Shpella e Betlehemit në Kishën e Shën Anës, në Vatikan Shpella e Betlehemit në Kishën e Shën Anës, në Vatikan 

Një vit më parë, Letra e Papës kushtuar Shpellës së Betlehemit

Papa Françesku, duke pritur të premtën e kaluar, në Vatikan, delegacionin slloven e atë abrucez, prej nga erdhi dhurata e Bredhit dhe e Shpellës së Betlhemit, që u përuruan, më pas në Sheshin e Shën Pjetrit, i ftoi besimtarët ta rilexojnë Letrën e tij kushtuar Shpellës së Betlehemit, nënshkruar një vit më parë në Greço.

R. SH. -Vatikan

Shenjë mahnitëse, e quajti Papa, duke i ftuar besimtarët ta rilexojnë këto ditë Letrën e tij kushtuar Shpellës së Betlehemit, nënshkruar një vit më parë në Greço:

“Të paraqesësh ngjarjen e madhe të Lindjes së Jezusit - lexohet në tekst - është njëlloj si të kumtosh misterin e Mishërimit të Birit të Zotit me thjeshtësi e  gëzim”. “Ndërsa kundrojmë skenën e Krishtlindjes - vijon Papa - jemi të ftuar të vihemi shpirtërisht për udhë, të tërhequr nga përvujtëria e Atij, që u bë njeri, për të takuar çdo njeri. E, zbulojmë se Ai na do deri në atë pikë, sa të bashkohet me ne, që kështu edhe ne të mund të bëhemi një me Të. Me këtë Letër, dëshiroj të mbështes traditën e bukur të familjeve tona, të cilat në ditët para të Krishtlindjes përgatisin Shpellën e Betlehemit. Ashtu si edhe zakonin për ta vendosur në vendet e punës, në shkolla, në spitale, në burgje, në sheshe… Eshtë vërtet ushtrim i fantazisë krijuese, që përdor materiale nga më të ndryshmet, për të krijuar kryevepra  të vogla bukurie. Mësohemi që fëmijë: kur babai e nëna, së bashku me gjyshërit, e transmetojnë këtë zakon gazmor, që përfshin në vetvete gjithë përshpirtërinë popullore. Uroj që kjo praktikë të mos mungojë kurrë: madje, shpresoj të rizbulohet e të rigjallërohet edhe atje, ku mund të mos përdoret më.

Shën Françesku dhe Shpella e gjallë e Betlehemit në Greçio

Papa, duke rikujtuar zanafillën e paraqitjes të lindjes së Jezusit, nënvizon etimologjinë latine të fjalës: “praesepium”, që do të thotë grazhd dhe citon Shën Agostinin, i cili vëren se Jezusi “i shtrirë mbi një grazhd, u bë ushqimi ynë”. Kujton, pastaj, shpellën e gjallë, krijuar nga Shën Françesku në Greçio, në Krishtlindjen e vitit 1223, që i mbushi me gëzim gjithë të pranishmit: “Shën Françesku, me thjeshtësinë e kësaj shenje, realizoi një vepër të madhe ungjillëzimi. Mësimi i tij depërtoi në zemrat e të krishterëve dhe vijon deri në ditët tona, si formë e  çiltër, për të ripropozuar me thjeshtësi, bukurinë e fesë sonë”.

Mahnitje dhe emocion për Zotin, që bëhet i vogël

Betlehemi - shkruan Papa - të shtang e të mahnit, gjithnjë, sepse “dëshmon  butësinë e Zotit, që përkulet tek vogëlsia jonë, bëhet i varfër, duke na ftuar ta ndjekim në udhën e përvujtërisë, “për ta takuar e për t’i shërbyer me mëshirë në vëllezërit e motrat më nevojtarë”.

Shpella e Betlehemit: qielli i qindisur me yje, në heshtimin e natës

Letra kujton shenjat e ndryshme të Shpellës së Betlehemit. Para së gjithash, qiellin e qindisur me yje, në errësirën dhe në heshtjen e natës: është nata, që shpesh e rrethon jetën tonë. “E pra, edhe në ato çaste - shkruan Papa - Zoti nuk na lë vetëm, por bëhet i pranishëm, sjell dritën, ku ka errësirë e i ndriçon të gjithë ata, që  janë të zhytur në terrinat e vuajtjes”.

Peizazhet, engjëjt, kometa, të varfërit

Shikojmë pastaj, edhe peizazhet plot me rrënoja shtëpish e pallatesh të lashta “shenjë e dukshme e njerëzimit të rënë”, që Jezusi vjen ta shërojë e ta rindërtojë. Ka pastaj male, burime, dele, për të paraqitur gjithësinë, që merr pjesë në festën e ardhjes së Mesisë. Engjëjt e kometa janë shenja, që na tregojnë se edhe ne duhet të ngarendim drejt Shpellës, për ta adhuruar Zotin. Barinjtë, pastaj, të cilët na thonë se janë më të varfërit e më të përvuajturit ata, që dinë ta pranojnë ngjarjen e madhe të Mishërimit, ashtu si shtatoret e lypsarëve. Të varfërit janë të privilegjuarit e këtij misteri e, shpesh, ata që “më shumë se askush janë në gjendje ta pranojnë praninë e Zotit mes nesh”, ndërsa pallati i Herodit është në sfond, i mbyllur, i shurdhër për kumtin e gëzimit. Duke lindur në Shpellë - pohon Françesku - Zoti vetë nis të vetmin revolucion të vërtetë, që u jep shpesë e dinjtet të varfërve e të shtypurve: “revolucionin e dashurisë, revolucionin e dhembshurisë”. Vijnë, pastaj, personazhet e tjera, nga kovaçi, tek furrxhiu.

Maria e Jozefi

Në Shpellë janë Maria e Jozefi. Maria është dëshmia, që na tregon sesi duhet të lëshohemi plotësisht në dorë të Zotit, ashtu si Jozefi, “rojtari, që nuk lodhet kurrë duke e mbrojtur familjen e vet”.

Krishti Fëmijë: dashuria, që ndryshon historinë

Në grazhd është Krishti Fëmijë: Zoti është i paparashikueshëm - pohon Papa - larg skemave tona, e paraqitet kështu, si fëmijë, për të na bërë t’ia hapim krahët e ta marrim ngrykë. Në ligështi e në brishtësi, fsheh pushtetin, që mund të krijojë e të shndërrojë gjithçka me forcën e dashurisë. “Shpella e Betlehemit na bën ta shikojmë e ta prekim këtë ngjarje të pashoqe e të jashtëzakonshme, që ia ndryshoi rrjedhën historisë”.

Mbretërit Dijetarë: të largëtit e fesë

Së fundi, shenja e mbrame. Kur afrohet festa e Dëftimit të Zotit, në Shpellë vendosen tri shtatoret e Mbretërve Dijetarë, që na kujtojnë “se mund të nisesh edhe nga larg, shumë larg, për ta takuar Krishtin”.

Për lumturinë e njeriut

“Shpella e Betlehemit - përfundon Papa - bën pjesë në procesin e ëmbël dhe kërkues të transmetimit të fesë: nuk ka rëndësi si sajohet! Ajo, që ka rëndësi, është t’i flasë jetës sonë”, duke i treguar dashurinë që ka Zoti për ne. “Zoti , që u bë ferishte, për të na treguar se është shumë pranë çdo njeriu, sido e kudo që të jetë, e për të na thënë se në këtë prani gjindet lumturia”.

13 dhjetor 2020, 08:46