2020.12.25 Messaggio Natalizio e Benedizione Urbi et Orbi 2020.12.25 Messaggio Natalizio e Benedizione Urbi et Orbi 

Papa: Jezusi qё lindi për ne, sjelltë paqe e shpresë në botën e rraskapitur

Papa Françesku, në mesazhin e Krishtlindjes, kujtoi toka e popuj të tronditur nga drama e konflikte, në rajone të ndryshme të Planetit. Duke u ndaluar tek pandemia, nënvizoi se vaksinat duhet të jenë në shërbim të të gjithëve, posaçërisht të më të ligshtëve. E kujtoi edhe familjet që sot, për shkak të emergjencës shëndetësore, nuk mundën ta kalojnë festën së bashku, në gjirin e të afërmve. Nga Salla e Bekimeve, në përfundim, Papa dha edhe Bekimin Urbi et Orbi - Romës e Botës.

R. SH. - Vatikan

Në mesazhin e Krishtlindjes, Papa shfletoi faqe historie, foli për fate popujsh, kujtoi çaste dhimbjesh, por edhe shprese e mëshire, mishëruar në një Foshnjë, që lindi për ne të gjithë, që edhe në këtë kohë të trazuar nga pandemia, e fton njerëzimin të ecë në rrugët e vëllazërimit. Nga Betlehemi i Posalinduri rrezaton dashuri e shpresë për mbarë botën!

Por ta dëgjojmë Papën:

 “Dëshiroj të arrijë tek të gjithë mesazhi, që Kisha kumton në këtë festë me fjalët e Izaisë Profet:  “Na lindi një foshnjë, fituam një djalë” (Is 9,5).

Lindi një foshnjë: lindja është gjithnjë burim shprese, është jetë që lulëzon e premtim për të ardhmen. E ky Fëmijë, Jezusi, “lindi për ne”: një ne pa kufij, pa privilegje, pa përjashtime. Fëmija, që  Virgjëra Mari e nxori në dritë, në Betelhem, lindi për të gjithë: është “biri”, që Zoti ia fali mbarë familjes njerëzore.

Falë këtij Fëmije, të gjithë mund t’i drejtohemi Zotit, duke e thirrur “Atë”. Jezusi është Bir i vetëm, asnjë tjetër nuk e njeh Atin, veç Tij. Po ai erdhi në botë pikërisht për të na dëftuar fytyrën e Atit qiellor. E kështu, falë këtij Fëmije, të gjithë mund të quhemi e të jemi vërtet vëllezër: nga çdo kontinent, çdo gjuhë e çdo kulturë, me identitetet e larmitë tona, e megjithatë, të gjithë vëllezër e motra.

Në këtë çast historik, të përshkuar nga kriza ekologjike dhe nga lëkundje të rënda ekonomike e shoqërore, rënduar nga pandemia e koronavirusit, kemi më shumë se kurrë nevojë për vëllazërim. E Zoti na e ofron, duke na dhuruar Birin e tij Jezus: nuk është vëllazërim i bërë me fjalë të bukura, me ideale abstrakte, me ndjenja të paqarta… Jo. Është vëllazërim i bazuar mbi një dashuri të vërtetë, të aftë për ta takuar tjetrin, të ndryshëm nga unë, për të  ndarë bashkë vuajtjet, për t’u afruar e për t’u kujdesur për të, edhe pse nuk është i familjes sime, i etnisë sime, i fesë sime: i ndryshëm nga unë, por im vëlla, ime motër. E kjo vlen edhe për marrëdhëniet ndërmjet popujve e kombeve.

 Foshnja e Betlehemit na ndihmoftë, atëhere, të jemi të gatshëm, bujarë e solidarë, posaçërisht ndaj njerëzve më të ligshtë, të sëmurëve e të gjithë atyre që në këtë kohë mbeten pa punë ose kalojnë vështirësi të rënda  për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë, ashtu si edhe gratë që, në këto muaj mbylljeje, pësuan shumë dhunë shtëpiake.

Biri i Zotit i frymëzoftë ata që kanë përgjegjësi politike e qeveritare për bashkëpunim të ri ndërkombëtar, duke nisur nga fusha shëndetësore, në mënyrë që të gjithëve t’u garantohen vaksinat e mjekimet. Përballë sfidës, që nuk njeh kufij, nuk mund të ngrihen mure; jemi të gjithë në të njëjtën barkë, çdo njeri është im vëlla. Në secilin shikoj pasqyrimin e fytyrës së Zotit e në ata që vuajnë, shquaj Zotin, që më kërkon ndihmë. E shoh në të sëmurin, në të varfërin, në të papunin, në të përjashtuarin, në migrantin.

Ditën, në të cilën Fjala e Zotit bëhet fëmijë, t’i sjellim sytë kah fëmijët e shumtë që në mbarë botën, posaçërisht në Siri, në Irak e në Jemen, i paguajnë akoma haraç të rëndë luftës. Fytyrat e tyre i shkundin ndërgjegjet e njerëzve vullnetmirë, duke i nxitur që të përballohen e konfliktet e të punohet me guxim për të ndërtuar një ardhmëri me paqe.

