Papa Gjon Pali II në Lituani, Letoni e Estoni, 1993 Papa Gjon Pali II në Lituani, Letoni e Estoni, 1993 

Wojtyla dhe Evropa e Lindjes: lidhje e veçantë

U paraqit, përmes internetit, vëllimi kushtuar lidhjeve të veçanta të Gjon Palit II me Kishat e Evropës qendro-lindore. Përgatitur nën kujdesin e Jan Mikrut, profesor pranë Universitetit Gregorian, teksti përmbledh shkrimet e 50 personaliteteve kishtare e historike. Së shpejti do të shohë dritën e shtypit edhe një vëllim tjetër, i titulluar “Karol Wojtyla dhe Bashkimi Sovjetik”, me interes të madh për të hyrë në të njohurat e të panjohurat e asaj kohe, që solli shndërrime epokale në jetën e kombeve e të njerëzve, të cilët jetuan çka kishin ëndërruar.

R. SH. - Vatikan

Ishte Gjon Pali II, Papa që e drejtoi barkën e Kishës drejt brigjeve të Shekullit XXI. Tani, 15 vjet pas vdekjes e në njëqindvjetorin e lindjes së tij -  “e takojmë” në një libër të ri, që u paraqit të martën, më 17 nëntor. Libri ndalohet posaçërisht tek lidhjet e krijuara ndërmjet Papës polak dhe vendeve të Evropës qendro-lindore. Me titullin simbolik “Gjak nga gjaku ynë, asht nga eshtrat tona. Papnia e Gjon Palit II (1978-2005) dhe Kishat në Evropën qendrolindore”, i botuar nga Gabrielli Editore nën kujdesin e Jan Mikrut dhe të Universitetit Papnor Gregorian, në njëqindvjetorin e lindjes së Karol Wojtylës, përmbledh 50 zëra të personaliteteve kishtare, studiuesve e historianëve katolikë, latinë, greko-katolikë e ortodoksë, që ndalohen tek traditat dhe kulturat e vendeve  të kësaj zone evropiane. Libër historie, pra, që u jep material të ri edhe studiuesve, siç nënvizon në këtë intervistë, profesor Jan Mikrut, drejtor i Kolanës “Historia e Kishës në Evropën Qendro-Lindore”.

“Autorët e këtyre kontributeve janë studiues, profesorë, edukatorë. Prandaj libri ynë ofron edhe bazën metodologjike si dhe një literaturë, e cila arrin deri në gusht 2020, pra krejt e freskët, e jo vetëm një  zë, që mund ta vlerësojë këtë kohë nga këndvështrimi i një autori të vetëm, por një mori zërash. Këta zëra e pasqyrojnë në një mori mënyrash pikërisht lidhjen e  tyre me këtë Papë të jashtëzakonshëm. Personalisht jam shumë i lumtur  që pikërisht ky libër është pjesa e parë e një projekti, kushtuar Wojtylës. E dyta  pjesë e projektit tonë do të titullohet “Gjon Pali II dhe Kisha katolike në Bashkimin Sovjetik”.

Një nga elementet e përbashkëta të këtyre 50 kontributeve të mbledhura në librin tuaj, është ai i miqësisë së Gjon Palit II me këta popuj. Ç’e karakterizonte këtë miqësi?

“Karakterizohej nga lidhja e Selisë së Shenjtë me popujt e veçantë të Evropës qendro-lindore. Këto vende kanë një histori shumë të ndryshme edhe në rrjedhën e shekullit XX, sepse gjithçka varej nga situata politike. Gjon Pali II e njihte shumë mirë larminë e traditave të tyre, kulturën e tyre, e kjo, natyrisht, vlerësohej shumë prej tyre.  Kërkuam, prandaj, njerëz që   bënin prej vitesh kërkime në fushën e historisë  bashkëkohore evropiane, me domethënie të madhe edhe aspektet kombëtare. Tejet të rëndësishme janë, në këtë drejtim, kontributet nga Bosnjë-Hercegovina e nga Kroacia, ku Lufta Botërore pati domethënie të ndryshme. E pastaj duhet kujtuar vizita e Gjon Palit II në Sarajevë, kur ishte tashmë i sëmurë. Asokohe bënte shumë ftohtë, por ai ngulte këmbë. Donte të shkonte doemos, për  të kërkuar paqen për të gjithë popujt, për të kërkuar tolerencën, mundësinë për një jetë të përbashkët të bashkësive të ndryshme, që bashkëjetonin prej shekujsh në këto troje. Pra mund të themi se veçantia e këtij vëllimi lidhet edhe me zhvillimet politike. Natyrisht pjesën kryesore të tekstit ia kushtuam Kishës Katolike në Poloni, thjesht për faktin se Papa ishte polak dhe e njihte shumë mirë vendin e tij. E vihen në dukje edhe vështirësitë  e inserimit të mësimeve të tij, sepse e gjithë kjo ndodhte në periudhën kur polakët patën mundësi të jetojnë në liri e kur Gjon Pali II ishte i shqetësuar për rrugën që do të merrte zhvillimi i shoqërisë e kërkonte t’u tregonte udhën, e t’ua tregonte saktësisht”.

Si ndryshoi përmasa e ekumenizmit në këto vende me Gjon Palin II?

“Situata e ekumenizmit ishte shumë e ndryshme në vende  të veçanta. Për shembull, në Bullgari ose në Serbi, ku shumica e popullsisë është ortodokse e ku ekumenizmi jetohet në formë shumë të sinqertë, ka bashkëpunim të mirë. Po situata ndryshonte në Bosnjë-Hercegovinë, ku  marrëdhëniet ndërmjet popujve të ish- Jugosllavisë, kroatë katolikë, serbë ortodoksë e boshnjakë myslimanë, ishin shumë më të ndërlikuara. Po këtu shikojmë edhe sa i jashtëzakomshëm ishte mësimi i Gjon Palit II,   vlerësimi i feve e i bashkëjtesës paqësore nga ana e Papës, për të cilin toleranca ishte themelore. E situata është ende e ndryshme, për shembull, në Shqipëri”.

Ju çuditi ndonjë fakt duke studiuar këtë aspekt të Papnisë së Gjon Palit II?

“Ky libër ngjall interes të madh. Problematika është shumë e rëndësishme e pak e njohur në këndvështrimin evropian. Për ne është me rëndësi të madhe që historinë kroate ta shkruajnë kroatët; historinë boshnjake, boshnjakët; atë rumune, rumunët; shqiptaren - shqiptarët - që nuk janë as italianë, as gjermanë e as amerikanë. Sepse ata nuk mund ta bëjnë historinë e këtyre vendeve. Kështu këta popuj mund ta paraqesin me krenari  frytin e kërkimeve të tyre, pa çka se, për shkak të gjuhës, nuk mund t’i lexojnë menjëherë të gjithë. Këtu kujtojmë se kolana nuk përfundon me këtë libër, sepse po përgatitet, për shkurtin e ardhshëm, edhe vëllimi i dytë, kushtuar Gjon Palit II dhe Kishës katolike në Bashkimin Sovjetik. Jam i bindur se do të jetë një botim shumë domethënës, sepse Gjon Pali II, në këtë territor, pas një shekulli, nisi të krijojë strukturat, të themelojë dioqezet, të organizojë vikariatet apostolike e administraturat apostolike. Krijoi, pra,  bazën, mbi të cilën rriten sot format e reja të jetës kishtare!”.

 

 

18 nëntor 2020, 16:08