Kërko

Vatican News
Mesha Shenjte për dorëzimin e Kryqit t Ditës Botërore të Rinisë   Mesha Shenjte për dorëzimin e Kryqit t Ditës Botërore të Rinisë   (Vatican Media)

Françesku të rinjve: mos u zvarrisni, zgjidhni Zotin, që ju bën të lumtur!

“Mos rroni si të ngrirë në skajet e jetës!”. Në Meshën për kalimin e Kryqit të DBR-së, Papa u foli të rinjve për ëndrra të mëdha, që të bëjnë të lirë. I ftoi të shkojnë e të kërkojnë përtej mendimit sundues, që e redukton lumturinë në dëfrim, jetën në ethe konsumistike, dashurinë, në emocion.

R. SH. - Vatikan

E nisi me komentin e faqes së fundit të Ungjillit sipas Mateut, para Mundimeve të Krishtit - Papa - homelinë e Meshës. Me çastin kur Jezusi na lë amanetet e fundit. Na kujton se e mira që do t’i bëjmë njërit nga vëllezërit më të vegjël - të uriturit, të eturit, të huajit, nevojtarit, të sëmurit, të burgosurit – është e mirë që do t’i bëhet atij vetë.  Zoti na dorëzon, kështu, listën e dhuratave, që dëshiron për dasmën e amshuar me ne, në Qiell. Sepse janë pikërisht veprat e mëshirës, që e bëjnë të amshuar jetën tonë. Secili prej nesh mund ta pyesë veten: “A i vë në jetë? A e ndihmoj nevojtarin? Apo u bëj mirë vetëm njerëzve të dashur e miqve? Ndihmoj vetëm atë, që e di se do të më ndihmojë? A kam mik ndonjë nevojtar? Unë jam atje - të thotë Jezusi - “ të pres atje, ku nuk e mendon e ku ndoshta nuk dëshiron fare të shkosh. Atje, ku janë të varfërit”. Unë jam atje! Atje ku mendimi sundues, sipas të cilit jeta shkon për së mbari, sepse më shkon mbarë mua,  nuk  interesohet fare të shkojë. Jam edhe tek ti, i ri, që kërkon të realizosh  ëndrrat e jetës - të thotë Jezusi!

Ëndrra e Martinit, si ëndrrat e të drejtëve të Ungjillit

Jam atje - i pati thënë Krishti, shekuj më parë, një ushtari të ri. Ishte tetëmbëdhjetë vjeçar e akoma i papagëzuar. Një ditë pa një të varfër që u kërkonte ndihmë kalimtarëve, të cilët e shikonin me indiferencë e kalonin tutje. E i riu, duke parë se  të tjerët nuk kishin pikë mëshire, e kuptoi se duhej ta ndihmonte. Po ç’mund t’i dhuronte? Kishte vetëm uniformën e punës.  Atëhere e preu përgjysëm mantelin e gjysmën ia dhuroi të varfërit, i shoqëruar nga zgërdhimjet e atyre, që kalonin andej pari. Kur erdhi nata, ai pa një ëndërr: pa Jezusin të veshur me gjysmën e mantelit, që ia kishte dhuruar të varfërit. Dhe e dëgjoi duke thënë: “Martin, më kënaqi kjo veshje”. Shën  Martini ishte një i ri, që e pa këtë ëndërr, sepse e kishte jetuar, pa e ditur, ashtu si e jetojnë të drejtët e ditëve tona.

Mos hiqni dorë nga ëndrrat e mëdha

Duke vijuar homelinë, Papa i ftoi të rinjtë të mos heqin kurrë dorë nga ëndrrat e mëdha. I porositi të mos kënaqen me pak, sepse Zoti nuk dëshiron të na i ngushtojë horizontet. Na do në vrap drejt lartësive, me gëzim e guxim. Nuk jemi bërë për të ëndërruar pushimet a fundjavën – vijoi t’u kujtojë të rinjve Papa - por për të realizuar ëndrrat e Zotit në këtë botë:

“Ai na bëri të aftë të ëndërrojmë përqafimin me bukuritë e jetës. E veprat e mëshirës janë pikërisht gjëja më e bukur. Nëse ëndërron  lavdinë e vërtetë, jo atë të botës, që vjen e shkon, por atë të Zotit, kjo është udha. Mbasi veprat e mëshirës i japin lumni Zotit  më shumë se çdo  gjë tjetër”.

Jeta fitohet, duke u dhuruar

Por, nga duhet të nisemi për t’i realizuar ëndrrat e mëdha? - pyeti Papa - Ungjilli i sotëm na flet edhe për këtë:

“Në gjyqin e mbramë Zoti i ndan delet nga dhitë, por që të jemi të mirë a të këqinj, kjo varet  vetëm nga ne. Zoti shikon e nxjerr vetëm përfundimin  e zgjedhjeve tona, e nxjerr në dritë dhe e respekton. Jeta, atëhere, është kohë e zgjedhjeve të forta, vendimtare, të amshuara. Zgjedhjet e rëndomta çojnë në jetë  të rëndomtë; të mëdhatë e bëjnë edhe jetën të madhe. Ne bëhemi pikërisht çka na pëlqen!”.

