Françesku lutet për detarët e bllokuar mbi anije nga koronavirusi

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa shprehu shqetësimin për fatet e punonjësve të detit, këto ditë kur coronavirusi shtegton edhe mbi valë, duke synuar të vendosë mbi fatet e tyre. Iu lut për ta Virgjërës Mari.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi kushtet e rënda të punonjësve të detit, të bllokuar në ujëra nga shkaku i pandemisë.

Shumë prej detarëve - llogariten rreth 400.000 në mbarë botën kujtoi Papa - janë bllokuar mbi anije përtej parashikimeve të kontratave e nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

E, pas këtij reflektimi, lutja e Atit të Shenjtë:

“I lutem Virgjërës Mari, Ylli i Detit, t’i ngushëllojë këta njerëz e të gjithë ata, që kalojnë çaste të vështira e i nxis edhe qeveritë të bëjnë ç’është e mundur, që të rikthehen tek të dashurit e tyre”.

Vëmendja e Françeskut për detarët

Nuk është hera e parë që Papa kujton vështirësitë  e njerëzve që jetojnë në det e të familjeve të tyre. Në mesazhin kushtuar detarëve qershorin e kaluar, Françesku pati nënvizuar flijimet e atyre që, për shkak të pandemisë, u detyruan të jetojnë për një kohë të gjatë mbi anije, pa mundur të zbresin në tokë. Atyre ua kushtoi edhe videon e ndjetit të lutjes të muajit gusht, me rastin e 100-vjetorit të Apostullimit Detit.

Papa ka arsye të veçanta për t’i falënderuar detarët

Ka arsye të veçanta për interesimin, që tregon Papa ndaj njerëzve të detit. Në qershorin e kaluar deshi t’i falënderojë për punën e tyre gjatë periudhës së lockdown, kur gjithçka qe ndalur në vend, por jo detarët, të cilët vijuan të transportonin 90% të mallrave e posaçërisht, mjekët, nga një skaj i botës në tjetrin. Për herë të dytë Papa i kujtoi më 13 korrikun e kaluar, në të dielën e detit, një e dielë kur kujtohen e falënderohen  detarët për punën e tyre në shërbim të jetës sonë, që të bëhet gjithnjë më e lehtë. E pastaj,  ndjeti i lutjes për muajin gusht, kushtuar Apostullimit të Detit, edhe pse sivjet kremtohej 100-vjetori i këtij Apostullimi, ndaj u vu më shumë në dukje ky realitet. Por mendohet se arsyeja kryesore, për të cilën Papa e ndjen veten kaq pranë njerëzve të detit, është sepse bota detare është një nga periferitë, në të cilën Kisha është e pranishme, në të cilën kisha punon. Portet janë në periferitë e qyteteve. E Kisha është e pranishme pikërisht atje. E pastaj duhet përmendë, me keqardhje, se në botën e detit janë edhe disa tema, për të cilat Papa interesohet shumë e me shumë dhimbje, sepse kanë të bëjnë me vuajtjet e njerëzve. Është fjala për punën e detyruar, trafikun e njerëzve, skllavërinë - ja, pra, pse Papa është kaq pranë njerëzve të detit!”.

20 dhjetor 2020, 14:15