Kërko

Vatican News
Papa gajtë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa gajtë lutjes së Engjëllit të Tënzot  (ANSA)

Françesku: gëzimi, rregull për të krishterët

Në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, që sivjet bie më 13 dhjetor - 51 vjetori i shugurimit meshtarak të Papës - Ati i Shenjtë foli për Gjon Pagëzuesin: “lider i kohës së tij, që e jetoi pritjen dhe gëzimin e ardhjes së Zotit pa e tërhequr kurrë mbi vete vëmendjen, por duke i orientuar të gjithë drejt Krishtit, dritës së vërtetë”.

R. SH. - Vatikan

Koha shket e shkon me shpejtësi - kujtoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot - por për kë beson, bëhet gazmore, sepse “Zoti është fare pranë”:

“…. kjo pëmasë e gëzimit  ndjehet posaçërisht sot,  e Diela e tretë, që hapet me thirrjen e Shën Palit ‘Gëzojuni gjithnjë në Zotin'. E cila është arsyeja? ‘Zoti është pranë! Sa ma afër nesh të jetë, aq më të gëzuar jemi; sa më larg, aq më të trishtuar’. Ky është rregull për të krishterët. Krishti të do, e ti nuk ndjen kurrfarë gëzimi? Të mendojmë, prandaj: a jam i gëzuar pse Krishti më do?”.

Ftesë e fuqishme për gëzim, pra, ishte kjo e Papës, karakteristikë e Kohës së Ardhjes, që po i afrohet Kohës së Lindjes së Zotit: Krishtlindjes! Gëzohemi sa herë presim  për vizitë ndonjë njeri, që e duam shumë; ndonjë mik, që nuk e shikojmë prej kohe! E këtë kujtoi sot Papa në lutjen e së dielës, kremtuar nga ditarja e Engjëllit, poshtë së cilës tashmë vezullon Bredhi - e Shpella e Betlehemit pret Mesnatën e festës, për ta parë të lindur, mbi grazhd, Jezusin. Është përmasa e gëzimit, që shpërthei posaçërisht sot, në të Dielën e tretë të kësaj Kohe, e cila nis me thirrjen e Shën Palit. E pse u dashka të gëzohemi? E kemi një arsye të fortë. Zoti është fare pranë. E sa më shumë na afrohet, aq më shumë zemrat tona galdojnë. Ndërsa kur na largohet, mbi shpirt zbret hija ogurzezë e trishtimit - kujtoi Papa.

Erdhi një njeri i dërguar nga Zoti

Ungjilli i sotëm sipas Gjonit - shpjegoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot Françesku - na paraqitet sot si personazh biblik i cili - duke përjashtuar Zojën e Shën Jozefin - është i pari që e jetoi më shumë se kushdo tjetër pritjen e Mesisë. E që e provoi gëzimin, kur e pa duke ardhur!

 Ungjilltari na paraqitet solemnisht, me fjalët: “Erdhi një njeri i dërguar nga Zoti… Erdhi si dëshmitar që të jepte dëshmi për dritën”.

“Pagëzuesi është dëshmitari i parë i Jezusit, me fjalë e me dhurimin e jetës. Të gjithë Ungjijtë pajtohen  kur  tregojnë si e realizoi  misionin e vet  duke e treguar Jezusin si Krisht, i dërguar nga Zoti, siç qe pretmuar nga profetët”.

Gjoni ishte prijës

Gjoni ishte prijës në kohën e vet. Fama e tij  qe përhapur në  të gjithë Judenë e edhe jashtë saj, deri në Galile.

“Po ai nuk u tundua për asnjë çast ta tërhiqte vëmendjen e të tjerëve mbi vetveten. I orientoi gjithnjë drejt Atij, që duhet të vinte. Thoshte: ‘Atij nuk jam i denjë t’i zgjidh as lidhëzat e këpucëve’”.

Kushti i parë i gëzimit të krishterë

Papa kujtoi, në vijim, kushtin e parë të gëzimit të krishterë: është shpërqendrohesh nga vetvetja, për ta vënë në qendër Jezusin. E ky nuk është  tjetërsim, sepse Jezusi është qendra, është drita, e cila i jep kuptim të plotë jetës së çdo burri e çdo gruaje që vjen në këtë botë.

“Është nxitja e dashurisë, që më shtyn të dal nga vetevtja jo për ta humbur veten, por për ta rigjetur ndërsa dhurohem, ndërsa kërkoj të mirën e tjetrit”.

E gjatë, rruga për ta gjetur Jezusin

Gjon Pagëzuesi përshkoi një rrugë të gjatë për të arritur tek dëshmimi i Jezusit: udha e gëzimit nuk është shëtitje. La gjithçka, qysh në të ritë e viteve të tij, për ta vënë Zotin në vendin e parë, për ta dëgjuar Fjalën e Tij me gjithë zemër, me të gjitha forcat. U tërhoq në shkretëirë, duke u zhveshur nga çdo gjë e tepërt, për të qenë më i lirë në ndjekjen e frymës së Shpirtit Shenjt. Natyrisht disa nga tiparet e tij janë të pashoqe, ndaj nuk mund t’u propozohen të gjithëve. Por dëshmia e tij është paradigmatike për kë dëshiron të kërkojë kuptimin e jetës së tij e të gjejë gëzimin e vërtetë. Posaçërisht, Gjon Pagëzuesi, është model i njerëzve që Kisha i thërret për t’ua kumtuar Krishtin të tjerëve: e këtë mund të bëjnë vetëm duke hequr dorë nga vetvetja e nga mendësia e botës, jo duke i tërhequr njerëzit kah vetja, por duke i drejtuar kah Krishti.

Në gjurmët e Marisë

Kur e themi lutjen e Engjëllit - kujtoi Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit - ne e shikojmë gjithë këtë të realizuar plotësisht në Virgjërën Mari: ajo e priti në heshtje Fjalën e shëlbimit të Zotit; e dëgjoi, e pranoi, e zuri në kraharor! Në të Zoti u bë i afërt:

“Prandaj Kisha e thërret Marinë ‘Shkaku i gëzimit tonë’”.

13 dhjetor 2020, 13:52