Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa: jeta e jetuar me dashuri, jo me egoizëm, përgatit takimin me Zotin

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa komentoi shëmbëlltyrën e dhjetë virgjërave. E më pas kujtoi veprat e mira të përditshme, të frymëzuara nga dashuria për Krishtin, që na krijojnë mundësinë ta presim qetësisht festën e jetës, pas vdekjes.

R. SH. - Vatikan

Shumë shpesh harrojmë se caku i fundit i jetës sonë është takimi me Zotin, e mendojmë vetëm për të sotmen, për të pasur sa më shumë, për të jetuar sa më mirë. Si të mos na duhej një ditë ta lëmë gjithë ç’patëm mbi dhe e të nisemi për në jetën tjetër, atje ku na pret Zoti. Nëse dëshirojmë ta takojmë,  duhet të bashkëpunojmë me Të sa jemi të gjallë, me vepra të mira, të frymëzuara nga dashuria e Tij.

Simbolika e shëmbëlltyrës së dhjetë virgjërave

Fragmenti i Ungjillit i kësaj së dieleje - ishin fjalët e para të Papës, shqiptuar nga Dritarja e Engjëllit mbi Sheshin e Shën Pjetrit - na fton ta zgjasim reflektimin për jetën e pasosur, nisur me rastin e Festës së të Gjithë Shenjtorëve e të Përkujtimit të besimtarëve të vdekur. Në të, Jezusi na tregon shëmbëlltyrën e dhjetë virgjërave të ftuara në një dasëm, simbol i Mbretërisë së Qiellit.

Në kohën e Jezusit, dasma kremtohej natën - kujtoi Françesku - prandaj të ftuarit duhet të shkonin me llamba të ndezura. Me llamba po shkonin edhe dhjetë virgjëra, pesë të urta e pesë mendjelehta. Mendjelehtat kishin marrë me vete llambat, por jo vajin. Ndërsa të urtat, njëheresh me llambat, kishin edhe vaj të mjaftueshëm për të ndriçuar rrugën. Pritej dhëndri. Po vonohej. Të gjithë shikonin rrugën! Derisa u dëgjua një zë: po vjen! Vetëm atëhere - vijoi Papa - mendjelehtat u kujtuan se nuk kishin vaj për të ndezur llambat. Ua kërkuan të urtave, por këto nuk ua dhanë, sepse nuk mjaftonte për të gjitha. Atëhere mendjelehtat vrapuan të blejnë vajin. Po ndërkaq arriti dhëndri. Vashat e urta hynë në sallën e gostisë e porta u mbyll sakaq pas tyre. E kështu e gjetën të tjerat.

Përgatituni për takimin me Krishtin  

Përgatituni për takimin me Krishtin! Këtë na kujton shëmbëlltyra. E jo vetëm për takimin përfundimtar, por edhe për impenjimin e përditshëm, që lidhet ngushtë me të fundmin. Për të nuk mjafton vetëm llamba e fesë. Duhet edhe vaji i dashurisë së krishterë e i veprave të mira. Këtë theksoi sot Papa:

“Feja, e cila na bashkon me të vërtertë me Jezusin, është ajo që, siç na e kujton Shën Pali Apostull, bëhet aktive përmes dashurisë së krishterë”.

E këtë përfaqëson sjellja e virgjërave të urta. Rezerva e vajit, që ata e morën së bashku me llambat, është simbol i veprave të mira, të bëra në bashkëpunim me hirin.

Të jesh i urtë e i kujdeshëm do të thotë të mos rrish në pritje të çastit të fundit, për të  përkuar me hirin e Zotit, por ta bësh aktivisht, menjëherë:

“Nëse duam të jemi gati për takimin e fundit me Zotin, duhet të bashkëpunojmë me Të që në këtë çast, duke filluar sakaq. Nuk duhet të mendosh: ‘Unë, a? Po, do të kthehem pak më vonë!’. Jo më vonë. Ktheju sot. Ndryshoje sot jetën tënde! E kryeji sot veprat e mira, të frymëzuara nga dashuria e Tij”.

Kur e harron cakun e jetës, humbet çdo perspektivë për të takuar “Dhëndrin”

Për fat të keq ndodh që e harrojmë cakun e jetës sonë, domethënë, takimin e fundit me Zotin, duke e humbur, kështu, kuptimin e pritjes dhe duke  e absolutizuar të tashmen:

“Kur ndokush e absolutizon të tashmen, shikon vetëm të tashmen, e humbet ndjesinë e pritjes, që është shumë e bukur! Ta presësh Zotin  është tepër e nevojshme. Na shpëton edhe nga kontradiktat e çastit”.

Kur humbet ndjesia e pritjes, mbyllet çdo perspektivë mbi botën e përtejme, harrohet fare bota, që na pret. E atëhere njeriu përpiqet vetëm për të pasur, për të dalë mbi të tjerët, për ta rehatuar sa më shumë e sa më mirë veten në këtë jetë, këtu poshtë, pa i lartuar kurrë sytë atje, ku të pret pambarimi. Ashtu siç e zgjodhe vetë:

“Nëse  udhëhiqemi nga gjërat, që janë më tërheqëse, nga interesat tona, jeta jonë bëhet fare shterpë: nuk grumbullojmë asnjë pikë vaji për llambën tonë, e ajo pa dyshim do të shuhet para takimit me Zotin”.

Duhet ta jetojmë të sotmen, por të sotmen që shkon drejt së nesërmes, drejt këtij takimi, të sotmen e ngarkuar plot me shpresë! Por vetëm nëse do të jemi vigjilentë e do të bëjmë të mirën, duke përkuar me hirin e Zotit, mund ta presim qetësisht arritjen e dhëndrit:

“Zoti mund të vijë edhe kur jemi në gjumë; po kjo nuk na shqetëson, sepse e kemi rezervën e vajit të mbledhur me veprat e mira, që i kryem ditë për ditë”.

Në fund të lutjes, si zakonisht, Ati i Shenjtë  i ftoi besimtarët, që e ndiqnin nga Sheshi e nga mijëra ekrane nëpër botë – t’i lartonin lutjen Zojës së Bekuar:

“Të kërkojmë ndërmjetësimin e të Shenjtnueshmes Mari, që të na ndihmojë të jetojmë, si e jetoi Ajo vetë, një fe aktive: ajo është llamba e shndritshme, me të cilën mund ta përshkojmë terrin e vdekjes, për të arritur në festën e madhe të jetës”.

08 nëntor 2020, 14:13