Dreka me të varfërit Dreka me të varfërit 

Nga viti 2017, Dita botërore e të varfërve: fjalët e Françeskut

Po përfundonte Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës, kur Papa shpalli ditën botërore të të varfërve, duke caktuar të Dielën XXXIII të Kohës së zakonshme për kremtimin e kësaj dite, sivjet me temë: “Shtrija dorën tënde të varfërit”. Nesër, Mesha e kryesuar nga Françesku, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në rrethanet e pandemisë.

R. SH. - Vatikan

Ndërsa në të gjitha katedralet dhe shenjtëroret e botës mbylleshin portat  e Vitit të Mëshirës, mendova se, si shenjë e fundme,  konkrete e këtij Viti të jashtëzakonshëm, duhej kremtuar në mbarë Kishën, në të Dielën XXXIII të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, “Dita botërore e të varfërve”. Kështu shkruante Papa Françesku në Letrën apostolike “Misericordia et misera”, datuar 20 nëntor 2016, në përfundim të Jubileut të jashtëzakonshëm, që u hap më 8 dhjetor 2015. “Do të jetë ditë, e cila do t’i ndihmojë  bashkësitë si dhe çdo të pagëzuar  të reflekojnë e të kuptojnë sa për zemër e ka Ungjilli varfërinë - vijon Papa - E edhe se,  derisa Lazri të shtrihet, gjithë plagë, në prag të portave tona, në botë nuk do të ketë drejtësi, e as paqe sociale”.

Dita, në kohë pandemie

Dita botërore e të varfërve 2020, e katërta, do të kremtohet nesër, më 15 nëntor, por për shkak të coronavirusit, do të jetë ndryshe nga të tjerat. Në Meshën, kryesuar nga Papa Françesku në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Vatikanit, në orën 10.00, do të jenë të pranishëm rreth njëqind vetë, përfaqësues të të varfërve të botës. Po pandemia nuk mund ta ndalojë  bamirësinë e Papës: me këtë rast u aktivizua një rrjet solidar për t’u shpërndarë ushqim, maska e ndihma të tjera, mijëra familjeve, në rreth 60 famullitë romake, në shtëpitë-familje e shoqatat bamirëse. Veç kësaj, në ambulancën, që drejtohet nga Lëmoshtaria Apostolike, nevojtarët do të kenë e mundësi të bëjnë tamponin për Covid-19.

Kemi nevojë për njeri-tjetrin

“Shtrija dorën të varfërit” është tema  e zgjedhur për këtë vit, siç shprehet edhe Papa në mesazhin për Ditën IV:

“Sa duar të shtrira mundëm të shikojmë gjatë këtyre muajve, kur mbarë bota u trondit nga virusi, që solli me vete vdekje, pasiguri, përhumbje!”- kështu shkruan Papa, duke kujtuar se kjo është kohë e favorshme  për ta ndjerë fort, edhe një herë, se kemi shumë nevojë për njëri-tjetrin, e shumë përgjëgjësi për tjetrin e për botën”

Dita e parë e kushtuar të varfërve

Në Ditën e parë botërore të të varfërve, më 19 nëntor  2017, Françesku e pati kremtuar Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në praninë e 40 mijë varfanjakëve, ardhur jo vetëm nga Roma e nga Lazio, por edhe nga shumë vende të botës. Në përfundim, 1.500 prej tyre morën pjesë në drekën e shtruar nga Papa për ta, në Sallën Pali VI. Në homelinë e Meshës, Françesku shqiptoi fjalë të forta, duke e dënuar fuqimisht indiferencën:

“Braktisja e të varfërve në fatin e vet - qortoi - e ka një emër të mirëpërcaktuar: “quhet indiferencë, që domethënë t’i kthesh kurrizin vëllait, pikërisht kur ka më shumë nevojë”.

E si mund t’i pëlqejmë vërtet Zotit, pyeti Françesku që, duke cituar Ungjillin sipas Mateut, kujtoi këtë frazë të  Jezusit: “Me të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua”(Mt 25,40).

“Këta vëllezër më të vegjël, të zgjedhur prej Tij, janë i urituri e i sëmuri, i huaji e i burgosuri, i varfri e i braktisuri, i vuajturi, që s’ka krah ku të mbështetet e nevojtari i flakur pa shpresë në një skutë - vijoi Françesku  - Mbi fytyrat e tyre mund të përfytyrojmë të vulosur, fytyrën e Tij, mbi buzët e tyre, edhe pse të mbyllura nga dhimbja, fjalët e Tij: ‘Ky është korpi im!’” (Mt 56 26,26).

