Papa: t’i jepet fund derdhjes së gjakut të pafajshëm në Nagorno-Karabakh

Mendimi i Papës shkoi përsëri sot në Nagorno-Karabakh. Pas Engjëllit të Tënzot kujtoi dhimbjen për konfliktin në Kaukaz, që vijon. Më pas u lut për të dëmtuarit nga tërmeti në Detin Egje dhe kujtoi se nesër do të kremtojë Meshën për shpirtrat e të vdekurve, në varrezën teutonike, në Vatikan.

R. SH. -  Vatikan

Në këtë ditë feste - kujtoi Papa pas lutjes së Engjëllit - nuk duhet të harrojmë çfarë po ndodh në Nagorno Karabakh, ku ndeshjet e armatosura  pasojnë armëpushimet e brishta, me shtimin tragjik të viktimave, shkatërrimin e ndërtesave, të infrastrukturave e vendeve të kultit e me pjesëmarrjen gjithnjë më masive të popullsive civile. E kjo është tragjike!

“Dëshiroj t’u përsëris thirrjen time përgjegjësve të palëve në konflikt për të ndërhyrë sa më shpejt të jetë e mundur e për ta ndaluar derdhjen e gjakut të pafajshëm. Nuk duhet të mendojnë t’i zgjidhin me dhunë konfliktet, por duke u angazhuar në bisedime të sinqerta, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Nga ana ime, jam pranë të gjithë atyre, që vuajnë e i ftoj të kërkojnë ndërmjetësimin e shenjtorëve për arritjen e paqes së qëndrueshme në këtë zonë”.

Dje, në Hartford të SHBA-ve u shpall i lum Michael Mc Givney

Papa kujtoi edhe se dje, në Hartford të SHBA-ve, u shpall i lum Michael Mc Givney, meshtar dioqezan, themelues i Kalorësve të Kolombos:

“I angazhuar në ungjillëzim, iu kushtua me gjithë shpirt ndihmës së nevojtarëve. Shembulli i tij na ndihmoftë të gjithë për ta dëshmuar përherë e më shumë ungjillin e mëshirës”

Një duartrokitje për të Lumin e ri - i ftoi Papa besimtarët.

Lutje për viset e goditura nga tërmeti

Në vijim Ati i Shenjtë bëri thirrje për t’u lutur për popullsitë e zonës së Detit Egje, duke kujtuar se dy ditë më parë u dëmtuan rëndë nga një tërmet i fuqishëm, që rrëzoi shumë banesa e, me to, edhe shumë jetë njerëzish.

Përshëndetje, të gjithëve!

Në përfundim Françesku i përshëndeti gjithë të pranishmit, romakë e shtegtarë, ardhur nga vise të ndryshme të botës, duke i dhënë Sheshit larushinë e pashembullt të të dielave e festave. Një përshëndetje e posaçme, ajo  drejtuar pjesëmarrësve në vrapimin e shenjtorëve, organizuar nga Fondacioni Dom Bosko në botë, që sivjet bënë garë edhe në distancë e individualisht.

“Ndonëse u zhvillua në grupe të vogla, duke respektuar rregullat e imponuara nga pandemia, kjo ngjarje sportive krijoi atmoferën e një feste popullore në kremtimin fetar të të Gjithë Shenjtorëve. Ati i Shenjtë i falënderoi për praninë e tyre në festë”.

Nesër – përkujtimi i të vdekurve

Nesër pasdite - kujtoi më pas Papa - do të kremtoj Meshën për kujtim të të vdekurve, në Varrezën Teutonike, vendvarrosje në Qytetin e Vatikanit. Do të bashkohem, kështu, shpirtërisht, me të gjithë ata që këto ditë, duke respektuar normat shëndetësore, shkojnë të luten pranë varreve   të të dashurve në të katër anët e botës.

Urime, të gjithëve!

Të gjithë - tha në përfundim Françesku - i uroj:

“Gëzuar festën, në shoqëri shpirtërore me shenjtorët e pa harruar të luteni edhe për mua!”.

 

01 nëntor 2020, 13:47