Kërko

Cosmos. Discurso papa a scuola di astrofisica Cosmos. Discurso papa a scuola di astrofisica 

Papa: tё pasurohet dialogu ndërmjet shkencës e fesё

Papa: Shoqëria pasurohet me dialogun ndërmjet shkencës dhe fesё, i cili hap horizonte të reja të mendimit. Përparimi shkencor duhet të shndritet me dritën e fesё, në mënyrë që të respektojë centralitetin e njeriut. #WorldScienceDay

R.SH. - Vatikan

"Shoqëria pasurohet me dialogun ndërmjet shkencës dhe fesё, i cili hap horizonte të reja të mendimit. Përparimi shkencor duhet të shndritet me dritën e fesё, në mënyrë që të respektojë centralitetin e njeriut. #WorldScienceDay". Kёshtu shkruan Papa Françesku nё njё tweet, sot mё 10 nёntor 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex, nё Ditёn Botërore tё Shkencës në Shërbim të Paqes dhe Zhvillimit.

Mos kini frikë nga e vërteta

 “Kisha të mos ketë kurrë frikë nga risitë, që sjellin zbulimet shkencore”. Kështu pohoi Papa Françesku në përshëndetjen drejtuar mё 12 maj 2017 pjesëmarrësve të Takimit me temë “Vrimat e zeza, Valët gravitacionale dhe veçoritë e përmasave hapësirë-kohë”, organizuar nga Spekula apo Observatori i Vatikanit. Gjatë takimit tё 12 majit 2017, me pjesëmarrjen e shkencëtarëve nga e gjitha bota, u përkujtua trashëgimia e kozmologut belg, imzot George Lemaître, që konsiderohet ati i teorisë së Big-Bang-ut e që ka qenë drejtor i Akademisë Papnore të Shkencave, nga viti 1960 deri në vitin 1966, vit i vdekjes së tij.

 “Në pafundësinë hapësinore e kohore – pohoi Papa Françesku – ne njerëzit mahnitemi dhe e ndjejmë vogëlsinë tonë”. Duke cituar Albert Einsteinin, Ati i Shenjtë nënvizoi: “mund të thuhet se misteri i amshuar i botës është kuptueshmëria (qartësia) e saj”. Universi, iu drejtua Papa shkencëtarëve, na tregon vetë se nuk është fryt i kaosit apo i rastit, por i Dijes Hyjnore. Njerëzit duhet ta kërkojnë këtë të vërtetë: “Nuk duhet pasur kurrë frikë nga e vërteta, as duhet të mbyllemi në qëndrime të patundura, por duhen pranuar risitë e zbulimeve shkencore me përvuajtëri të plotë. Duke ecur drejt periferive të njohurive njerëzore, mund të bëjmë vërtet përvojën autentike të Zotit, i cili është në gjendje të na e mbushë plot zemrën”.

Imzot Lemaître, shembull harmonie krijuese ndërmjet shkencës dhe fesë

Papa Françesku theksoi se temat, që kanë të bëjmë me universin janë themelore për shkencën, por edhe për teologjinë. Kujtoi më pas, figurën e imzot Lemaître dhe trashëgiminë e tij të madhe për Kishën dhe për punën kërkimore-shkencore: “Imzot Georges Lemaître, në aspektin e tij të dyfishtë si meshtar katolik dhe kozmolog, me një tension të pandërprerë e krijues ndërmjet shkencës dhe fesë, e ka pranuar gjithnjë qartas dallimin metodologjik ndërmjet shkencës e teologjisë, parë si fusha më kompetenca të ndryshme, të cilat, megjithatë, u bashkuan harmonishëm në jetën e tij. Ky dallim, i pranishëm që me Shën Tomën e Akuinit, na mbron nga krijimi i lidhjeve të shkurtra, që mund të jenë të dëmshme si për shkencën, ashtu edhe për fenë”.

Kisha në kufijtë ndërmjet fesë e shkencës

“Kisha e barinjtë e saj le ta përqafojnë, inkurajojnë e promovojnë shkencën e vërtetë. Dialogu ndërmjet shkencës e fesë është i rëndësishëm”: Kёshtu Papa, në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve të simpoziumit të promovuar nga Observatori Astronomik i Vatikanit, të cilët mё 18 shtator 2015 i priti në audiencë në sallën e Papëve në Pallatin Apostolik në Vatikan, nënvizoi rëndësinë e dialogut ndërmjet shkencës e fesë.

“Gjithësia –vërejti Papa – është diçka më shumë se një problem thjesht shkencor për t’u zgjidhur: është mister i hareshëm që kundrojmë në gëzim e lavdi”. E Françesku ripohoi se “Kisha ka nevojë urgjente për rregulltarë që përkushtojnë jetën e tyre në fushën e kërkimeve shkencore, duke qëndruar pikërisht në kufijtë ndërmjet fesë e diturisë njerëzore, fesë e shkencës moderne. Kisha e barinjtë e saj ta përqafojnë, ta inkurajojnë e promovojnë shkencën e vërtetë”.

Shkenca e feja për një kulturë që respekton njeriun

Shkenca dhe feja janё tё thirrura të bashkëpunojnë për të mirën e njerëzimit. Kisha ёshtё e bindur për nevojën urgjente të dialogut të vazhdueshëm e të bashkëpunimit të përhershëm ndërmjet botës së shkencës dhe asaj të fesë, për të krijuar një kulturë, që respekton njeriun, dinjitetin dhe lirinë e tij.

Kompleksiteti i shkencave dhe zbulimet e tyre, ndikojnë drejtpërdrejt mbi shoqërinë njerëzore. Prandaj ky dialog është i rëndësishëm për të ardhmen e familjes njerëzore e për zhvillimin e planetit. Pa këtë bashkëveprim të nevojshëm, çështjet e mëdha të njerëzimit largohen nga terreni i arsyes dhe i së vërtetës e lihen në mëshirën e irracionales, të mitit apo të indiferencës, me dëme të mëdha për njerëzimin, për paqen e së fundi, edhe për fatin tonё.

Kisha vё në dukje pikat e kontaktit ndërmjet fesë e shkencës dhe thekson se është për atë përparim shkencor, që i sjell vërtet të mira njerëzimit. Nuk duhet të mendojmë se shkenca na i zgjidh të gjitha problemet, por as nuk duhet të kemi frikë prej saj. Detyra e objektivi saj i vërtetë, edhe në dritën e zhvillimeve të jashtëzakonshme të shekullit të fundit, ishte e mbetet kërkimi plot durim e njëkohësisht plot pasion i së vërtetës, që ka të bëjë me gjithësinë, me natyrën dhe me njeriun. Një punë kërkimore, që mund të ketë suksese dhe dështime. Zhvillimi mund të kalojë çaste ekzaltuese, kur zbulohen aspekte të ndërlikuara të natyrës, por edhe çaste përvuajtërie, kur teoritë, që mendohej se kishin shpjeguar disa fenomene, dalin vetëm të pjesshme.

Kisha rithekson vlerësimin e madh që ka për punonjësit shkencorë dhe shpreh mirënjohjen për të gjitha përpjekjet e tyre për tё mirёn e familjes njerëzore. Nga ana e saj, Kisha është e bindur se në fund të fundit, aktiviteti shkencor përmirësohet nga njohja e përmasës shpirtërore të njeriut dhe kërkimit, që ai bën për të marrë përgjigjet mbi fatin e fundmë. Nё kёtё Ditё Botërore tё Shkencës në Shërbim të Paqes dhe Zhvillimit, Kisha shpreh urimin e shpresën për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet fesë e shkencës.

10 nëntor 2020, 12:06