endi i sulmit terrorist në Vjenë endi i sulmit terrorist në Vjenë  

Papa: akte terrori, për të komprometuar vëllazërimin ndërmjet feve!

Françesku, në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, u shpreh afërsinë viktimave të atentatit të Nicës e të Vjenës dhe kërkon të marrin fund dhuna dhe urrejtja!

R. SH. - Vatikan

“Këto ditë lutjesh për të vdekurit, i kujtuam e do të vijojmë t’i kujtojmë akoma viktimat e pafajshme të terrorizmit, mizoria e të cilit vijon të  përhapet  në gjithë Evropën” - këtë theksoi Papa Françesku në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme:

“Mendoj posaçërisht - vijoi - për atentatin e rëndë të këtyre ditëve  në Nicë, në një vend kulti, e edhe atë, i cili ndodhi dje në udhët e Vjenës,  që tronditën e tmerruan popullsinë dhe të gjithë ata, që e kanë për zemër paqen dhe dialogun”.

Ia besoj mëshirës së Zotit - shtoi akoma Papa - njerëzit që e mbyllën tragjikisht jetën e u shpreh afërsinë time  familjarëve dhe të gjithë atyre, që vuajnë nga shkaku i këtyre ngjarjeve thellësisht të dënueshme, “të cilat përpiqen ta komprometojnë me dhunë e urrejtje, bashkëpunimin vëllazëror ndërmjte feve”.

Ngushëllimet e Papës për atentatin e Vjenës: të marrin fund dhuna dhe urrejtja!

Në telegramin për viktimat e sulmit terrorist në Austri, Françesku kërkon  të promovohet “bashkëjetesa paqësore në shoqëri”. Ndërsa në tweet-tin e sotëm, Papa nxit të “të punohet së bashku për  paqen e vëllazërimin”.

Në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku u shpreh familjarëve të viktimave dhe gjithë popullit austriak pjesëmarrjen në dhimbje, ndërsa të plagosurve, afërsinë, duke i siguruar se lutet për shërimin e tyre të shpejtë. Ati i Shenjtë ia beson viktimat  mëshirës së Zotit, të cilit i lutet të marrë fund dhuna e urrejtja e të punohet për bashkëjetesën paqësore në shoqëri.

Vetëm dashuria e shuan urrejtjen

Papa e kujton dhimbjen e tij të thellë edhe përmes një tweeti, botuar sot në faqen e internetit @Pontifex:

 “Shpreh dhimbje - shkruan Françesku - për sulmin terrorist në Vjenë e lutem për viktimat dhe familjarët e tyre. Mjaft më me dhunë! Ta krijojmë së bashku atmosferën e paqes e të vëllazërimit. Vetëm dashuria mund ta shuajë gjithë këtë urrejtje”.

Këto fjalë, ngarkuar me dhimbjen e thellë atërore të Papës, na kujtojnë  se atentati në Vjenë u kushtoi jetën 6 vetëve, ndërmjet të cilëve, edhe atentatorit. Ndërsa numri i të plagosurve, që aktualisht janë të shtruar në spitalet vjeneze, arrin në 22. Gjashtë janë në gjendje të rëndë. Lajmin e jep ministri i brendshëm austriak Karl Nehammer, duke shtuar se hetimet vazhdojnë. Ministri  njoftoi edhe se “ tani për tani janë burgosur 14 vetë”.

Policia austriake vijon të bëjë kërkime, për të kuptuar dinamikën e sulmit, duke studiuar më se njëzet mijë video, që u dukën pas atentatit në mjetet e komunikimit. Qeveria i ftoi vjenezët të mos dalin nga shtëpitë e sidomos, të mos duken në qendër të qytetit, ku 75 ushtarakë vijojnë të kontrollojnë zonat e rrezikuara.

04 nëntor 2020, 10:53