Vatikan: Koncistori, dy kardinaj të rinj nuk mund të vijnë në Romë

Salla e Shtypit e Vatikanit njofton procedurat për kremtimin e Koncistorit, që do të mbahet të shtunën, 28 nëntor, në orën 16.00. Dy nga 13 kardinajtë e rinj nuk do të jenë të pranishëm, për shkak të pandemisë, por ata dhe të tjerë do të lidhen përmes platformës dixhitale. Janë anuluar vizitat tradicionale të urimit dhe pjesëmarrja e besimtarëve do të jetë e reduktuar

R.SH. - Vatikan

Koncistori i shpallur nga Papa Françesku për krijimin e 13 kardinajve të rinj, që do të mbahet të shtunën, më 28 nëntor në Vatikan, do të transmetohet edhe në internet, për shkak të masave kundër koronavirusit. Kështu, edhe ata, që nuk kanë mundësi të vijnë në Vatikan, do të mund ta ndjekin nga larg. Njoftimin e dha sot, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, i cili nënvizoi se dy nga kardinajtë e rinj – vikari apostolik i Bruneit, imzot Cornelius Sim dhe kryeipeshkvi i Capiz në Filipine, imzot Jose F. Advincula – nuk do të mund të marrin kësulën kardinalore në Romë, pasi nuk mund të lëvizin nga vendi i tyre, për shkak të emergjencës shëndetësore. Një përfaqësues i Atit të Shenjtë do t’ua dorëzojë atë, unazën dhe bulën me titullin kardinalor, në një çast tjetër, që akoma duhet caktuar.

Koncistori, në internet

 Megjithatë, shpjegoi Bruni, ata dhe anëtarë të tjerë të Kolegjit Kardinalor mund të bashkohen në kremtimin e Koncistorit përmes platformës dixhitale, që do t’u mundësojë lidhjen me Bazilikën e Vatikanit. Të shtunën, më 28 nëntor, në orën 16.00, Papa Françesku do të hapë Koncistorin e zakonshëm publik për krijimin e 13 kardinajve të rinj, nga altari i Katedrës së Shën Pjetrit.

Programi të së shtunës dhe i së dielës

Për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit, nuk do të lejohen vizitat e zakonshme të urimit. Gjithashtu, kremtimi i Koncistorit nuk do të ketë formën e Kapelës Papnore dhe do të mbahet me një pjesëmarrje shumë të kufizuar njerëzish (besimtarë laikë, rregulltarë, meshtarë dhe ipeshkvij). Prandaj, biletat e zakonshme falas të Prefekturës së Shtëpisë Papnore, që jepen për kremtimet e Atit të Shenjtë, do t’u rezervohen vetëm shoqëruesve të kardinajve të rinj. Numri i besimtarëve të pranishëm nuk do ta kalojë 100-shin e ata do të qëndrojnë pas kardinajve aktualë të Kolegjit. Të pranishëm, edhe famullitarët dhe rektorët e kishave titullare, që Papa do t’ua besojë kardinajve të rinj. Kremtimi do të zhvillohet si zakonisht, por pa shkëmbimin e paqes. Kardinajtë do të marrin nga duart e Atit të Shenjtë kësulën, unazën dhe bulën me titullin, duke lëvizur në mënyrë të alternuar nga e majta e nga e djathta e altarit e duke ruajtur distancën. Në fund të kremtimit, Papa Françesku do të kalojë në sakresti përmes kapelës së shën Jozefit.

 Të dielën, 29 nëntor, në orën 10.00, Papa Françesku do të kremtojë meshën me pjesëmarrjen e kardinajve të rinj, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

23 nëntor 2020, 13:31