Papa falënderon “mujeres de las villas” për impenjimin kundër abortit

Në një letër të datës 22 nëntor, Papa Françesku mbështet “mujeres de las villas”, një rrjet grash, të cilat, duke filluar nga viti 2018, vijojnë luftën për mbrojtjen e të palindurve, veçanërisht në lagjet popullore të Buenos Airesit. Ati i Shenjtë pohon se “është mirë t’i bëjmë vetes dy pyetje: a është e drejtë ta eliminojmë jetën njerëzore për të zgjidhur një problem? Dhe, a është e drejtë të punësosh një vrasës?”

R.SH. - Vatikan

Me një letër të autografuar të datës 22 nëntor, Papa Françesku thekson rëndësinë e mbrojtjes së jetës nga përpjekjet për të ligjëruar praktikën e abortit në Argjentinë. Letra e Papës, drejtuar deputetes Victoria Morales Gorleri, i përgjigjet një shkrimi tjetër dërguar Atit të Shenjtë nga “mujeres de las villas”, një rrjet grash, të cilat, duke filluar nga viti 2018, vijojnë luftën për mbrojtjen e të palindurve, veçanërisht në lagjet popullore të Buenos Airesit. Në veçanti, nënshkrueset e letrës i kërkojnë Papës mbështetje për impenjimin e tyre kundër ligjërimit të abortit, që ka shkaktuar shumë debate në vend.

Dy pyetjet e Françeskut

Në përgjigjen e tij, Papa i “falënderon sinqerisht” këto gra, duke shprehur admirim “për punën dhe dëshminë e tyre” e duke i inkurajuar të ecin përpara. “Vendi është krenar që ka gra të tilla”, nënvizon Françesku, duke theksuar se “problemi i abortit nuk është çështje thjesht fetare, por ka të bëjë me etikën njerëzore, para se me çdo lloj besimi fetar”. Prandaj, Papa pohon se “është mirë t’i bëjmë vetes dy pyetje: a është e drejtë ta eliminojmë jetën njerëzore për të zgjidhur një problem? Dhe, a është e drejtë të punësosh një vrasës?” Letra e Papës përfundon me një bekim për gratë dhe me kërkesën për lutje.

Vajzat e varfra, a nuk kanë të drejtë të kenë fëmijë?

Në shkrimin e tyre, gratë “de las villas” (të periferive) i shprehin Papës protestën për faktin se ligji i abortit paraqitet si zgjidhje e lehtë për adoleshentet, që jetojnë në periferi dhe përballen me shtatzani të papritura. “Jemi thellësisht të terrorizuara - shkruajnë gratë - kur mendojmë se ky projektligj synon të përhapë idenë se aborti është një nga metodat kontraceptive dhe se u drejtohet kryesisht vajzave të varfra”. “Zëri ynë, ashtu si ai i fëmijëve të palindur, nuk dëgjohet kurrë - theksojnë gratë. - Ligjvënësit dhe shtypi nuk duan të na dëgjojnë e, nëse në periferi nuk do të kishim meshtarë, që e ngrenë zërin për ne, do të ishim edhe më të vetmuara” . “Bijat tona adoleshente – vërejnë ato - po rriten me idenë se nuk kanë të drejtë të kenë fëmijë, sepse janë të varfra”. Që këtej, thirrja drejtuar Papës për mbështetje.

Të shtunën, protesta për jetën në Argjentinë

Kujtojmë se të shtunën, më 28 nëntor, priten disa protesta në Argjentinë kundër projektligjit për abortin. Njëra prej tyre, që quhet “Marshimi i papuçeve”, do të zhvillohet para selisë së Kongresit Kombëtar, ku pjesëmarrësit do të thonë Rruzaren dhe do ta vendosin jetën e të palindurve nën mbrojtjen e Virgjërës Mari. Protestat kanë mbështetjen e ipeshkvijve vendas. Edhe Komisioni Ipeshkvnor për Jetën, Laikët dhe Familjen (Cevilaf), më 20 nëntor, kritikoi publikisht projektligjin, që po diskutohet, duke theksuar se “për herë të parë, në Argjentinën demokratike, mund të miratohet një ligj, ku parashikohet vdekja e dikujt për të shpëtuar dikë tjetër”. “Vetëm duke i shpëtuar të dyja jetët - nënvizojnë prelatët – mund të shpëtojmë të gjithë”. Së fundi, ipeshkvijtë i nxisin besimtarët të bashkohen me manifestimet e së shtunës, pasi ato janë “shprehje publike në favor të së drejtës së njeriut për jetën, e cila garantohet nga Kushtetuta”.

26 nëntor 2020, 11:54