Papa: “Çdo intolerancë fundamentaliste dëmton njerëzit dhe popujt”

Papa Françesku e ngre zërin kundër intolerancës fundamentaliste, në Ditën Ndërkombëtare kushtuar Tolerancës #TolleranceDay. Kërkon t’u mësohet të gjithëve vlera e respektit për të tjerët

R.SH. - Vatikan

“Çdo lloj intolerance fundamentaliste dëmton marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, grupeve dhe popujve”. Kështu shkruan Papa Françesku në tweet-in e tij të sotëm, botuar në faqen @Pontifex, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës #TolleranceDay. “Të impenjohemi për ta jetuar dhe për t’ua mësuar të tjerëve vlerën e respektit, dashurinë e aftë për t’i kuptuar ndryshimet, përparësinë e dinjitetit të njeriut”, bën thirrje Ati i Shenjtë.

Dita Ndërkombëtare e Tolerancës

Dita Ndërkombëtare e Tolerancës u themelua nga UNESCO (Organizata e OKB-së për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën) në vitin 1995. Është rast për të kujtuar parimet dhe vlerat e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe rëndësinë, që ka toleranca për arritjen e paqes. 1995-a qe shpallur pikërisht Vit i Tolerancës nga Kombet e Bashkuara, që kremtonin në gjithë botën, edhe 125-vjetorin e lindjes së Mahatma Gandit, ikonë e paqes dhe e mospërdorimit të dhunës. Në atë vit, u caktua edhe një çmim për promovimin e tolerancës, që u jepet atyre njerëzve, ose organizatave, të cilat janë dalluar në këtë fushë.

Çdo vit organizohen takime, festivale, konferenca për të sensibilizuar popujt mbi rëndësinë e tolerancës, por kësaj radhe, kremtimet kushtëzohen nga pandemia e koronavirusit. Sot, në rrjetet e veta shoqërore, UNESCO kërkon: “Është koha ta mbrojmë tolerancën, paqen dhe mirëkuptimin e ndërsjellë! Në këtë periudhë sfidash të papara, që lindin urrejtje dhe intolerancë, kujtojmë dhe kremtojmë fuqinë e solidaritetit global për të ndërtuar një botë paqësore për të gjithë. Kremtojmë ndryshimet, që na bëjnë të fortë dhe vlerat, që na bashkojnë!” Pasi nuk ka paqe, pa tolerancë dhe, nuk ka forcë, pa bashkim.

16 nëntor 2020, 15:07