 Po zgjodhëm Zotin, bëhemi çdo ditë më të dashur, e po zgjodhëm dashurinë, bëhemi të lum. Jezusi e di se po jetuam të mbyllur e indiferentë, mbetemi të gjymtë. E bëhemi të lirë, vetëm nëse e shkrijmë jetën për të tjerët. Zoti i jetës na do plot me jetë e na tregon edhe sekretin e jetës: jeta zotërohet vetëm duke e dhuruar!

Mendo më shumë të bësh mirë, se të jesh mirë

Në vijim të homelisë Papa u kujtoi të rinjve se dashuria nuk duhet të varet nga “pse” e “për kë”:  pse jetoj e për kë jetoj, pse më ndodhi kjo e kujt duhet t’i bëj mirë. Jeta është plot me udhë, që mund t’i zgjedhim: mund të fitojmë një të drejtë studimi, miq, shtëpi, për të plotësuar hobby-t e interesat tona. Po rrezikohemi të kalojmë vite e vite duke menduar vetëm për vete, pa ditur ç’do të thotë të duash. Manzoni na jep një këshillë vërtet të bukur: “Duhet të mendosh më shumë për të bërë mirë, sesa për të qenë   mirë”(Të Fejuarit, kap. XXXVIII).

Larg nga gjithçka, që të largon nga ëndrrat e Zotit

Papa u kujtoi të rinjve edhe se zgjedhjet e mëdha ndeshin një mori pengesash të tjera. Ethen e konsumit, që e vë në gjumë zemrën me sende të tepërta, të kota! Dëshirën për dëfrime, në dukje e vetmja që të ndihmon për t’i harruar problemet, ndërsa vetëm sa i shtyn për më vonë.  E nxitjen për  të kërkuar vetëm të drejtat tuaja, duke harruar se edhe tjetri ka të drejtë për ndihmë. E pastaj është edhe iluzioni i madh i dashurisë. Të duket si të ishte diçka që jetohet me emocione të mëdha, ndërsa të duash është sidomos dhuratë, zgjedhje e flijim:

“Të zgjedhësh, posaçërisht sot, do të thotë të mos homologohesh, të mos lejosh të të vënë në gjumë mekanizmat e konsumit,  që ta zbehin origjinalitetin, domethënë të heqësh dorë nga dukja e nga dëshira për t’u dukur. Të zgjedhësh jetën, do të thotë të luftosh kundër mendësisë përdor-e-hidh e nga gjithçka-menjëherë, për ta drejtuar jetën drejt Qiellit, drejt ëndrrave të Zotit”.

Këshilla e fundit

përfundim të homelisë Papa i këshilloi të rinjtë të zgjedhin mirë. Të dinë t’u japin përgjigje dy pyetjeve të ndryshme. Njëra është “ç’më pëlqen të bëj?”. Pyetje shpesh mashtruese, sepse të shtyn të mendosh për vete, për t’i plotësuar të gjitha dëshirat. Por pyetja që Shpirti Shenjt të këshillon t’ia bësh vetes nuk është ç’të pëlqen - por ç’të bën mirë! Nga ky rrëmim shpirtëror mund të lindin zgjedhje të rëndomta, ose zgjedhje për të jetuar një jetë të vërtetë.

Prej këndej, porosia e Papës për të rinjtë - e jo vetëm, është:

“Ta shikojmë Jezusin, të kërkojmë guximin për të zgjedhur çka na bën mirë, për të ecur pas Tij, në udhën e dashurisë. E për të gjetur, kështu, edhe gëzimin aq të dëshiruar!”.

Kalimi i Kryqit

Në përfundim të këtij kremtimi eukaristik, ju përshëndes përzemërisht  ju, që jeni të pranishëm si dhe ata, që na ndjekin përmes mediave – kujtoi Papa- duke përshëndetur, pastaj, në mënyrë të posaçme panamezët e portugezët, që përfaqësoheshin nga dy delegacionet të cilat, më pas do të bënin gjestin domethënës të kalimit  të Kryqit e të Ikonës së Marisë Salus Populi Romani, simbole të Ditës Botërore të Rinisë. Kalim i rëndësishëm i shtegtimit - kujtoi Françesku - që do të na prijë në Lisbonë më 2003.  

DBR lokale, në festën e Krishtit Mbret

E nësa përgatitemi për Ditën ndërkontinentale të Rinisë - vijoi -  dëshiroj të kujtoj edhe kremtimin e saj në Kishat vendase. Pasi kaluan 35 vjet nga themelimi i DBR-së e pasi dëgjova mendime të ndryshme si dhe Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën, kompetent për baritorinë rinore, vendosa ta transferoj, duke nisur nga viti i ardhshëm, kremtimin e DBR-së nga e Diela e Larit, në të Dielën e Krishtit Mbret.

“Në qendër mbetet Misteri i Jezu Krishtit, shëlbues i njeriut, siç ka nënvizuar gjithnjë Shën Gjon Pali II, nismëtar e pajtor i DBR-së".

22 nëntor 2020, 11:39