Kërko

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Françesku: “Shtrija dorën të varfërit: është Krishti!”.

Edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në këtë të diel të parafundit të vitit liturgjik, Papa e kujtoi përsëri shëmbëllyrën e talenteve. E bëri një thirrje të fuqishme, drejtuar gjithë të krishterëve të botës: “Shtrija dorën të varfërit! Shtrija dorën tënde. Nuk je vetëm ti në jetë: ka njerëz që kanë nevojë për ty. Mos ji egoist: shtrija dorën të varfërit!”.

R. SH. - Vatikan

Edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në këtë të diel të parafundit të vitit liturgjik, Papa e kujtoi përsëri shëmbëllyrën e talenteve. Pjesë e predikimit të Krishtit, kushtuar përmbushjes së kohëve, i paraprin mundimeve, vdekjes dhe ngjalljes së Zotit - shpjegoi - duke përmbledhur, më pas, me pak fjalë, përmbajtjen e shëmbëlltyrës së mirënjohur të zotërisë,  që ia beson pasurinë e vet tre shërbëtorëve: të parit i beson pesë talente, të dytit dy, të tretit një.  Sqaroi edhe se i shpërndau sipas aftësive të secilit; mbasi dihet mirë se nuk jemi të gjithë njëlloj e nuk dëshiron të privilegjojë asnjërin, në dëm të tjetrit!

E, pasi përshkroi çka bënë shërbëtorët me paratë: i pari e i dyti e dyfishuan shumën, ndërsa i treti e fshehu talentin në një vrimë, nga frika e hajdutëve - Papa u ndalua tek çasti i kthimit të zotërisë. U kthye, pra, zotëria, e menjëherë u kërkoi llogari. Dy të parët i paraqitën frytet e mira, e ai i lavdëroi e i ftoi të marrin pjesë në gëzimin e tij. Ndërsa i treti, duke e parë veten ngusht, nisi të shfajsohet. “Zotëri - i tha - e di se je njeri i ashpër, që korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe. Pata frikë, ndaj shkova dhe e fsheha  talentin tënd nën dhe: ja ku e ke, merre! Dembel i madh siç ishte, e mbron veten, duke  akuzuar tjetrin. Zakon ky, që e kemi edhe ne: shpesh mbrojmë veten, duke akuzuar të tjerët. Po ata nuk kanë faj: fajin e kemi ne vetë, e meta është jona.

Pasuritë që morëm nga Zoti, duhet t’i përdorim

Kjo shëmbëlltyrë vlen për të gjithë, por posaçërisht për të krishterët - kujtoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa. – Eshtë aktuale edhe për sot: sot, që është Dita e të varfërve, kur Kisha na thotë ne, të krishterëve:

“Shtrija dorën të varfërit! Shtrija dorën tënde. Nuk je vetëm ti në jetë: ka njerëz që kanë nevojë për ty. Mos ji egoist: shtrija dorën të varfërit!”.

Të gjithë, si qenie njerëzore, e kemi marrë një “pasuri” nga Zoti: në radhë të parë, vetë jetën, pastaj një mori cilësish fizike e shpirtërore. Si dishepuj të Krishtit, kemi marrë fenë, Ungjillin, Shpirtin Shenjt, Sakramentet. Këto dhurata duhet t’i përdorim për të bërë mirë në këtë botë, parë si shërbim që ia bëjmë Zotit e vëllezërve. E sot Kisha të thotë, na thotë:

“Përdore këtë që të dha Zoti e shikoi të varfërit: shikoi! Janë shumë, Edhe në qytetet tona, në qendër të qyteteve tona: janë shumë. Bëni mirë!”

Ne nganjëherë mendojmë se të jesh i krishterë do të thotë të mos i bësh kujt keq. Gjë e mirë të mos bësh keq. Por është keq të mos e bësh të mirën:

“Duhet të bëjmë mirë, të dalim nga vetevtja, të dalim e të shikojmë ata që kanë më shumë nevojë. Ka shumë uri, edhe në zemër të qyteteve tona, e shpesh ne hyjmë në logjikën e indiferencës; i varfëri është aty e ne kthejmë kokën nga ana tjetër. Shtrija dorën të varfërit: është Krishti!”.

 Po disa thonë: “E po këta priftërinjtë, këta ipeshkvijtë që na flasin për të varfërit… ne duam të na flasin për jetën e pasosur!”:

“Shiko, vëlla, motër, të varfërit janë në qendër të Ungjillit: është Jezusi ai, që na mësoi të flasim për të varfërit. Jezusi, që erdhi për të varfërit. Shtrija dorën të varfërit! More një mori gjërash e e lë tët vëlla, tande motër të vdesë nga uria?”.

Të dashur vëllezër e motra - vijoi Papa - secili ta thotë në zemër të vet këtë, që Zoti po na e thotë sot! Ta përsërisë në zemër të vet:

“Shtrija dorën tënde të varfërit! E Jezusi na thotë edhe diçka tjetër: ‘Ta dish, jam unë i varfëri’. ‘Jam unë!’ - na thotë Krishti”.

Në përfundim,  lutja drejtuar Zojës së Bekuar

Si zakonisht, Papa e përfundoi lutjen duke iu drejtuar Zojës së Bekuar, e duke theksuar:

“Maria e mori Jezusin nga vetë Zoti, por nuk e mbajti për vete, ia dhuroi botës, popullit të vet. Të mësojmë prej saj për t’ua shtrirë dorën të varfëve!”.

15 nëntor 2020, 13:50