2019.01.21 Piazza di Spagna, Propaganda Fide, Congregazione per l'evangelizzazione dei popoli 2019.01.21 Piazza di Spagna, Propaganda Fide, Congregazione per l'evangelizzazione dei popoli 

Vatikan: emërime nё Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve

Papa emëroi anëtarë të ndryshëm të Kongregatës sё Selisё Shenjtë për Ungjillëzimin të Popujve kardinajtё Miguel Ángel Ayuso Guixot, President i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar; José Tolentino de Mendonça, Arkivist dhe Bibliotekar i Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ka emëruar anëtarë të ndryshëm të Kongregatës sё Selisё Shenjtё për Ungjillëzimin të Popujve, këta janë: kardinajtё Miguel Ángel Ayuso Guixot, President i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar; José Tolentino de Mendonça, Arkivist dhe Bibliotekar i Vatikanit.

Ndërmjet ipeshkvijve, Papa Bergoglio zgjodhi Imzot Joseph Marino, President i Akademisë Papnore Kishtare; George Antonysamy, Ipeshkёv i Madras  e Mylapore. E akoma, At José María Calderón, Drejtori Kombëtar i Veprave Papnore Misionare të Spanjës; Etërit: Antonio de Jesús Mascorro Tristán, drejtori kombëtar i Veprave Papnore Misionare të Meksikës; Godefroid Manuga- Lukokisa, Drejtori Kombëtar Veprave Papnore Misionare të Kongos.

Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve vazhdimësi e ‘de Propaganda Fide’

Kujtojmё se Kongregata e sotme e Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin e Popujve është vazhdimësi e Kongregatës së njohur ‘Propagandës së Fesë’ dikaster i Kuries Romake, e cila përkujdeset për qeverisjen e veprimtarisë misionare katolike në botës. Është themeluar me dokumentin e Papës Gregorit XV Kushtetuta ‘Inscrutabili divinae providentiae’ më 1622. Në bazë të Kushtetutës së vitit 1976 ‘Regimini ecclesiae universae’ të Papës Palit VI e asaj të vitit 1988 ‘Pastor bonus’ të Papës Gjon Palit II dikasteri merr emrin ‘Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve’, duke mbajtur të njëjtin mision që kishte më parë. Pjesë të kësaj kongregate janë edhe ‘Veprat misionare papnore’.

Misioni i saj ishte dhe është të çojë Ungjillin në të gjithë botën. Në vitin 1626 u ngrit edhe tipografia historike e këtij institucioni, e quajtur “Polyglotta”, një nga më modernet e kohës, në gjendje të shtypte libra në të gjitha gjuhët, që përdoreshin në vendet, ku ekzistonin misione katolike.

Në vitin 1627, Papa Urbani VIII themeloi Ateneun Papnor “de Propaganda Fide”, ku studiuan gjatë shekujve të rinj ardhur nga tokat e misionit. Që nga fillimet e saj, Propaganda mirëpriti edhe të rinj nga Shqipëria e nga viset shqiptare e për vite me radhë kontribuoi në ruajtjen dhe përhapjen e fesë së krishterë në viset Ilire, nё Dalmaci e në pёrgjithёsi nё Ballkan. Së bashku me detyrën e ungjillëzimit, gjatë pushtimit otoman, misionarët e institucionit e ndihmuan popullin shqiptar, nё tё gjitha viset, të ruante identitetin kombëtar dhe përkatësinë perëndimore. Në Arkivin historik të Propaganda Fide-s gjenden dokumente të çmuara, që dëshmojnë veprën e Kishës Katolike ndër shqiptarë, të dobishme si burim i rёndёsishёm edhe për historiografinë shqiptare.

Ndër figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar, që kanë studiuar në Ateneun e këtij institucioni, mund të kujtojmë Frang Bardhin, Pjetër Bogdanin, Gjon Kazazin e shumё tё tjerё. Nga shtypshkronja “Polyglotta” dolën gjatë shekujve, vepra themelore për historinë, gjuhën dhe letërsinë shqipe, si: “Dictionarium latino-epiroticum” (1635) i Frang Bardhit; “Dottrina Christiana” (1636) e Pjetër Budit; “Concilium Albanum” (1706), “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese” (1716) i Francesco Maria da Lecce.

17 nëntor 2020, 12:48