Papa, rregulltarëve skolopë: edukoni respektin për njeriun e gjithësinë

Në një mesazh për Urdhrin e Rregulltarëve të Varfër të Nënës së Zotit të Shkollave Kishtare, Papa kujton se jeta e shuguruar është në vijën e parë të frontit edukativ. Ftesë e Françeskut për të përtërirë impenjimin dhe entuziazmin e themeluesit, shën Jozef Kalasancit

R.SH. - Vatikan

Vlerësimi i njeriut, mirëpritja dhe integrimi i tij: këto janë tri vijat e veprimit për t’i dhënë hov Paktit edukativ, që përvijoi Papa Françesku, me rastin e takimit on-line, promovuar nga Bashkimi i Eprorëve të Përgjithshëm dhe nga Bashkimi Ndërkombëtar i Eprorëve të Përgjithshëm të Skolopëve. Takimi fillon sot e përfundon të shtunën. Në një Letër për ta, Ati i Shenjtë kujton se “jeta rregulltare ka qenë gjithmonë në vijën e parë të frontit edukativ”, duke ndjekur shembullin e shën Jozef Kalasancit, themeluesit të shkollës së parë popullore falas në Romë, të hapur për të gjithë. “Sot, Kisha - shkruan Papa - ju bën thirrje ta përtërini këtë impenjim, duke filluar nga identiteti juaj. Ju falënderoj që e keni marrë këtë trashëgimi me kaq shumë përkushtim dhe entuziazëm”.

E ardhme në paqe

 E para nga tri vijat e sugjeruara nga Papa ka të bëjë me vlerësimin e njeriut si të tillë, me “dinjitetin e tij, që të vihet kështu në dukje veçoria, bukuria, uniciteti i tij e, njëkohësisht, edhe aftësia e tij për t’u lidhur me të tjerët e me realitetin, që e rrethon”. Detyra e edukatorit është të nxjerrë në dritë “aftësi e mjete” për të “ndërtuar së bashku një të ardhme në drejtësi e paqe”.

Të refuzojmë kulturën e hedhurinave

Prandaj, vijon Ati i Shenjtë, duhet punuar me njerëzit, duke i mirëpritur ata e, ky është udhëzimi tjetër, që përmbahet në Letër. Papa kërkon të inkurajohen “fëmijët dhe të rinjtë që të mësojnë të lidhen, të punojnë në grup, të hedhin poshtë kulturën e hedhurinave”. “Në të njëjtën mënyrë - vazhdon Papa - është e rëndësishme që ata të mësojnë ta ruajnë shtëpinë tonë të përbashkët, duke e mbrojtur nga shfrytëzimi i burimeve, duke pasur stile jetese më të thjeshta dhe duke u përpjekur të shfrytëzojnë plotësisht energjitë e rinovueshme, me respekt për ambientin njerëzor e natyror, me respekt për parimin e subsidiaritetit, të solidaritetit dhe të ekonomisë rrethqarkulluese”.

Ta shohim botën me sy të rinj

 Së fundi, Papa Françesku shpjegon rëndësinë e integrimit e të përfshirjes, duke kujtuar se dëgjimi i tjetrit nuk duhet të jetë dëgjim i thjeshtë, që më pas harrohet. “Përfshirje dhe impenjim do të thotë të punosh për t’u dhënë fëmijëve dhe të rinjve mundësinë për ta parë këtë botë, që ua lëmë në trashëgim, me sy kritik, në gjendje të kuptojnë problemet në fushat ekonomike, politike, problemet e zhvillimit e të përparimit dhe të propozojnë zgjidhje me të vërtetë në shërbim të njeriut dhe të gjithë familjes njerëzore, në perspektivën e një ekologjie të gjithanshme”. Në përfundim të letrës drejtuar atë Pedro Aguado Cuesta, epror i përgjithshëm i skolopëve, Papa siguron lutjen e tij që “edhe jeta rregulltare të jetë pjesë themelore e aleancës edukative globale në këtë çast historik”.

12 nëntor 2020, 14:17