Beato don Mario Ciceri  Beato don Mario Ciceri 

Kisha do të ketë 128 të Lumë e 6 Shërbëtorë të rinj të Zotit

Papa Françesku autorizoi sot dekretet për lumnimin e 127 martirëve të Luftës Civile Spanjolle e të një meshtari italian, si edhe për 6 Shërbëtorë të rinj të Zotit

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti dje prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, imzot Marcello Semeraro, të cilin e autorizoi të shpallë dekretet për lumnimin e 128 vetëve dhe për njohjen e virtyteve heroike të 6 Shërbëtorëve të rinj të Zotit.

127 martirë të Luftës Civile Spanjolle

 Shumica e të Lumëve të rinj, 127 vetë, janë martirë të Luftës Civile spanjolle: meshtarë, rregulltarë e laikë, vrarë për shkak të urrejtjes kundër fesë, ndërmjet viteve 1936 e 1939. Ekzekutimi i tyre u bë nga milicët republikanë, në atmosferën e urrejtjes kundër të gjithë anëtarëve të Kishës Katolike. Të gjithë, pjesë e dioqezës së Kordovës: 79 meshtarë, 5 seminaristë, 3 fretër françeskanë, 1 murgeshë dhe 39 besimtarë laikë, prej të cilëve 29 burra e 10 gra. Disa prej tyre impenjoheshin në veprimtari kishtare, ose ishin anëtarë të shoqatave si Veprimi Katolik dhe Adhurimi gjatë Natës i të Shenjtnueshmit Sakrament. Furia e persekutimit, thjesht për faktin se ishin katolikë, nuk u përplas vetëm kundër tyre, por edhe kundër objekteve kishtare e vendeve të kultit.

Italiani, don Mario Ciceri

Ndër të Lumët e rinj, vetëm njëri nuk është martirizuar në Spanjë. Është fjala për meshtarin dioqezan italian, don Mario Ciceri, lindur më 8 shtator 1900 në Veduggio, në provincën e Milanos. Koadiutor në famullinë e Shën Andout Martir në Brentana di Sulbiate, qëndroi atje gjatë gjithë jetës, duke iu kushtuar të rinjve e administrimit të Oratorit. Themeloi një “Schola cantorum”, duke i dhënë shtysë Veprimit Katolik e duke u kujdesur personalisht për të. Iu përkushtua edhe kujdesit për të sëmurët dhe bamirësisë për të varfërit, sidomos gjatë Luftës II Botërore. Rrezikoi jetën për të shpëtuar ata, që arrinin të iknin nga kampet e përqendrimit nazi-fashiste. Vdiq në një aksident, në vitin 1945, por jeta e tij, në dukje e zakonshme, qe vërtet e shenjtë. Tani i njihet një mrekulli për shërimin e një vogëlusheje, në spitalin e Komos.

Shërbëtorët e rinj të Zotit nga Italia, Franca dhe Spanja

Me njohjen e virtyteve heroike, hyjnë në udhën drejt shenjtërimit, edhe 6 Shërbëtorë të rinj të Zotit: 4 italianë, një francez e një spanjoll.

24 nëntor 2020, 13:56