Qoftë kjo koha e përshtatshme për t’u dhënë fund tensioneve në të gjithë Lindjen e Mesme e në Mesdheun lindor.

 Krishti Fëmijë i shëroftë plagët e popullit të dashur sirian, i cili prej më se një dekade tronditet thellë nga lufta e nga pasojat e saj, kohët e fundit të rënduara edhe më shumë nga pandemia. E ngushëlloftë popullin irakian dhe të gjithë ata, që angazhohen në udhën e pajtimit, posaçërisht yazidët, të goditur rëndë nga vitet fundit të luftës. I sjelltë paqen Libisë e premtoftë që faza e re e bisedimeve në vijim, t’i japë fund çdo forme të armiqësisë në vend.

Foshnja e Betlehemit i dhuroftë vëllazërimin tokës, që e pa duke lindur. Izraelitët e palestinezët fitofshin besimin reciprok për të kërkuar paqen e drejtë e afatgjatë përmes dialogut të drejtpërdrejtë, të aftë për fituar mbi dhunën, për t’i kapërcyer mëritë endemike e për t’i treguar botës bukurinë e vëllazërimit.

Ylli, që shndriti natën e Krishtlindjes, qoftë prijës e inkurajues për popullin libanez i cili, në vështirësitë që po përballon, me ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare, të mos e humbasë shpresën. Princi i Paqes i ndihmoftë përgjegjësit e Vendit t’i lënë mënjanë interesat e veçanta e të angazhohen me seriozitet, ndershmëri e transparencë që Libani të ecë në rrugën e reformave e ta vijojë thirrjen e tij për liri e bashkëjetesë paqësore.

 Biri i të Tejetlartit e mbështetët angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe të vendeve që merren me vijimin e armëpushimit në Nagorno-Karabakh, si dhe në zonat lindore të Ukrainës dhe e favorizoftë dialogun,  si e vetmja rrugë që çon drejt paqes e pajtimit.

Foshnja Hyjnore e lehtësoftë vuajtjen e popullsive të Burkina Fasos, Malit, Nigerit, të  tronditura thellë nga kriza e rëndë humanitare, në bazë të së cilës janë ekstremizmat e konfliktet e armatosura, por edhe pandemia  e fatkeqësi të tjera natyrore; bëftë të marrë fund dhuna në Etiopi ku, për shkak të ndeshjeve, shumë njerëz detyrohen të ikin; i lehtësoftë banorët e rajonit të Cabo Delgado, në veri të Mozambikut;  i nxitët  prijësit e Sudanit të Jugut, të  Nigerisë e të Kamerunit të vijojnë udhën e nisur të vëllazërimit e të dialogut.

 Fjala e amshuar e Atit qoftë burim shprese për Kontinentin amerikan, posaçërisht i goditur nga koronavirusi, që shkaktoi shumë vuajtje të cilat e mundojnë, shpesh të rënduara më tej nga pasojat e korrupsionit e të trafikut të drogës. Ndihmoftë të kapërcehen tensionet e këtyre kohëve në Kili e të marrin fund vuajtjet e popullit venezuelan.

Mbreti i Qiellit i mbroftë popullsitë e dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore në jug-lindjen aziatike, posaçërisht në Filipine e në Vietnam, ku stuhi të panumërta shkaktuan përmbytje me pasoja shkatrrimtare për familjet që banojnë në këto troje, me humbje jetësh njerëzore, dëme të ambienteve e pasoja për ekonomitë vendase.

E, duke menduar për Azinë, nuk mund ta harroj popullin Rohingya: Jezusi, lindur i varfër ndërmjet të varfërve, u sjelltë shpresë në vuajtjet e tyre.

Të dashur vëllezër e  motra,

“Një fëmijë lindi për ne!” (Is 9,5). Erdhi të na shpëtojë! Ai na kumton se dhimbja dhe e keqja nuk janë fjala e fundit! Të dorëzohesh para dhunës e padrejtësive do të thotë të mos e pranosh gëzimin dhe shpresën e  Krishtlindjes.

Në këtë ditë feste u drejtoj një përshëndetje të posaçme atyre, që nuk u nënshtrohen rrethanave armiqësore, por përpiqen të sjellin shpresë, ngushëllim e ndihmë, duke i shtrirë dorën atij që vuan e duke e shoqëruar atë që është vetëm.

Jezusi lindi në një stallë, por i mbështjellë me dashurinë e Virgjërës Mari e të Shën Jozefit. Duke u mishëruar, Biri i Zotit e shenjtëroi dashurinë familjare. Mendimi im shkon në këtë çast tek familjet; tek ato që sot nuk mund të mblidhen bashkë, e edhe tek ato, që detyrohen të mbyllen në shtëpi. Për të gjithë, Krishtlindja qoftë rast që familja të shikohet përherë si djep i jetës e i fesë; vend i dashurisë mikpritëse, i dialogut, i faljes, i solidaritetit vëllazëror e i gëzimit të përbashkët, burim paqeje për mbarë njerëzimin.

Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve!”

25 dhjetor 2020, 13:28