioze, që rëndojnë mbi planetit dhe hipotekojnë të ardhmen e brezave të rinj”.

Papa theksoi edhe një herë mesazhin e enciklikës “Fratelli tutti”, dëshirën që “duke ia njohur dinjitetin çdo njeriu, të mund të ringjallim aspiratën botërore drejt vëllazërimit”. Në dritën e impenjimit të Selisë së Shenjtë në botë, në shërbim të së mirës globale të përbashkët, Papa i uron kështu përfaqësuesit e rinj diplomatikë:

“Uroj që veprimtaria juaj diplomatike si përfaqësues të kombeve në Selinë e Shenjtë të nxisë ‘kulturën e takimit’ (Fratelli tutti, 215), aq e nevojshme për të kapërcyer dallimet dhe ndarjet, që shpesh pengojnë realizimin e idealeve të mëdha dhe të objektivave, propozuar nga bashkësia ndërkombëtare. Në fakt, secili prej nesh është i ftuar të punojë çdo ditë për ndërtimin e një bote gjithnjë e më të drejtë, më vëllazërore e më të bashkuar”.

04 dhjetor 2020, 12:08