Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa: Jezusi është Mbret i gjithësisë, Gjykatës i të gjithëve.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Françesku kujtoi faqen e Ungjillit kushtuar Gjyqit të fundit, që ‘do të na gjykojë mbi bazën e dashurisë. Jo të ndjenjës, por mbi bazën e veprave, mbi bazën e mëshirës, që bëhet afërsi e ndihmë gjithë kujdes.

R. SH. - Vatikan

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar si zakonisht nga dritarja e Bibliotekës së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit, i ndjekur nga besimtarët e pranishëm e nga mijëra të tjerë, përmes mjeteve të komunikimit, Papa kujtoi së pari solemnitetin e Krishtit, Mbret i Gjithësisë, që kremtohet sot, duke mbyllur edhe vitin liturgjik. Ai - theksoi Ati i Shenjtë - është alfa e omega, fillesa e përmbushja e historisë: e liturgjia e sotme - vijoi të kujtojë - përqendrohet mbi “omegën”, mbi fundin e rrugës, që na pret të gjithë! E këtë bën edhe Mateu, në Ungjillin e kësaj së dieleje, duke e vënë predikimin e Jezusit mbi gjyqin universal në epilogun e jetës së Tij tokësore:  Ai, të cilin njerëzit po e dënojnë, është pikërisht gjykatësi më i lartë:

“Me  vdekjen dhe ngjalljen e Tij, Jezusi u tregon të gjithëve se është  Mbret i historisë, Mbret i gjithësisë, Gjykatës i të gjithëve. Por paradoksi i krishterë është se Zoti nuk paraqitet si mbret, që të shtje hatanë, por si bari, plot me butësi e mëshirë”.

Zoti është Bariu i Mirë

Në shëmbëlltyrën e Gjyqit të Fundit Jezusin e shikojmë me pamjen e bariut, gjë që na kujton profecinë e Ezekielit, i cili pati folur  për ndërhyrjen e Zotit në favor të popullit e kundër barinjve të këqij të Izraelit. Barinj mizorë e shfrytëzues. Njerëz, që kullosnin vetveten, e jo grigjën. Që i hanin delet e grigjës!

“Ndaj Zoti premton se do të kujdeset ai vetë, personalisht, për grigjën e se do ta mbrojë nga padrejtësitë e nga mbrapshtitë. Ky premtim, që Zoti i bën popullit të vet, realizohet plotësisht në Jezu Krishtin, i cili vijon të na kujtojë: ‘Unë jam bariu i mirë’”.

Do të gjykohemi për veprat e dashurisë

Zoti nuk identifikohet vetëm me mbretin-bari, por edhe me delet e humbura, domethënë, me vëllezërit më të vegjël e më nevojtarë. E na tregon edhe kriterin e gjykimit. Ai, gjykatësi, na kujton se “çka bëmë për vëllezërit e tij më të vegjël, e bëmë për Të”. Do të gjykohemi, pra, mbi bazën e dashurisë. Jo të ndjenjës, jo! Mbi bazën e veprave, mbi bazën  e mëshirës, që bëhet afërsi e ndihmë gjithë kujdes.

Fundi i botës

Në fundin e botës - kujtoi akoma Papa, duke na e përshkruar atë ditë të pashoqe, të cilën duhet ta kemi gjithnjë në kujtesë, sepse ditë e fatit tonë të amshuar -  Zoti  do ta kalojë në revistë grigjën e tij e do t’i pyesë të gjithë, një për një: “A ke qenë sadopak bari, si unë?”. Këtë pyetje i bën sot Ungjilli zemrës sonë, parë si kriter gjykimi: “Kur isha në mjerim, a e humbe pakëz kohë për mua? A dole, me hirin tim, sadopak nga vetvetja, për t’u kujtuar se kisha nevojë? A u zbut zemra jote nga plagët e mia, nga vetmia ime, nga dëshpërimi im?”. Kështu do të na kalojë në revistë Mbreti i universit që, për të na shpëtuar, u bë qengj i gatitur për flije!

Të mësojmë nga Maria, për të hyrë që tani në Mbretërinë e Zotit

Papa, si zakonisht,  përfundoi duke iu lutur Virgjërës Mari që të na mësojë  të mbretërojmë në shërbim. Zoja e Ngjitur në Qiell - kujtoi - mori nga i Biri kurorën mbretërore, sepse e ndoqi besnikërisht në udhën e Dashurisë. Të mësojmë nga Ajo, për të hyrë që tani në Mbretërinë e Zotit, përmes portës së shërbimit të përvujtë e fisnik!

22 nëntor 2020, 13:13