Videomesazh i Papës për mjekët e infermierët: jeni heronjtë e pakremtuar të pandemisë

“Dua të jem pranë gjithë mjekëve dhe infermierëve, veçanërisht në këtë kohë, kur pandemia na bën thirrje t’u qëndrojmë afër burrave dhe grave që vuajnë”. Kështu Papa, në një videomesazh për mjekët dhe infermierët e Argjentinës.

R.SH. - Vatikan

“Ju jeni heronjtë e pakremtuar të kësaj pandemie. Sa prej jush kanë dhënë jetën për t’u qëndruar pranë të sëmurëve! Faleminderit për afërsinë, faleminderit për ëmbëlsinë tuaj, faleminderit për profesionalitetin, me të cilin kujdeseni për të sëmurët”: kështu pohon Papa Françesku, në një videomesazh, ku shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë mjekët dhe infermierët e Argjentinës. Fjalët e Papës u bënë të njohura nga Komisioni Ipeshkvnor për Baritorinë e Shëndetit, kryesuar nga imzot Alberto Bochatey, me rastin e dy përvjetorëve: më 21 nëntor, u kremtua “Dita e Infermierëve”, njëkohësisht me festën e Zojës së Mjekimeve; të enjten, 3 dhjetor, do të kremtohet “Dita e mjekëve”.

Papa pranë mjekëve dhe infermierëve

“Dua të jem pranë gjithë mjekëve dhe infermierëve - thekson Papa në videomesazh - veçanërisht në këtë kohë, kur pandemia na bën thirrje t’u qëndrojmë afër burrave dhe grave që vuajnë”. “Unë lutem për ju me gjithë zemër - përfundon Papa – i kërkoj Zotit të bekojë secilin prej jush e familjet tuaja dhe t’ju shoqërojë në punë e në problemet, që mund të hasni. Zoti qoftë pranë jush, ashtu siç jeni edhe ju pranë të sëmurëve. E, mos harroni të luteni për mua”.

Impenjimi i jashtëzakonshëm i mjekëve dhe i infermierëve

Në videomesazh pasqyrohen pamje të shumta nga impenjimi i përditshëm i punonjësve shëndetësorë me të sëmurët: në spital, në ambulancë, në repart, mjekët dhe infermierët vizitojnë, kujdesen, ngushëllojnë të vuajturit me gjeste, fjalë dhe vështrime. Një zë i jashtëm shpreh mirënjohjen e jashtëzakonshme për punën e tyre, duke i “përshëndetur ngrohtësisht e plot dashuri”, në emër të gjithë atyre, që çdo ditë, kanë një mundësi më shumë për të jetuar, pikërisht nga puna e mjekëve dhe e infermierëve. “Duam t’ju falënderojmë që u kujdesët për ne, – pohon zëri në videomesazh – që u kujdesët për familjen dhe për miqtë tanë, që u kujdesët për dobësinë tonë, që u kujdesët për çdo jetë”. “Faleminderit që ishit pranë nesh - përfundon videomesazhi – që erdhët për të na dëgjuar, për të na menduar, faleminderit për guximin, për përkushtimin tuaj bujar, për gatishmërinë, për shërbimin vetëmohues, për përpjekjet tuaja, që na shoqëruan dhe na mbështetën me shpresë. Zoti i bekoftë dhe u kujdestë për të gjithë mjekët dhe infermierët, sot e përgjithmonë”. Pamjet e fundit të videomesazhit tregojnë buzëqeshjet dhe sytë plot gëzim e lehtësim në fytyrat e shumë të sëmurëve, duke e bërë të qartë i kujt ishte ai zë i jashtëm, që falënderonte pa pushim.

23 nëntor 2020, 11:23