Duhet të mësohemi ta mundim indiferencën me duar punëtore, shtrirë kah të varfërit, kah korpi i plagosur i Zotit - nxiti Françesku - që vijoi të kujtojë: në të varfërit, në ligështinë e tyre, ka një forcë të pamposhtur shëlbuese: “ata janë pasaporta jonë për Parriz”.

Është detyrë ungjillore të kujdesemi për ta, që janë pasuria jonë e vërtetë, e ta bëjmë këtë jo vetëm duke u dhënë një kafshatë bukë, por edhe duke thyer me ta bukën e Fjalës, bukë që u përket më natyrshëm se askujt tjetër. T’i duash të varfërit do të thotë të luftosh kundër të gjitha varfërive, shpirtërore e materiale.

Bamirësi e përhapur në të gjitha dioqezat e botës

Edhe në Ditën botërore të të varfërve 2018, Papa kryesoi Meshën në Shën Pjetër dhe drekoi me të varfërit. Ishte data 18 nëntor. E drekë për të varfërit u shtruan njëkohësisht edhe në në të gjitha famullitë, qendrat e vullnetariatit, kolegjet, shkollat. Në mesazhin e kësaj Dite, Papa e pati ftuar bashkësinë e krishterë “t’u japë një shenjë afërsie e lehtësimi”, atyre që kanë nevojë, duke bashkëpunuar edhe me njerëz të tjerë, solidarë me njeriun që vuan e pret ndihmë me dorë të shtrirë drejt teje! Duke theksuar se në rrënjët e varfërisë është padrejtësia.

Të joshur nga potera, shpesh nuk kemi kohë për Zotin e për vëllezërit

Vitin e kaluar, më 17 nëntor, gjatë kremtimit  të Meshës së kësaj Dite,  Papa Françesku pati kujtuar se shumëkush, duke u joshur nga potera e fundit, nuk ka kohë për Zotin e për vëllezërit, që jetojnë pranë e pranë. Po ekziston një ilaç. Ngulmimi, dhuratë e Zotit, ku ruhen të gjitha dhuratat e tjera:

“Sa e vërtetë është sot! Të pushtuar nga mania për të vrapuar, për ta fituar gjithçka, menjëherë, ai që mbetet mbrapa të besdis. E të duket si hedhurinë; sa pleq, të posalindur, të gjymtuar, të varfër shikohen si njerëz të kotë, të panevojshëm. Shkohet përpara me nxitim, pa pyetur fare se hendeqet thellohen, se pangopësia e një pale, shton varfërinë e shumëkujt.  T’i kërkojmë Zotit që secili nga ne e edhe Kisha të ngulmojë për të bërë mirë e  të mos e humbasë kurrë nga sytë çka vlen me të vërtetë”.

Jo vetëm ushqim për më të varfërit, por edhe bukuri

Në përgatitje të Ditës së 2019-tës, një plate prej 7.000 varfanjakësh,  mori pjesë në koncertin e organizuar në Vatikan, drejtuar nga mjeshtri Nicola Piovani dhe nga imzot Marco Frisina. Por nuk do të ishte hera e parë e as fundit: “Fara do të mbetet në shpirtrat e do t’u bëjë mirë të gjithëve”- pati  pohuar Françesku edhe me rastin e koncertit për të varfërit, në maj 2015. Për t’u dhënë jo vetëm ushqimin e trupit, por edhe atë të shpirtit.

Varfëria vijon të rritet në botë edhe për shkak të Covid-19

Në  mbarë botën- sipas Bankës Botërore - më se 730 milionë njerëz jetojnë sot me më pak se 1,90 dollar në ditë. E më se 100 milionë njerëz u varfëruan për shkak të pandemisë. Posaçërisht e rëndë është jeta e të miturve: numri i fëmijëve, që jetojnë në varfëri të shumëfishtë, ka arritur në 1,2 miliard. Këtij numri sivjet u shtohen edhe 150 milionë të tjerë. Covid-19 peshon rëndë ekonomikisht edhe mbi vendet evropiane, ku në çdo katër fëmijë, njëri kërcënohet nga varfëria. Në një Raport të Karitasit italian, vihet në dukje se, ndërmjet marsit e majit 2020 u shtua ndjeshëm numri i njerëzve, që nuk mund të jetojnë më pa mbështetje, në nivel dioqezan e famullitar: janë gjithsejt 450 mijë vetë!

14 nëntor 2020, 13:43