Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Françesku: lutuni pa turp e pa frikë, Zoti do t’ju përgjigjet

Në audiencën e përgjithshme Papa vijoi ciklin e katekizmit kushtuar lutjes e ftoi për të kërkuar ndihmë edhe për gjërat më të vogla të jetës së përditshme: “Zoti e dëgjon britmën e atij që e thërret. I dëgjon edhe kërkesat tona të bëlbëzuara, ata që i kemi në fund të zemrës”.

Papa e nisi audiencën e përgjithshme duke u kujtuar besimtarëve se lutja e krishterë është plotësisht njerëzore e se përbëhet nga lavdi e urata. Krishti - shpjegoi - i mësoi dishepujt e vet të luteshin duke nisur nga Atyna, që ata e ne të mund të viheshim në lidhje mirëbesimi atëror me Zotin e të mund t’ia drejtonim të gjitha pyetjet. E ne i lutemi Zotit për dhuratat më të larta: shenjtërimin e emrit të Tij ndërmjet njerëzve, ardhjen e mbetërisë së Tij, realizimin e vullnetit të Tij të mirë për botën.

Hierarkia e pyetjeve drejtuar Zotit

Katekizmi na kujton - vijoi të shpjegonte Papa në audiencën e përgjithshme - se pyetjet kanë një hierarki; para së gjithash kërkohet Mbretëria, më pas çka është e nevojshme për ta pritur e për të bashkëpunuar për ardhjen e Tij. Po kur themi Atynën, lutemi edhe për dhuratat më të thjeshta e më të  zakonshme! Për bukën tonë të përditshme, që do të thotë edhe shëndet i përditshëm, edhe shtëpi, punë e doemos Eukaristi, aq e nevojshme për jetën në Krishtin; ashtu si edhe  falja e mëkateve e paqja ndërmjet nesh. E së fundi, i lutemi të na ndihmojë në tundime e të na çlirojë nga e keqja.

Të kërkosh do të thotë të lutesh

Të kërkosh, të lutesh. Kjo është shumë njerëzore - pohoi Françesku - duke  cituar, në vijim, Katekizimin që na kujton se me lutjen e kërkimit ne shprehim vetëdijen e lidhjes sonë me Zotin: ne jemi krijesa, nuk jemi  zanafilla, as  të zotët e ngjarjeve e as qëllimi i fundmë; madje, për më tepër, duke qenë mëkatarë, ne, si të krishterë, e dimë se largohemi nga Ati e çka duhet të kërkojmë është rikthimi tek Ai.

Lutja është dritë në mes të errësirës më të verbër

Nganjëherë - vijoi katekizimin e audiencës së përgjithsme Papa - kujtojmë se nuk kemi nevojë për asgjë, se na mjafton vetvetja e se mund të jetojmë me e për vetveten. Po heret a vonë ky iluzion bëhet hi e pluhur. Njeriu është lutje, që nganjëherë shndërrohet në britmë të përmbajtur. Shpirti ynë i ngjet tokës së plasaritur nga thatësira, që ka etje për ujë. Të gjithë, në një çast a një tjetër të jetës, e provojmë trishtimin, vetminë. Bibla nuk ka turp   të flasë për gjendjen e njeriut të sëmurë, për padrejtësitë, tradhtinë e miqve e kërcënimin nga armiqtë. Nganjëherë duket se gjithçka do të shembet, se jeta njerëzore deri më sot ka qenë kotësi e kotësive! Në këto situata, në dukje  krejtësisht të bllokuara, ka vetëm një rrugëdalje. Britma! Lutja: “Më ndihmo, o Zot!”. Lutja hap  një plasë drite në errësirën më të dendur!

Nuk jemi të vetmit që lutemi

Ne, njerëzit, nuk jemi të vetmit që “lutemi” në këtë univers pa anë e pa fund  - kujtoi Papa - duke përmbledhur, më pas, me pak fjalë madhështinë e gjithësisë. Në të çdo grimcë e krijesës e ka të shkruar në vetvete etjen për Zotin. Shën Pali e shpreh kështu këtë etje:

“E dimë se mbarë krijesa deri më sot gjëmon dhe vuan nga dhimbjet e lindjes. Dhe jo vetëm ajo! Por, edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë brenda vetes” (Rom 8, 22-24); në ne ndjehet fuqimisht, në një mori formash, gjëmimi i krijesave: i pemëve, i shkëmbijve, i kafshëve... Të gjitha sendet etshojnë për përkryerje”.

Çdo qenie e krijuar lutet

Pati shkruar Tertuliani:

“Çdo qenie e krijuar lutet; luten kafshët e bishat e përkulin gjunjtë; kur dalin nga stallat e nga strofkat ngrenë kokën drejt qiellit e nuk rrinë gojëmbyllur. Bërtasin sipas natyrës së tyre. E edhe zogjtë, sapo nisin fluturimin, shkojnë drejt qiellit duke shtrirë krahët si të ishin duar në formë kryqi,  duke cicëruar diçka, që i ngjet shumë lutjes (De oratione)”.

Lutja buron nga thellësitë e shpirtit

Nuk duhet të shkandullohemi, prandaj, nëse ndjejmë nevojën për t’u lutur, posaçërisht kur gjindemi ngusht - pohoi Papa - Është e vërtetë:  duhet të mësohemi ta bëjmë këtë edhe në kohë të lume; ta falënderojmë Zotin për gjithçka na u dha! Të mos e shikojmë kurrë asgjë si të sigurt: gjithçka është hir! E të mos e bëjmë të heshtë në shpirtin tonë lutjen, që na gurron vetvetiu nga zemra:

“Lutja shkon hap për hap me pranimin e kufizimeve tona, me pranimin se jemi krijesa. Ndoshta nuk mund të arrijmë të besojmë në Zotin, por vështirë se nuk besojmë në lutjen: ajo ekziston, buron nga thellësitë e shpirtit si britmë; e që të gjithë kemi të bëjmë me zërin e brendshëm, që mund edhe të heshtë për shumë kohë, po një ditë zgjohet. Një ditë nis e bërtet në kupë të qiellit”.

E Zoti përgjigjet. Nuk ka lutës në Librin e Psalmeve që larton ankimet e veta drejt qiellit e mbetet pa gjegje. Bibla na e përsërit pambarimisht!

Zoti e dëgjon britmën e atij që i lutet. Edhe kërkesat tona të bëlbëzuara, edhe ato që mbeten në fund të zemrës! Ati dëshiron të na dhurojë Shpitin e  vet, që frymëzon çdo lutje e shndërron çdo gjë. Është thjesht çështje durimi, aftësie për të pritur - kujtoi Papa - duke e përfunduar audiencën me optimizëm ngjitës, më të fuqishëm se çdo virus, që flauron në atmoseferën e globit këto kohë të ngarkuara pikërisht me frikën e vdekjes:

“Deri vdekja dridhet nga frika, kur i krishteri lutet, nga që e di se çdo lutës e ka një aleat më të fortë se ajo: Zotin e ngjallur. Vdekja është mundur tashmë nga Krishti. E do të vijë dita në të cilën gjithçka do të jetë përfundimtare e ajo nuk do të mund të tallet më me jetën tonë e me lumturinë tonë”.

09 dhjetor 2020, 11:29